• Thu. Apr 25th, 2024

59 vite me parë nisi ndërtimi/ Sot festohet ditëlindja e qytetit të Kukësit

Themelimet e para të qytetit të Kukësit të Ri u hodhën me 22 korrik 1962 dhe u ndërtua në më pak se 10 vjet nga vetë dora e banorëve kuksianë.

Ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë, i shtrire në koordinatat 42.09°V, 20.43°L, në lartësinë 340-360 m mbi nivelin e detit dhe rreth 100 m mbi Kukësin e vjetër. Ka një sipërfaqe prej 1.44 km²m dhe shtrirje nga veriu në jug prej 1.4 km dhe nga lindja në perëndim 900 m.

Qyteti ka formën e zgjatur të një gadishulli dhe rrethohet në të tri anët nga liqeni i Fierzës dhe pylli park dhe një pozitë gjeografike të favorshme pasi ndodhet në kryqëzimin e rrjetit rrugor që e lidh atë me Tiranën dhe pellgjet e Dibrës, Tropojës, Mirditës, Shkodrës e Kosovës. Qyteti i Kukësit lidhet më njësitë jugperëndimore me urën mbi luginën e Drinit të Zi dhe me njësitë veriperëndimore me urën mbi luginën e Drinit të Bardhë

Qyteti është ndërtuar në bazë të parashikimeve të qarta kompozicionale, me rrjet rrugor kënddrejtë që e ndan atë në blloqe banimi. Apartamentet e banimit dhe objektet e ndryshme janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të kenë perspektivë të hapur shikimi nga liqeni.

Rrjeti rrugor i qytetit është ndërtuar në formën e një unaze në mënyrë që trafiku i jashtëm të kalojë anës tij, duke përshkruar zonën industriale. Rrjeti i jashtëm lidhet me rrjetin e brendshëm në dy pika, në veri dhe në jug të qytetit.

Vlen të theksohet se qendra nuk është e zhvilluar në mes të qytetit, por krejtësisht në pjesën lindore të bregut të liqenit. Ai përbëhet prej sheshit kryesor, shëtitores buzë liqenit dhe parkut në të cilin janë ndërtuar objektet kryesore social-kulturore dhe administrative të qytetit.

Mbi etimologjinë e toponimit Kukës

Ka disa variante:

Sipas E. Paço, emri Kukës rrjedh nga fjala ilire Kuskulis

Sipas B. Jubani, emri Kukës rrjedh nga një fjalë latine e shkruar në pitoset e gjetura në kodrën e Pecës: OUEIKEIS (Ujkis)

Sipas Sh. Hoxhës, emri Kukës rrjedh nga emri i komandantit të garnizonit Ahmet Kuka, i cili rreth viteve 1633 kontrollonte administratën ushtarake të këtij vendi.

Mendohet se më afër të vërtetës për toponimin Kukës qëndron fjala latine Quercus (kurkus) që sot shqiptohet Kukës dhe që në shqip përkthehet me fjalën bungajë. Në të vërtete gropa e Kukësit ka qenë një bungajë.

Kukësi ka potenciale për të qenë një vend turistik, pasi posedon të gjithë larminë e elementëve turistikë si: relievin e shumëllojshme, ujin e bollshëm liqenor-lumor dhe burimor, klimën dhe mikroklimat, malet, pyjet, liqenin, lumenjtë, burimet dhe gurrat, livadhet alpine, bjeshkët me pishnajë dhe ahishte, monumentet e natyrës, kushtet tërheqëse për ushtrimin e llojeve të ndryshme të sportit si në futboll, mundje, hipizëm, rrëshqitje me ski, gjuetinë e peshkut, të zogjve dhe të kafshëve të egra etj. Rreth brigjeve të liqenit mund të ngrihen pika turistike dhe stacione barkash me vela ose skafe, ndërsa në bjeshkë mund të ngrihen shtëpi pushimi për pushuesit e turistë.

Kukësi mund të konsiderohet dhe si djep i kulturës popullore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *