• April 20, 2024 4:58 am

(Nga libri ‘Kryqëzimi i Havzi Nelës’, botim i Ombra GVG, Tiranë 2008)

Në atë 10 gusht të 88-s, ora qe afër nëntës kur kisha kapërcye Kryqëzimin pranë Gjashtëkatëshit dhe me një nip timin (E. Kallabaku), asokohe shtatë vjeç, po shkoja dikund. Takova një shokun tim (F. Çejku), i cili më tha se kishin varë Havzi Nelën tek agjencia.

Qe një lajm tronditës dhe dëshpërues për mua.

Nuk e pata ndjekë gjyqin që u zhvillua kundër Havzi Nelës, sepse n’atë kohë isha me punë në Krumë, por kisha marrë vesh se në fjalën e tij të fundit nuk kishte kërkuar mëshirë, siç kërkohej zakonisht, por kishte kërkuar vetëm drejtësi. Madje, dikush më kishte thënë, me sa dinte ai, se qe rasti i parë që në një gjyq t’ashtullojshëm nuk kërkohej mëshirë, por vetëm drejtësi.

I thashë shokut tim të shkonim bashkë.

– Nuk mundem, – tha. – Sa e pashë dhe ika menjëherë prej aty. S’munda të duroj. Pata si të rrënqethtë nëpër trup.

U afrova tek Hotel Parku dhe dallova trekëmbëshin dhe trupin e një njeriu të varur.

M’u mjegullua pamja dhe kujtova se po luhej një teatër kukullash.

U avita si nja dhjetë metra pranë trekëmbëshit ku qe kryqëzuar i varuri. E shpërqëndrova ndjesinë e parë se po luhej një teatër kukullash. Për të shmangë një ndjesi të tillë, më ndihmoi edhe shpura e policëve atypranë që bënin rojë, se nuk qeshë në një teatër kukullash në fushë të hapur, por në një vend ku qe ekzekutuar me varje një njeri. Tashmë para syve të mi qëndronte një njeri i varur. Dhe ky njeri i varur quhej Havzi Nela. S’qe nevoja të pyesja dikënd për emrin e të varurit, se më kallëzoi shoku im para se të vija aty, por qe afërmendësh se edhe më i painformuari mund ta merrte vesh menjëherë sepse në një parullë në letër kartoni qe shkruar me germa të mëdha: ‘Havzi Nela, armik i partisë dhe i popullit’.

Pra, atë ditë kisha një fat të keq: po shihja dikënd të varur. (Më vonë do të merrja vesh të vërtetat e jetës së këtij njeriu që po e shihja të kryqëzuar para syve të mi dhe ngadalë-ngadalë në përfytyrimin tim do të merrnin jetë imazhet e një martiri të fjalës së lirë).

Në atë vramendjeje të ashpër sikur më zgjuan fjalët e nipit tim: ‘Mos më bjer ma këtu!’ (Dmth., prap mund të kishte raste të kësillojshme?!). I shqita sytë prej të varurit dhe pashë nipin tim. Qe zverdhë në fytyrë. Ndërkaq, fjalët e tij i mora si urdhër të largoheshim prej aty. U larguam shpejt, e lashë nipin në shtëpi dhe u ktheva prap tek agjencia, si të kundroja më ngeshëm atë pamje mortore…

Ndieja ftohtë, të dridhuna nëpër trup, ndërsa dielli sikur kishte nisë të lëshonte gjithë pluhnimin e të nxehtit.

Kësaj radhe, fytyra e të varunit, për çudi, m’u duk e ambël, vezulluese.

Trupi i tij sikur qe vogëlue krejt, ndërsa teshat e shngjyrosura nuk e ruanin të njëjtën pamje në çdo këqyrje.

Njerëz vinin aty, rrinin pak, këqyrnin kah i varuri, ulnin kryet, këqyrnin prap. Kundrimi i tyre qe sa me i hedhë sytë, me i ulë, me i ngritë dhe me pa prap, vetëm sikur t’u ngulitej në tru ajo pamje e llahtartë dhe largoheshin pa bëzajtë.

Dëgjova dikënd mbas meje të thoshte: ‘Kot e kanë varë… ‘. Nuk ktheva kryet ta shihja se kush foli. Dëgjova edhe dikënd tjetër pranë meje, të cilin e njihja (Muharrem Shehu, Nangë): ‘Marrja e zezë! Çfarë shteti! A bahet njeriu në këtë ditë?!’

Aty rreth orës dhjetë jam larguar prej aty dhe kam ecë nëpër rrugët e qytetit. Qe shumë nxehtë. Një diell i përvëlimtë sikur i kalonte qytetit tejpërtej, por unë çuditërisht ndieja përsëri ftohtë… Kisha përjetuar një fat të keq. Kisha pa një njeri të varur…

Më vonë mora vesh se trupin e njeriut të pajetë e hoqën prej andej aty rreth orës njëmbëdhjetë.

Të nesërmen në mëngjes aty kah ora tetë, takoj dy shokët e mi, Myftar Gjanën dhe Kujtim Allarajn, asokohe të dy studentë.

– E pe? – më pyeti Myftari.

E kuptova përse e kishte fjalën.

– E pashë. Tue pa e tue u trishtue, – ia ktheva unë.

Ende nuk më kish kaluar trandja e një dite më parë.

– Ai sikur po ngjitej në qiell, – vazhdoi Myftari. – Tani shpirti i tij ka mbërritë atje, tek qielli.

Seç pati një lloj përlotje.

Mbas një grime, vazhdoi prap:

– Shumë fisnik, krenar. Më vjen keq që s’e kam takuar atë njeri sa qe gjallë, por sidoqoftë pamja e martirit do të mbetet në kujtesën time gjithë jetën. Ai është martir. Këtu do jemi, gjërat do vihen në vend. Si jemi sivjet, nuk do të jemi mbas dy a tri vjetësh.

Myftari, rebel si gjithsaherë, por atë mëngjes qe krejt i papërmbajtshëm.

– Ja, po të dalim nëpër qytet, njerëzit do t’i gjejmë ende me fytyra të vranta. Ku jemi këtu, në Mesjetë?

– Po, në Mesjetë, – foli Kujtimi, – e ku tjetër?

(Tre vjet më vonë, në gazetën ‘Kosova’, K. Allaraj botoi shkrimin ‘Intelektuali i varur në litar në vitin 1988’; ky është edhe shkrim i parë për H. Nelën).

Myftari më dha një dyfletësh fletoreje.

– Merre. Kam një poezi aty, – më tha, – por lexoje vetëm në shtëpi.

(E lexova pakëz më vonë. Poezia titullohej ‘Flas me vetveten nga litari ku jam varur’, dhe më kaploi menjëherë vargu i parë: ‘A e sheh si lëkundem në erë i bukur’. Kumti që përcillte poezia qe hijerëndë dhe sikur më nxirrte të gjallë prap imazhin e njeriut që e kisha pa të varur një ditë më parë).

Kjo qe biseda e parë ndryshe që pata unë për Havzi Nelën para se të përmbysej regjimi komunist. Natyrisht, mbas ’90-s, kur erdhi lirshmëria, falë interesimit tim të vazhdueshëm për fatin e atij njeriu, të cilin e pashë të varur në gusht të 88-s, munda të zbuloj natyrshmërinë në gjithë rrugën e tij, pikërisht në atë rrugë që ai sikur nuk eci, por fluturoi rrufeshëm. ..

Shpesh rastësitë dhe përkimet janë të çuditshme.

I njohuri M. Camaj ka një poezi të shkëlqyeshme me titull: ‘Vrasja e poetit’.

Liria e fshehun mbas vargjeve

të poezisë

nuk ishte vetëm:

para tyne rrishin galuc roje

shpend mishngranës

me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë

tue u rropatë kah drita në qelq,

andej kufijve të botës

njerëzore.

Është një kumt i vazhdueshëm që ka ardhë prej poetëve, një thirrje tronditëse në qiellnajën e botës plot maska për fatin e kolegëve martirë. Vazhdimisht pranë tyre ‘shpend mishngranës’ (M. Camaj), por sidoqoftë liria që ka notuar mespërmes vargjeve të tyre, është formësuar si dëshmi se, veçanërisht në shpirtin e poetëve, ka funksionuar dëshira e madhe njerëzore për qytetërim të mendjes…

Arrestim në doganën e Morinit

Një qytetar nga Prishtina është arrestuar në doganën e Morinit, Kukës, pasi kërkohej për grabitje me armë nga Emiratet e Bashkuara Arave.

Njoftimi i Policisë së Kukësit:

Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale ‘Grabitje me armë’.

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morin, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:

  1. R, 51 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar, pasi Interpol Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin për veprën penale ‘Grabitje me armë ‘.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *