Bicaj, shtëpia e Kulturës apo e takimeve elektorale?

Shtëpia e kulturës në Bicaj, njësi administrative e Kukësit nuk parashikohet të ketë ndonjë investim në 2023, siç u premtua në dhjetor të vitit të kaluar. Sot, ky objekt i ndërtuar para gjysmë shekulli, u shërben partive politike për takimet elektorale dhe gjithnjë e më rrallë jetës kulturore dhe argëtimit, edhe pse zona ruan vlera të çmuara të historisë, kulturës dhe arsimit. Fshati vazhdon të braktiset nga banorët që kërkojnë jetë më të mirë në Angli, por Faktoje bisedoi me dy personazhe të lidhur fort me vendlindjen, Hazirin punonjësin e vetëm që mban hapur shtëpinë e kulturës dhe Ledion, gjimnazistin e grupit të valleve në Bicaj.

Nga Gëzim Hilaj

Fshati Bicaj dhe Njësia me të njëjtin emër është zona më e rëndësishme e Bashkisë Kukës, e njohur historikisht si kryeqendra e krahinës së Lumës. Kjo njësi ku bëjnë pjesë fshatrat Nangë, Kolesian, Bushat dhe Tershen, numëron rreth 8 300 banorë dhe mbi 2 500 familje. Fshati ndodhet 11 kilometra nga qyteti i Kukësit.

Në qendër të tij ngrihet një ndërtesë dykatëshe, e vjetër, por që dallon se është një shtëpi kulture vetëm nga një pllakat me emrin “Elez Braha”, dëshmor i Atdheut dhe portretin e gdhendur.

Që prej vitit 1968, Shtëpia e Kulturës është e vetmja hapësirë argëtimi dhe ruajtje vlerash historike dhe tradite, për banorët e zonës. Në kohën e regjimit komunist, kjo ndërtesë shërbente edhe si kinema për shfaqjen e filmave, por pas vitit 1990 ajo pushoi së funksionuari si e tillë. Aktivitetet kulturore gjithnjë e më të rralla vijuan pas një rikonstruksioni në mes të viteve ’90, por prej asaj kohe e deri më sot shtëpia e kulturës nuk ka parë më investime. Aktiviteti i fundit artistik, ishte me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Vebih Shehu” dhe gjimnazit në datën 18 Janar 2023.

no

Në fund të dhjetorit 2022 kryetari i Bashkisë së Kukësit, postoi në profilin e tij në facebook, disa premtime që u kishte bërë banorëve të Bicajt në konsultimin publik. Mes këtyre premtimeve ishte edhe investimi në Shtëpinë e Kulturës.

Ne vendosëm të verifikojmë këtë deklaratë dhe fillimisht dërguam një kërkesë për informacion në Bashkinë Kukës. Përgjigjja e institucionit ishte:

“Jemi në fazën e identifikimit të çdo problematike që lidhet me shtëpinë e Kulturës ‘Elez Braha‘ Bicaj, për të vazhduar më tej me fazën e studim-projektimit për këtë objekt të rëndësishëm kulturor të Njësisë Bicaj dhe më gjerë.“

Pas kësaj përgjigjeje kontrolluam në faqen online të Bashkisë Kukës ku në katgorine Investime shfaqej shënimi “Faqja po plotesohet“. Edhe në buxhetin afatmesëm të Bashkisë së Kukësit 2023-2025, nuk rezulton fond i parashikuar për Shtëpinë e Kulturës, Bicaj.

Në mesin e muajit shkurt 2023 udhëtuam për në Bicaj. Në shtëpinë e kulturës gjetëm Hazir Halilajn, personi i vetëm që përkujdeset për objektin dhe mban hapur dyert e sallës për vizitorët apo aktivitetet e rralla kulturore. Më parë, aty ishin pesë punonjës, siç tregon Haziri, por vendet e punës u shkurtuan, paçka se premtimet për rijetësim dhe investime bëhen në çdo fushatë elektorale.

Haziri kujton se është bërë një rikonstruksion i objektit në vitet 1996-1997 nga donatorë të huaj. Pas këtyre viteve, investimet dhe mirembajtja kanë munguar. Ambientet e brendshme të Pallatit të Kulturës po degradohen dita-ditës. Nga muret me lagështirë, banjot dhe dhomat e veshjes së artistëve, e deri tek shpendët që e kanë kthyer ndërtesën në kafazin e tyre, pasqyrojnë gjendjen aktuale.

“Problematika e parë është se nuk ka ngrohje. Kjo na ka prish punë në dimër, sepse kemi anuluar aktivitetet. E dyta s`ka ndriçim të bollshëm dhe s`ka ulëse. Këtu kemi vetëm stola druni si në kohën e Mesjetës”, tregon Haziri teksa me keqardhje shton se është munduar sadopak të kontribuojë vullnetarisht për ta mbajtur ‘gjallë‘, të fundmen shtëpi të kulturës.

“Me forcat e mija bëj pastrimin, e kam mirëmbajt dhe ndryshu llampat. Kemi ba kërkesë në Bashki për t`i rregullu problematikat e mëdha, por bien në vesh të shurdhët”.

Nga verifikimi online na rezulton se shtëpia e kulturës në Bicaj ka shërbyer më shumë për aktivitete politike sesa kulturore. Gjatë janarit 2023, dy partitë politike PD dhe PS organizuan takimet me banorët e Bicajve në sallën e kësaj ndërtese.

Kur pyesim Hazirin nëse ka aktivitete kulturore dhe sa përfshihen të rinjtë, ai përgjigjet i trishtuar:

“Ne duam t`i mbajmë këto pak të rinj që janë me aktivitete kulturore. Këtu shikon vetëm pleq. Mirë që janë dy shkollat, por edhe numri i nxënësve është përgjysmuar fatkeqësisht. Atë ditë kur ka aktivitet dëgjohet gjallëria, të nesërmen humb gjithçka”, përfundon Hazir Halilaj.

Ledio, nxënës i vitit të dytë në gjimnazin „Bajram Abdiu“ pranon se është ndër të paktët të rinj të mbetur në grupin e valltarëve të zonës.

“Nga grupi i valltarëve kanë ik në Angli 10 veta. Edhe nga klasa ime kanë ik 5 veta në emigrim. Kjo ka ndikuar negativisht në shkollën tonë, sepse sjell humbjen e organizimit të aktiviteteve”, thotë Ledio i cili nuk e fsheh zhgënjimin për shumëçka që mungon në vendlindjen e tij, por që nuk ia ka hequr shpresën.

“Do të donim të ishin në gjendje më të mirë skena, ngrohja apo ndriçimi, që mungojnë. Shtëpia e Kulturës duhet të ketë një DJ që të mos paguajmë lekë, kur duam të organizojmë një koncert”-thotë Ledio.

Kryesisht nismëtarët e aktiviteteve në Shtëpinë e Kulturës në Bicaj janë shoqatat dhe shkolla e mesme “Bajram Abdiu”. Dy vite më parë shkolla e mesme numëronte rreth 400 nxënës, ndërsa sot gjimnazi dhe shkolla 9-vjeçare së bashku kanë 385 nxënës.

Fatkeqësisht, kryefjala e bisedave mes banorëve në kafene, mbetet emigrimi jashtë vendit.

Ilmi Gjana 51 vjeç, si kryefamiljar nuk e shikon të ardhmen e fëmijëve të tij këtu. Madje nëse do t`i jepej mundësia do të largohej edhe vetë.

“Të vetmin djalë që kam në shkollë të lartë e kam përcjell dje me 60 mijë lekë të vjetra që mora nga ndihma ekonomike. Kemi ngel vetëm pleq. Aktivitete bëhen tek Shtëpia e Kulturës, por problemi është se nuk kemi ku t`i marrim të rinjtë. Takova tre djem të shkollës së mesme këtu afër lokalit, u thashë shkoni tek shkolla dhe mësoni. Më thanë, të mbarojmë shkollën edhe do ikim në Angli!”- rrëfen ai.

*Ky artikull publikohet në kuadër të thirrjes për 10 shkrime me profil fact checking, pjesë e projektit “Forcimi i Gazetarisë Fact Checking në Shqipëri” që po zbatohet nga organizata Faktoje, mbështetur nga Ambasada Hollandeze. Këto artikuj janë pjesë e konkursit kombëtar, për çmimin “Fatos Baxhaku”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *