• April 20, 2024 6:28 am

Një ndërtim pa leje që kishte nisur të ndërtohen në qytetin e Bajram Currit, ka çuar në pranga sipërmarrësin e punimeve dhe bërë që pronari i truallit të shpallet në kërkim.

Komisariati i Policisë Tropojë gjatë kontrollit të territorit në qytetin e Bajram Currit, ka konstatuar se brenda vijës së verdhë po kryhej një ndërtim pa leje.

Ndaj, arrestoi për veprën penale ‘Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve’, 46-vjeçarin Avni Morina, banues në fshatin Senec, Kosovë.

Njoftimi i Policisë së Kukësit:

Arrestohet në flagrancë sipërmarrësi i punimeve të një ndërtimi që kryhej pa leje brenda vijës së verdhë.

Shpallet në kërkim pronari i truallit, i cili kishte porositur ndërtimin.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë gjatë kontrollit të territorit në qytetin e Bajram Currit, kanë konstatuar se brenda vijës së verdhë po kryhej një ndërtim pa leje.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale ‘Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve’, i shtetasit A. M., 46 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Senec-Kosovë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në vendin e quajtur ‘Ish-parku’, lagjja Dardania, në qytetin ‘Bajram Curri’, u konstatua duke punuar në një objekt në ndërtim, i papajisur me leje ndërtimi nga autoritetet kompentente.

Ky shtetas ishte në rolin e sipërmarrësit për kryerjen e punimeve dhe ndërtimi ishte brenda vijës së verdhë të qytetit të Bajram Currit.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se trualli i ndërtimit rezultonte me certifikatë pronësie në emër të shtetasit F. J., i cili u shpall në kërkim për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’, pasi nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ‘Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve’, në ngarkim të shtetasit A. M., dhe për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’, në ngarkim të shtetasit F. J.

 

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *