• April 23, 2024 9:30 am

E turpshme/ Kukësi humb me Partizanin 5 me 0

Mar 2, 2022

Partizani mori tre pikë tepër të rëndësishme pas fitores 5-0 kundër Kukësit në “Air Albania”.

Ky ishte suksesi i parë sezonal i “Demave” kundër skuadrës së Diego Longos dhe më i thelli për vendasit në këtë kampionat. Shumë episode ndodhën në këtë përballje, që nga penalltia që zhbllokoi takimin e deri te goli i anuluar i Kukësit. Minutat e fundit të pjesës së parë ishin fatale për ekipin mik.

Sherif Kallaku ktheu në gol në minutën e 36-të një penallti të fituar nga Skuka, me këtë të fundit që dyfishoi pesë minuta më vonë. “Demat” e nisën shumë mirë edhe pjesën e dytë. Vetëm 28 sekonda kishin kaluar kur Stenio Junior realizoi një gol fantastik, që solli edhe çlirimin e trajnerit Dritan Mehmeti.

Kukësi reagoi, Bruno Lulaj përfitoi nga një dalje e pasigurt e Alban Hoxhës dhe dërgoi topin në rrjetë, por teknologjia VAR anuloi golin e ekipit verilindor. Djemtë e Longos tentuan golin e nderit, por Partizani e goditi dy herë të tjera në minutat e fundit. Griseld Lika dhe Herald Marku (supergol) vulosën triumfin me “manita” të Partizanit, që e shkurton në 5 pikë diferencën me Kukësin e vendit të tretë dhe shkon me moral të lartë në derbin me Tiranën kryesuese.

Abissnet Superiore/ Java e 23-të

Partizani-Kukësi 5-0 (Kallaku (pen) 36′, Skuka 41′, Stenio Junior 46′, Lika 89′, Herald Marku 90+3′)

Kronika e ndeshjes:

90+3′ Supergol i Herald Markut. Ekzekutim perfekt i 25-vjeçarit nga goditja e dënimit, 5-0 për Partizanin!

89′ Vendasit shënojnë edhe golin e katërt me anë të Gresild Likës, i cili gjeti golin e parë sezonal në Superiore pas asistit të Albion Markut.

83′ Shans fantastik për Esat Malën, pritja e Tafas eviton “pokerin” e Partizanit.

81′ Gjelbrim Taipi shmang një lojtar kundërshtar dhe tenton trekëndëshin e portës së Hoxhës, topi mbi tra.

69′ Arinaldo Rrapaj lëviz bukur në zonën kundërshtare, gjuajtja e lojtarit vendas është për t’u harruar.

67′ Feijao hedh një top në zonë, nuk përfitojë as Milunovic dhe as Musta. Sinjalizohet pozicion i parregullt.

59′ Ndërhyn VAR-i, anulohet goli i skuadrës kuksiane.

56′ Gafë e Alban Hoxhës, përfiton Bruno Lulaj, Kukësi shkurton diferencën.

53′ Tifozët e Partizanit hedhin mjete piroteknike në fushë, dëmtohet portieri Angelo Tafas. Lojtarët e dy ekipeve bëjnë thirrje për qetësi.

52′ Skuka provon goditjen e menjëhershme, por nuk ka saktësinë e duhur.

48′ Veprim fantastik i Luka Milunovic, por sulmuesi i Kukësi nuk shënon dot përballë Hoxhës.

46′ Eurogol i Stenio Junior pas kombinimeve të bukura me Skukën. 28 sekonda i kanë mjaftuar brazilianit për të shënuar, 3-0 për Partizanin.

45+3′ Kukësi në sulm. Goditje potente e Edi Basa, por nuk ka saktësinë e duhur.

45′ Asist i Taipit për Luka Milunovic, i cili ndalet nga Alban Hoxha. Arbitri anësor sinjalizon pozicion të parregullt.

41′ Partizani shënon edhe golin e dytë. Xhuliano Skuka tund rrjetën kuksiane nga një pozicion i vështirë. Vendasit në avantazh.

36′ Partizani në avantazh. Sherif Kallaku dërgon topin në rrjetë. Lojtarët e Kukësit pretendojnë për përsëritjen e penalltisë.

33′ Kontakt i lehtë mes Ardit Hilës dhe Xhuliano Skukës. Arbitri Bastari akordon penallti për Partizanin.

31′ Mundësi e mirë për ekipin mik. Top i gjatë i Ndrecës për Basën, i cili pason për Ardit Hilën. Ky i fundit godet keq.

25′ Reagon Partizani. Kallaku pason për Arinaldo Rrapajn, gjuajtja e të cilit përfundon ngjitur me shtyllën.

21′ Gjelbrim Taipi lëviz bukur dhe tenton cepin e portës, largon topin në këndore Alban Hoxha.

9′ Skuka i shkëputet mbrojtjes mike. Sulmuesi i Partizanit rrëzohet pas një kontakti me portierin Tafas, anësori sinjalizon për pozicion të parregullt.

Partizani do të presë sot Kukësin në “Air Albania” në ndeshjen e vlefshme për raundin e 23-të të Abissnet Superiore, me të dyja skuadrat që synojnë të dalin me 3 pikë nga kjo përballje.

“Verilindorët” e vendit të tretë kërkojnë që të mos bien nga pozicionet e kampionateve të Europës, teksa “të kuqtë’ e kryeqytetit, që qëndrojnë të pestët në renditje duan pikërisht të jenë pjesë e zonës ku tashmë qëndron ekipi i trajnerit Diego Longo.

Ndërsa na ndan rreth një orë nga fillimi i kësaj supersfide, trajnerët Mehmeti dhe Longo kanë vendosur formacionet se si do të luajnë skuadrat e tyre sot.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *