Dy letra të panjohura të Myftar Gjanës-Shkruan Petrit Palushi

Dy letra të panjohura të Myftar Gjanës-Shkruan Petrit Palushi

(Të shkruara para 38 vjetëve)

Myftar Gjana (1960 – 2019), përfaqësues i njohur i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, njeri dhe krijues me integritet, rebel dhe antikonformist, përballës me çdo të keqe, në çdo formë që mund të shfaqej ajo. Po përcjell dy letra të shkruara prej tij para 38 vjetëve. Ai ishte ushtar, unë student.

Nuk mundi të vazhdonte Fakultetin asokohe, për arsye të paarsyeshme: ‘Për biografi të keqe’. Nuk po u bëj koment letrave. Vetëm se me një qartësi dhe kthjelltësi mendimi, Myftar Gjana sikur i bën një radiografi asaj kohe të pakohë, brenda kufijve të së mundshmes…

LETRA 1

‘Fuqia ime është vullneti i mirë që do të më duhet ta duroj derisa të bëhet si pjesë e qenies time, i pandjeshëm e i natyrshëm… Mosha jonë në përgjithësi është ajo e ëndërrimeve të mëdha, por duhet kujdes që ëndërrimet të mos kthehen në ideale që kanë vetëm profilin e përfytyrimit tonë.’

Viti 1983

I dashur Petrit!

Takova sot babanë tënd. Kishte ardhur këtu në Fushë Dukagjin (Kolshi i Ri) për të parë një kanal. E pyeta për adresën tënde. Unë e dija se godina jote e kishte numrin 23, por babai yt më tha se e ka 22.

Vendodhjen time besoj se e more vesh.

Nga ana topografike po të sqaroj disa elementë për ta pasur më të qartë terrenin ku unë do të jetoj dy vjet (‘83 – ‘85). Terreni është kodrinor gjysmë i mbyllur, i butë, pa bimësi të zhvilluar, me shkurre dhe bush të ulët deri 1 metër mbi sipërfaqe të tokës. Relievi pothuajse është i papërthyer me një fushëpamje malore; duken nga këtu të tëra malet e larta të Kukësit, por vetë qyteti jo. Ka një rezervuar pranë dhe fshatin e ri Kolsh – 15 minuta nga reparti. Largësia nga reparti në Kukës me autobusin urban të Kalimashit është 25 minuta. Reparti është ndanë udhës, prandaj kur të vish ndonjëherë në shtëpi nuk lodhesh fare fizikisht, sepse ndalohesh mu në stacion.

Me shëndet jam mirë.

Detyra ime funksionale është topograf i shtabit të brigadës.

Këto tre muaj deri me 25 prill, kemi stërvitjen komplekse. Meqenëse kam këtë profil, përveç taktikës studioj në klasë specialitetet.

Kujto zborin në Gjimnaz dhe do të krijosh përshtypjen se ç’bëjmë nga ora 8 -1930.

Ti me mësime si shkon? Me shëndet besoj je si atëherë kur të takova së fundi, bile shpresoj më mirë, sepse me ardhjen e pranverës thonë ndërrohet gjaku.

Të studioj për ato që kemi biseduar nuk kam kushte dhe kohë aktualisht, pa ardhjen e majit. Gjithçka mund të bëj është në varësi tjetër. Fuqia ime është vullneti i mirë që do të më duhet ta duroj derisa të bëhet si pjesë e qenies time, i pandjeshëm e i natyrshëm.

Në përgjithëësi, ushtarët me të cilët kam ardhur në janar janë kuksianë nga fshatrat, e 3 nga qyteti.

Literaturë artistike nuk dua të lexoj hëpërhë dhe ndoshta edhe më vonë për gjithë periudhën ushtarake. Objekti im i preferuar do të jetë ajo për të cilën ti përpiqesh të diplomosh.

Mosha jonë në përgjithësi është ajo e ëndërrimeve të mëdha, por duhet kujdes që ëndërrimet të mos kthehen në ideale që kanë vetëm profilin e përfytyrimit tonë; ato duhen skalitur me daltën e krijimit, punës, duhen gdhendur me durimin e vullnetit dhe shpirtit tonë.

Balzaku ka thënë në veprën ‘Xha Gorio’: Nga 10 ditë që studentët bëjnë plan të studiojnë, vetëm 3 ditë ata punojnë mbi libra. Ky përcaktim në këndvështrimin e proporcioneve kohore, vlen  edhe për brezin tonë. Pra, nëse ti planifikon të studiosh 6 orë në ditë, ti studion veçse  dy orë, ose përvetëson aq sa mund të asimiloje për dy orë studim të përqendruar, pa shqetësime të asnjëlloj natyre duke pasur një ushqim të shumëllojshëm dhe të pasur me 4000 – 4500 kalori. E kam këtë edhe nga përvoja personale, i dashur linguist.

Nuk mjafton vetëm studimi sistemik, por kryesore është konsolidimi i organizuar i të gjitha dijeve që asimilon, që të kenë lidhje dialektike, përmes një ngjitje natyrale. Shkalla e parë – shkalla më e lartë ose e thjeshta, e ndërlikuara. Për të kuptuar veçoritë e një mali, florën, faunën, imësinë, relievin, duhet të ngjitesh disa herë nga rrëza në shpatet, e pastaj në majë.  Sa e lehtë të meditosh për këto gjëra të vështira, sa dëshirë ndien të filozofosh për  to, por sa forca volitive, energji mendore e kushte optimale  kërkojnë për t’ua prekur konturet dhe elementët e dukshëm e të padukshëm të tyre! Kryesore është të kesh shpirt të pastër, të mos biesh në mënyrë të ndërgjegjshme në asnjë pellg të palëvizshëm e të helmët, të mos plagosësh njeri që nuk ka ato tipare të neveritshme e të urryera për shoqërinë njerëzore që nga ditëlindja e saj. Njeriu i lartë duhet të mendojë gjatë para se të bëjë një veprim, sepse më shumë koka ka prerë gjuha se shpata e xhelatit. Më pëlqejnë disa fjalë të Teofrastit të pasqyruara shkurtimisht në volumin ‘Proza antike greke’. Ato janë parime të palëkundshme morale po të dish t’i zbatosh në lidhje me kushtet ku ndodhet çdo njeri në mënyrë krijuese.

Ndoshta të vonova me arsyetime të tilla, por gjithë pasditen nga ora 1600 – 1900 kam studiuar në klasë për ca probleme që nuk janë stina e duhur për të lulëzuar kopshtin e shpirtit tim, edhe pse janë të domosdoshme dhe kam qëllim t’i përvetësoj plotësisht.

Më shkruaj për çdo problem që mund të ma besosh me letër, sepse do të jem i gëzuar të mendoj për të.

Të përqafoj

Tali

 

LETRA 2

‘Më vjen mirë që po i provoj të gjitha; ato duhet t’i dijë një banor i Tokës sepse e studioj botën rreth meje me gjakftohtësi, por nga ana tjetër do të doja që këto prova mbi veten t’i bëja në kohën e caktuar dhe me dëshirën time, të vinin si kërkesë e brendshme e jo si detyrime të jashtme…’

Viti 1983

I dashur Petrit!

Letrën tënde e mora.

Ajo më gëzoi shumë, megjithëse erdhi me shumë vonesë pas letrës time.

Ti më shkruaje se kjo është letra e dytë, unë këtë e besoj, por posta e mban mbi vete mungesën e përgjigjes sime sepse ajo në duart e ndonjë postieri harrakat ka vënë bisedat tona të largëta, fijet ideale të dashurisë mes njëri-tjetrit. Por tani e tutje unë do të të shkruaj letra të njëpasnjëshme, edhe nëse marr nuk përgjigje për neglizhencë poste.

Me shëndet jam mirë dhe me ushtri po ashtu.

Nga shtëpia shkoj shpesh, të paktën çdo javë dhe janë normal si të tutë dhe të mitë.

Dje isha në Kukës dhe dola me Lulin nëpër qytet. Vazhdon stilin e vjetër. Koha ka qenë tmerrësisht e ngrohtë, këtë besoj e ke vënë re edhe në revistën televizive, megjithëse ti nuk e frekuenton aq. Tani ka filluar (sot) një shi pranvere, i cili të zhduk plogështinë e trupit dhe të stinës.

E kuptova aluzionin për ndryshimet që ke marrë vesh në lidhje me vendlindjen tënde. Të vërteta janë, por besoj se ka edhe më. Kjo është diçka pozitive si të operosh një çiban (të thatë) nga trupi, i cili për shumë kohë na ka prishur humorin natyral të adhurimit të jetës. Besoj se do të vish për 1 Maj.

Babanë tënd e takoj shpesh këtu, se vjen me punë. Bisedojmë për gjëra të ndryshme. Është diçka e habitshme e njëkohësisht aq e zakonshme: Njerëzit e thjeshtë, masa, populli, bisedojnë aq shumë për problemet e shtetit, të politikës, sepse kjo lidhet direkt me mirëqenien e tyre materiale dhe prestigjin në shoqëri. Ata kanë një pasion të madh për të dhe secili sipas mënyrës së tij flet me siguri sipas pozitës ekonomike e morale që ka në shoqëri. Si konkluzion del

se shumica veçse aprovojnë dhe shprehin gëzimin e tyre për masat efikase që merr superstruktura e lartë dhe thonë pas kësaj: E kemi ditur se filani do të binte, ose ish kështu e ish ashtu.

‘Trimëria pas beteje dhe urtësia pas kuvendi s’vlejnë asgjë’ (Populli)

Me mësime shpresoj deri tani jeni mirë. Me shokët e dhomës po ashtu, bëju të fala nga unë. Nga Hasani si ke?

Unë për ato planet që kemi biseduar jam i gatshëm, por deri në fund të prillit e kam të pamundur sepse e kam provuar disa herë. Librat këtu i kam, por mungon diçka tjetër; ajo që ua dhurojmë të tjerëve – lirinë e veprimeve, qetësinë e gjumit të natës vendosur mbi shpatulla të alarmeve ushtarake, atë monotoninë e rrezikshme që të trondit artikulacionet e gjymtyrëve të trurit për t’i shkëputur përfundimisht. Megjithatë, do ta gjej kohën për gjithçka, por pas prillit, në maj e tutje. Thotë një shprehje popullore: ‘Po nuk hyne në ujë, nuk e mëson notin’. Po nuk e provove ushtrinë, nuk e mëson se si është ajo. Ti iluzionin e saj e ke nëse kujton zborin ushtarak në shkollë duke përjashtuar sasinë e kohës, nivelin e ambientit shoqëror, predispozicionin e eprorëve për të kaluar kohën si dhe inkuadrimi jashtë familjes dhe shoqërisë civile.

Nga njëra anë më vjen mirë që po i provoj të gjitha; ato duhet t’i dijë një banor i Tokës sepse e studioj botën rreth meje me gjakftohtësi, por nga ana tjetër do të doja që këto prova mbi veten t’i bëja në kohën e caktuar dhe me dëshirën time, të vinin si kërkesë e brendshme e jo si detyrime të jashtme.

Ti e di se kam prirje për t’i interpretuar në mënyrë të pavarur nga të tjerët dukuritë e forta të jetës, prandaj mos u bezdis nga këto rreshta.

Ato shokët që kemi andej si janë? Mos vallë ndonjërit prej tyre i kanë rënë, ose i janë lagur pendët e bardhë të karrierës?

Petrit, s’po e vazhdoj më.

Shpresoj letra ime t’u gjejë shëndosh e të kënaqur shpirtërisht

Ju përqafoj

Tali

P.S: Petrit!  Me çështjet intime nuk e di si je. Ato janë bashkudhëtare të moshës sonë, si blerimi që shoqëron stinën e pranverës. Në shumicën e rasteve ato të ndryshojnë disa veti në shpirt. Sa e madhe është bota e femrës! Dhe ti e di se në përmasa të mëdha ka gjithnjë gjëra të mira, por ka edhe shumë të këqija. Gjithkush duhet ta njohë atë me shumë kujdes, sepse po të mos e njohësh fare kur ajo të njeh ty, është fatale.

Netë të gjata me shira të dendur,

Ditë të lagura të hutuara mbi kapota.

Po dielli pse na humbi pas reve

Apo për të qenë banor i pritjes sonë?!