
Kukësi duket se në këtë merkato do të përqendrohet të afrojë të rinj të talentuar.
Pas ardhjes së Tafas dhe Gashit, klubi ka zyrtarizuar firmën me 20-vjeçarin Zenel Gavazaj. Futbollisti nga Kosova, Zenel Gavazaj, është transferuar te skuadra e Kukësit.
Gavazaj (20-vjeçar) që më parë ka luajtur në Kosovë te Liria e Prizrenit, është stërvitur me Kukësin prej kohësh derisa me ardhjen e trajnerit të ri, Skënder Gega, është zyrtarizuar si pjesë e ekipit. Lajmi është konfirmuar edhe nga faqja zyrtare e Kukësit.
Te Kukësi aktivizohet edhe vëllai i tij, Enis Gavazaj, lojtari më shumë përvojë në kampionate si ai i Kosovës, Shqipërisë, Belgjikës e Rusisë. Enisi ka qenë pjesë edhe e Kombëtares shqiptare.
Edhe Redon Dragoshi është lojtari i ri i Kukësit. 20-vjeçari ka firmosur një kontratë që e bën atë pjesë të nënkampionëve për dy vitet e ardhshme.
Ish-lojtari i Luftëtarit përforcon në këtë mënyrë organikën kuksiane duke pasuruar linjën e djathtë të mbrojtjes. Ndërkohë Skënder Gega këtë të enjte nisi punën me skuadrën e Kukësit.
Trajneri tropojan ka zhvilluar seancën e parë stërvitore për të parë në këtë mënyrë edhe gjendjen e lojtarëve.
Nga ana tjetër, kjo seancë sherbeu për të vënë pikat mbi ‘i’ për ata që nuk do të jenë më pjesë e verilindorëve për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit po punojnë intensivisht për të përforcuar skuadrën me elementë cilësorë me qëllim që në Kupat e Europës të shkojnë sa më larg.