• April 19, 2024 4:02 am

Arrestohen 3 policë në Kukës dhe Tiranë, bashkë me disa persona të tjerë

 

Policia ka goditur një grup të strukturuar kriminal, për trafikim të mjeteve motorike. Në pranga kanë rënë 7 persona, 3 prej tyre punonjës Policie, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Operacioni u krye nga Drejtoria e Policisë Tiranë në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, në Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë.

Njoftimi i Policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP, DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Nacional”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– S. Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– N. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– E. C., 24 vjeç, A. Sh., 25 vjeç, të dy banues në Kamzë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– V. D., 29 vjeçe, punonjëse Policie në strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe  E. A., 24 vjeç,  punonjës policie në  DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– F. B., 38 vjeç, banues në Kukës, me detyrë punonjës Policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Shtetasi S. Sh., i cili ishte në rolin e drejtuesit, në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore, kishte krijuar një rrjet personash që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, dhe trafikonin mjete motorike të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Shtetasi N. Sh., nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore në Kosovë, siguronte automjetet e vjedhura në këtë shtet. Trafikimi i këtyre mjeteve bëhej nëpërmjet PKK Morinë, dhe kalimin e tyre, e kryente shtetasi F. B., me detyrë punonjës Policie në stacionin e Policisë Kufitare Morinë, i cili nuk i regjistronte mjetet motorike që kalonin.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi J. Sh., 30 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *