
Me shoferat e njohun të Linjës Kukës – Tiranë, Miftar Kovaçin & Bajram Gjanën dhe marangozin Agron Palushi, përgjegjës te njësia e vet
Këto ditë të acarta dimri, në mbrëmje e pi kafen me ta dhe ndjehem fort mirë se kalon nji orë e këndshme.
Aty te Hotel Gjallica. Kthehen nga puna dhe ora 18.00 na mbledh aty. Njerëz jashtëzakonisht punëtorë, e nxjerrin gjithçka me djersën e ballit dhe më thonë se këto 30 vjet s’kanë firmosur asnjëherë rrogë shteti. E, megjithatë ndjehen komodë.
Të çuditshëm në bisedë.
Janë politikanë, filozofë, akademikë popullorë.
Të flasin për punët e shtetit, ma mirë se parlamentarët. Më thonë se i shohin lajmet sa herë t’u jepet mundësia, se duhet t’u japin përgjigje pasagjerëve apo Agroni myshterive të vet.
Mrekulli-se janë krejt të pavarur. Tepër të pasur në rrëfimet e tyre, me proverba, frazeologji, anektoda.
Në këtë pikë, rebeli Bajram shkëlqen. Shpesh biseda zgjatet, por u them: ‘Ngrihuni tash se ju duhet të ngriheni nesër herët me nisë punën!’
Të kënaqin kur më shpjegojnë se disa prej fëmijëve të tyre ndjekin shkollën e lartë.
‘Të bëhen për veti’, – më thonë.
E, unë u uroj vetëm mbarësi e fëmijët e tyre të kenë gëzimet e botës…
_____________
Foto nga: Edmond Spahiu