3 rrugë në Kukës marrin emrat e Dëshmorëve, Selim Halili, Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi.

Në kuadër të Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunimin me pushtetin vendor, ka zhvilluar ceremoni përkujtimore, për të vlerësuar aktin sublim të punonjësve të Policisë, të rënë në krye e për shkak të detyrës.

Në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, në qytetin e Kukësit, u zhvillua ceremonia e vendosjes së kurorave me lule, ku morën pjesë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, Prefekti i qarkut, kryetari i Bashkisë Kukës, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, përfaqësues të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut, efektivë të DVP Kukës, mesues dhe nxënës të shkollave të rrethit.

Gjithashtu, u zhvillua ceremonia e emërtimit të rrugëve në rrethin e Kukësit, me emrat e Dëshmorëve të Policisë Kukës, Selim Halili, Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi. Në këtë ceremoni morën pjesë Drejtori i DVP Kukës, Drejtori i DVKM Kukës, kryetari i Bashkisë Kukës, efektivë të DVP Kukës, familjarë të Dëshmorëve dhe veteranë.

Drejtori i DVP Kukës, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, u shpreh:

 ‘Sot,  në këtë ditë të shënuar, ditë kujtese, jemi mbledhur për të nderuar jetën dhe kontributin e dhënë gjatë karrierrës policore, nga 3 Dëshmorët e Policisë së Shtetit,  Selim Halili, Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi, të cilët, me shpirtin e sakrificës dhe vetëmohimit që i karaterizonte, nuk kursyen as jetën e tyre, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të garantuar rendin publik.

Për të nderuar dhe lartësuar sakrificën e Dëshmorëve, me iniciativën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit,  në bashkëpunim me Bashkinë Kukës, do të emërtohen 3 rrugë në rrethin Kukës, me emrat e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, Selim Halili, Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi.

Emërtimi i rrugës në fshatin Bicaj, me emrin e Dëshmorit të Policisë së Shtetit Selim Halili dhe i dy rrugëve në lagjen e re, qytetin e Kukësit, me emrat e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi, është një akt qytetarie, mbështetjeje për organizatën e Policisë, si dhe për shprehje falënderimi për familjarët e Dëshmorëve.

Ky  proces i emërtimit të rrugëve me emrat e Dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit, shpresoj që, edhe me mbështetjen e bashkive të tjera të qarkut, të vijojë, pasi do jetë një vlerë e shtuar dhe krenari për familjarët e tyre, por edhe për të gjithë komunitetin.’

Nderim të përjetshëm aktit sublim të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *