• Wed. Apr 24th, 2024

Dy fjalë publike për deputetin Flamur Hoxha…- Nga Admir Sinamati

Jan 4, 2022

Z. Deputet, sillu siç i ka hije përfaqsuesit të Lumës!

Në fakt unë jam i bindur se ti nuk mund të sillesh ashtu sepse nuk ke cilësitë dhe formimin e duhur për të qenë i tillë. E kam kuptuar që në momentin kur provova se nuk e mban fjalën(atëherë kur së bashku biseduam si burri me burrin), e në fakt doli krejt ndryshe.

Po e nisi nga kjo foto e marrë në profilin tënd të fcb: A të kujtohet vetja në çfarë gjendje ishe deri atë ditë para opinionit publik kuksian?! A ke kurajo të pranosh se gjithçka ndryshoi për ty personalisht dhe për fushatën e PD atë ditë, me ato fjalë të hapura, të sinqerta, të vërteta dhe me shtrëngim dore si prej vëllezërish( së paku 50% e sigurtë)?!

Qëndruam bashkë me të gjithë drejtuesit e PD në një fushatë elektorale ku megjithëse isha i bindur se ju ishit dërguar në Kukës në funksion të “politikës aritmetike”, unë dhe pjesa dërrmuese e drejtuesve nuk e zbehëm luftën frontale për të kërkuar maksimumin – mandadin e tretë që për ju ishte iluzion optik.

Pavarësisht gjithçkaje të luajtur pisët nga “politika aritmetike”, qëndrimi unik i stafit të gjerë të fushatës bindi popullin e Kukësit që PD të merrte një mandat të fortë. Kukësi dha një mbështetje mbresëlënëse dhe dërgoi një mesazh në Tiranë, por ju e shpërdoruat.

Në fakt ato ditë pavarësisht humbjes në shkallë vendi gjeja qetësi nga rezultati në Kukës. Bashkëvendasit e mi kishin ndëshkuar rëndë përbuzësin e vet, qeverisjen 8 vjeçare.

Besoj ju kujtohet kur iu shkruajta për të të uruar Flamur, ku ndër të tjera ju thoja :
“Zoti të ndihmoftë për të qenë faqebardhë gjatë ushtrimit të funksionit të Deputetit të Lumës tonë!”

Menjëherë m’u përgjigje me një falenderim për mbështetjen. Për çudi ky komunikim ishte i fundit. Pavarsisht bindjes sime se ju Flamur i përkisnit “ politikës aritmetike” prita së paku një takim sy më sy, por ju preferuat të mos i prishnit humorin “bacit” tënd tutor. Të njëjtën gjë bëre edhe me datë 8 Shtator kur unë doja të jepja një mendim për atë që pritej të publikohej nga Basha së shpejti.

Refuzove ta hapësh celularin, në fakt me atë rast demostrove refuzimin ndaj meje dhe demokratëve të Kukësit. Ajo ditë ishte dita kur ju Flamur si mik personal i Lulzim Bashës duhet ta kishit ndihmuar atë, duke e trajtuar veten si deputet i Lumës e jo në raportin e thatë Lulzim-Flamur.

Jam i shokuar se edhe sot, ju nuk e keni kuptuar se më nuk jeni Flamuri i para 25 Prillit, pasi i tillë jeni vetëm brenda mureve të shtëpisë. Qenia deputet, aq më tepër përfaqsuesi i trevave më të veçanta e patriotike të Shqipërisë, ju ka dhënë një emër të madh, por edhe një barrë të rëndë. Po nuk e merituat emrin ju ngelet vetëm barra dhe kjo nuk dua të të ndodhë, ndaj vendosa të shkruaj publikisht e t’ju them:

Flamur sa harxhon energji për të bindur disa demokratë me të mbushë një lokal për të kujtuar një ditë të shënuar 5 Janarin – Ditëlindjen e PD Kukës, bashkoju demokratëve dhe vendalijve tek festa e tyre e natyrshme dhe përcjelli nga aty një mesazh Lulzim Bashës.

Thuaji drejt: sot kam gjetur vetveten, sot jam i lirë, sot jam me popullin tim, sot ti Lulzim Basha duhet ta dorëzosh shtëpinë e demokratëve sepse nesër do jetë vonë. Hajde në atë festë duke kërkuar falje, largohu nga “politika aritmetike” e “bacit” tënd dhe e Lulzim Bravës, bindju aritmetikës së politikës së popullit demokrat e ashtu do ta gëzosh dhe meritosh atë mandat .

Flamur, nëse e bën një gjë të tillë unë ta bëj hallall çdo gjë lidhur me atë foto të 20 Shkurtit 2021. Në të kundërt në emër të atyre që përfaqëson gjysma vizuale në të djathtë të asaj fotoje të kujtoj një shprehje “ paç veten në qafë o faqezi” dhe të këshilloj që me datë 8 Janar të mos jesh argat i “hasmit”, sepse barra e rëndë ka me të zënë poshtë.

.. shkruar në emër të njeriut që e do PD më të fortë, më të bashkuar dhe më të hapur.
Admir Sinamati 04 Janar 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *