Asnjë ndihmë familjes Ujka, prej 4 vitesh jeton në rrënojat e ish-komunës së Shishtavecit

Në Shishtavec të Kukësit, zyrat e dikurshme të njësisë administrative janë tashmë rrënoja, por që prej katër vitesh në mënyrë paradoksale është edhe banesa e Minire Ujkës, e cila jeton aty së bashku me dy anëtarë të tjerë të familjes.

Ndonëse ekipet e vlerësimit nga emergjencat civile e kanë vlerësuar të pabanueshme Minirja thotë se bashkë me bashkëshortin dhe djalin është e detyruar ende të jetojë aty pasi nuk ka asnjë mundësi financiare për rregullimin e shtëpisë, dhe deri më tani nuk ka asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore.

Përveç rrezikut të shembjes së plotë, në dimër i ftohti vështirëson më shumë jetesën e kësaj familjeje.

‘Ku të shkojmë? Jemi tre vetë, e kam shumë problem, por nuk di ku tjetër të rrimë, edhe pse në dimër dëbora shkon 2 metra’, thotë Minirja.

Me frikën e shembjes së plotë të shtëpisë jeton edhe fqinja e Minires, e cila tregon se në katin e parë të ndërtesës ka pasur një ahur në të cilin ka qenë një viç, që rrënojat e kanë zënë poshtë, ku edhe është dekompozuar.

Godina dykatëshe që shërbente edhe për administratën e Njësisë Administrative Shishtavec kishte dhënë shenja prej kohësh për shkak të gërryerjes së truallit ku është ndërtuar dhe bazamentit i saj. Por nëse kur u shemb fatmirësisht nuk kishte njeri, rreziku vijon të mbetet i lartë për familjen Ujka, që është detyruar të strehohet në këto rrënoja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *