• Sun. Apr 28th, 2024

E la shkollën në klasën e 4-tërt, sot Selam Allaraj nga Topojani është ndër pastiçierët më të mirë në Venezia

 

Selam Allaraj është i riu nga fshati Topojan në Kukës, që është bërë shef pastiçerie në Venizia. Historia e tij fillon në klasën e katërt, kur e përjashtuan nga shkolla pasi në pamundësi ekonomike shkonte të punonte me bagëti.

Më tej, një tragjedi e madhe ndodhi në familjen e Selamit, ai humbi dy vëllezërit në emigrim dhe kjo bëri që të merrte rrugët e Europës.

I riu u largua drejt Italisë, ku mësoi në mënyrë autodidakte gjuhën, filloi punë kamarier dhe më pas dalëngadalë u bë pastiçier, teksa sot punon në Venecia. Në një lidhje me Skype për ‘ABC e Mëngjesit’, Selami tregoi historinë e tij, duke u kthyer në një frymëzim për të gjithë.

‘Në klasë të katërt më përjashtuan nga shkolla, për disa mungesa sepse shkoja me bagëti. Në familjen tonë ndodhën edhe disa fatkeqësi të tjera, humba dy vëllezër. Ata u larguan në Greqi për emigrim. Vëllezërit e mi kanë pësuar një tragjedi kur shkuan me bagëti.

Familja prekej përveç fatkeqësitë të varfërisë edhe në fatkeqësi të tjera. Qetësia e familjes sonë u prish dhe e vështirë për tu ruajtur. Ata vajtën në një fshat në Selanik dhe bënte ftohtë atje. Ata kanë ndezur stufën dhe e kanë future brenda në dhomë. Kanë fjetur dhe janë asfiksuar.

Unë vajta në Maqedoni në këmbë përmes Korabit, pastaj u trasferuam në Tiranë bashkë me prindërit, por nuk më dhanë as patentën se nuk kisha deftesë shkolle.

Në fillim, kur kam shkuar në Itali në vitin 2007, kam bërë punë që nuk kishin lidhje me gatimin. Punoja si magazinier pa pagesë, për 7 muaj, në Arezzo, vetëm për të bërë dokumentet. Orët e tjera punoja në një vilë. Bëja punë ndërtimi, suvatoja ose mirëmbaja oborrin. Fillimi ka qenë tepër i vështirë edhe pse gjuhën arrita ta mësoja shpejt. Pas punëve të para punova edhe si kamerier, më pas nisa rrugën që kisha ëndërruar.

Punova si fillim në një hotel në Rimini, pastaj, siç ndodh gjithnjë me kuzhinierët ose pastiçierët, lëviza në disa vende për të fituar përvojë. Punova me shumë emra të njohur të pastiçerisë për të mbërritur këtu ku jam sot, te ëmbëlsirat e mia autentike’. – kështu arrihen duartrokitjet! Sot, ëmbëlsirat e Selamit janë aq të mira sa klientët kërkojnë ta takojnë me çdo kusht magjistarin që i ka ëmbëlsuar, dhe kur e takojnë nuk kanë shumë për t’i thënë. Mrekullitë e tij meritojnë vetëm të duartrokiten.

Nivele të tilla realizimi të pjatave të ëmbla, mund t’i arrish vetëm nëse të është ëmbëlsuar gjaku që kur ke lindur. Ky është rasti i Selamit. ‘Marrëdhënia ime me ëmbëlsirat ka nisur që kur isha fëmijë. Stërgjyshi im ka pasur një ëmbëltore në Shkodër dhe një në Gjakovë, kështu që e gjithë familja ka qenë e lidhur me pastiçerinë, edhe pse jo të gjithë pjesëtarët i kanë gatuar. Në momente tepër të vështira të jetës edhe mund të humbasësh e të harrosh se çfarë do të bësh, siç ndodhi me mua pas humbjes së vëllezërve e vështirësive ekonomike që kaloi familja, por rrugën e ëndrrës e gjen gjithmonë’.

Për të plotësuar e përmirësuar aftësitë e tij të lindura, Selami bëri disa kurse, shfletoi shumë libra të mjeshtrave të pastiçerisë botërore. Shtoju këtyre edhe qindra prova ëmbëlsirash dhe do të njohësh Selamin që sot ka modifikuar e u ka dhënë përvojën e shijen e tij.

‘’Baba’ është një ëmbëlsirë franceze që dikur bëhej për të pasurit. Pronari e ndërroi emrin në ‘Babaraj’ si mbiemri im Allaraj. Kur klientët e provojnë, më thërrasin të më takojnë e të më njohin, ngrihen në këmbë dhe duartrokasin.’-çfarë mund të arrijë një artist më tepër se kaq, në cilëndo fushë që të krijojë?!

Selami nuk e përjashton edhe mundësinë e rikthimit në Shqipëri, për të provuar Tiranën, por ende nuk ka asnjë plan konkret. Deri atëherë, sapo të hapen rrugët, takojeni në Venecia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *