Dita e Gjallëjçes e një histori me kroin e Tanzot-Nga Admir Sinamati

Banorëve të Shtiqnit, Bicajve, Gostilit, Nangëve, Brekisë dhe Lojmes; ua uroj me gjithë zemër: Gëzuar Ditën e Gjallëjqes!

Kjo ditë festohet në shenjë dashurie dhe respekti të banorëve për Malin zemërmadh që skaliti tek ato cilësitë dhe vetitë që ai mbart: kryenaltësinë, pastërtinë, bujarinë, bukurinë dhe madhështinë.

Tek ky mal gjallëjqjanët gjetën ushqim kur të korrat në fusha dështuan, gjetën strehë e mbrojtje kur armiqtë ua djegën shtëpitë, morën lëndën e parë për shtëpitë e kullat, morën drutë e gjetën ngrohje për dimrat e acartë, gjetën freski për të nxehtët përvëlues të verës, gjetën ilaçe për sëmundjet e ndryshme, gjetën ujin e freskët e të kristaltë; mësuan si me e dashtë jetën e prandaj i jemi mirnjohës e falenderues, e ndaj festa e kësaj dite merr kuptim të madh.

Në shenjë respekti për të gjithë ato që e duan malin e Gjallëjqes po shkruaj një histori të vërtetë për kroin “Tanzot”(Ty n’Zot -sipas prof. Miftar Spahija), që për mua është “diamanti” i këtij mali:

-Një ditë (vitet ‘90)kishte qëllue shi e breshër në “krue të kuq” dhe nje bjeshkëtar i përhershëm i gjalliçes (ASh – pastë rahmet) kishte dalë me rroba të holla e kishte shumë ftohtë.

Aty erdhi një vizitor jabanxhi i cili hoqi nje xhakoventë e ia dha plakut. Plaku lumjan kundërshtoi bajagi shumë por udhëtari i panjohur këmbënguli e ashtu u bë.

E lumjani e ftoj jabanxhiun në stan e pasi hëngren drekë (kos e djathë) si të asaj bjeshke, baba Sheh e pyeti udhetarin për qëllimin e vizitës. Ai kishte një fëmijë djalë 10 vjeç që nuk fliste dhe kishte marrë udhën nga larg për të gjetë zgjidhje.

Plaku i urtë megjithëse i lodhur nga dita e moti, pa përtesën ma të vogël i tha: çohu se e kena do udhë. E të dy bashkë dolën pa i zanë nata tek Kroi Tanzot. Aty plaku mbushi një shishe me ujë e i tha jabanxhiut: -thuaji hallin këtij vendi e uji të shenjtë.

Burri i ardhë nga larg e tha pa zë hallin, e sapo e mbaroi së shprehuri dëshirën, shishja e ujit u thye vetvetiu. Shihe orën or mik i tha plaku i urtë e pastaj mbushi edhe nja dy shishe po nga ky ujë. U nisën për poshtë e në terr arritën në stan ku bujtën atë natë.

Të nesërmen kur po e përcjell mysafirin, plaku lumjan po i jep edhe bukë për udhës edhe xhakoventën nxorri e ja dha krahve, por ai nuk pranoi ta marrë. A gjeta derman a thu o plak i urtë, -pyeti shtegtari pak para se me u nda. Djali të pret me fjalë në shpi se uji i Tanzotit na foli pramet.

E ashtu kishte ndodhë. Ai kur shkoi në shtëpi e gjeti djalin krejt fjalë e gaz që i kishte filluar bash në atë orë kur ishte thyer shishja e ujit. E prej asaj kohe shtegtari ishte bërë mik i ngushtë i plakut lumjan dhe e vizitonte çdo vit në stan, pa harruar të pijë e mbushë ujë në Kroin “Tanzot” saherë vinte.

Gëzuar! AS
06 Gusht 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Përtej lumit-Shkruar nga Sulejman Dida

Thu Aug 6 , 2020
Tregim Shumë kohë ma herët, një fshatar i joni kish vendosë me shkue n’kurbet, e, para se me u nis i ka thanë nuses se vet, nji grue, që siç kanë tregue i ka pasë shoqet e rralla: – Po bahem marak se qysh ke me ba pa mue, a […]