• April 19, 2024 6:55 pm
Asnjiherë s’e kisha mendu se nji ditë kam me e kapë veten në ikje, po tash kjo po ndodh e s’kam qysh me u shmang. Prej teje nuk jam fshehë ndonjiherë, e prej vetvetes aq shpesh.
Në ikje mu shfaq mundësia e sinqertë, e me mundim desha me iu drejtu vendit: Unë s’jam siç dëshiron ti që të jem, apo të paktën siç kam qenë, unë jam i dobët dhe mos beso ma aspak te unë, as unë vetë nuk i besoj ma vetes time. Nuk e di nëse jam i mirë apo i keq, edhe ma herët nuk e kam ditë, po tue shërbye për ty kam mendue se jam te të mirët, por gjithnji e ma shumë po humbin rrethanat për me mbetë i tillë.
Nuk asht se kam pritë aq shumë por sidoqoftë po ndjek mundimet e vështira për mbijetesë, e ti ke pritë ndoshta shumçka prej meje, edhe pse të gjithëve u kam teprue, e, tashma çkado që të them për veten time, nuk bëhem më i mirë para pasqyre, ma fort nga të gjithë, vetja ime më qorton pse zgjodha ikjen e jo sakrificën (në të vërtetë asht vetëm vetja ime që më qorton ndërsa pjesën tjetër e ndjej si presion).
E kapa si një mundësi, si nji rrem që e gjen njeriu kur anija mbytet, ndoshta asnji rrem nuk të nxjerr në breg, por kështu ndodh zakonisht, anipse tashma sapo e keni formulue etiktimin, oportunisti. Te ti, pra, po e denoncoj vetveten. Vetëdija më thotë se nuk e kam zanat denomcimin, dhe në kët pikë bie dakort, por nji rast të vetëm në jetë po e bëj, e, pikërisht me veten teme. Sa e çuditshme, ma trim e dija veten por s’paskam kurrajë me e drejtu atë në rrebelim.
Kam pasë mendu se kryet do ta vija te liria jote po kjo nuk ndodhi, masanej, vdekja nuk përban ndonji kontribut, ajo madje asht burracakëri, sepse ti ke nevojë që unë dhe të tjerët me jetue, sepse edhe ti vetë jeton pikërisht nëpërmjet nesh, por qe, ma në fund edhe unë jam një ikës apo ikanak.
Nuk po iki tuj bërtitë se nuk më mbajte. Ti je i urtë e bujar, po drejtuesit të keqpërdorën e njerëzit e thjeshtë nuk ndihen ma aq të sigurtë sa duhej me qenë, edhe krenarë ndoshta nuk ndihen si ma parë. Tashma je si nji ndermarrje në likujdim, si nji shërbim mbassezonal, bjeri ti biem, e ndoshta kur të ndrrosh pronar ke me ndryshue për mirë.
Po bahem pra, nji shpërbamje e vogël, e kjo më dhemb aq shumë, më beso. Ti s’do bahesh marak për këtë, e di, sepse ke qenë i pandjeshëm edhe për shpërbamjet e mëdha. Ke qenë gjithçka për ne, po tashma nuk na ban punë asnji ndjenjë krenarie që e bartim në arkivin e qenies tonë të kahmotshme, sepse ti prej kohësh nuk na fal asnji ndjesi të këtij lloji, je ba pre e mjerimit dhe mjerim, nji mjerim shembullor.
Unë të humba apo ti mue? Po kush jam unë me pasë raporte të tilla me ty! Kam mendue gabimisht se asht normale që vendi me e dashtë produktin e vet. Ti je i pa ndjeshëm, vendi jem, dashunia ime s’të ban derman, e, përshtypje josejo.
Ndihmova në ngitjen e urave të lirisë, por te liria nuk kalon njeri, ndërtuem ura në brigje ku njerëzit kanë frikë me kalue.
Liria përban nji qëllim të ndaluem, energjitë e tua po i përthith, po i shterron aktiviteti kriminal i bandave që tashma kanë edhe të gjithë pushtetin e mundshëm. Shoqnia jonë asht rikthye në identitetin mesjetar, asht shndrrue në shoqni gojore, dmth në nji vend ku gjithça zhvillohet, ma saktë shkatërrohet me urdhnesa gojore, pa pasë nji program. Dhe e keqja nuk ka fund, ti as në ramje nuk ke nji program.
Luftova heroikisht me varfërinë dhe injorancën, mosmirnjohjen dhe harbutninë. E, ju e dini se, në vendin e ‘shqiponjave’ nuk mundesh me mbijetue ndryshe, veçse duke tradhëtue përditë të vërtetën dhe interesat e të mundurve. Asht vërtetë e neveritshme, nuk shihemi ma në pasqyrë, sepse na neveritin gjurmët e përuljes, ligësisë.
Brenga ime asht dëshmitare e përpjekjeve të mia. Nëse e ke nji qëllim, sepse deri tash nuk ke dhanë shenjë për këtë, pra nëse e ke nji qëllim, nji program apo ambicie, asht kanë mirë me dhanë nji shej, pse unë kisha me pasë nji pikëlidhje, kisha me pasë motiv, kisha me e pasë ngushëllim për vitet që ti bamë kurban.
Aktualisht po bëjnë pazar me trupin tand, me shpirtin tand dhe me fatin, dmth me fatin tand dhe timin, e unë i pazoti me hy n’pazar e as me të dal zot deri diku, po kthej kryet sikur s’po shoh e po baj sikur s’di çka po ndodh me ty.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *