‘Eksodi i TikTok-ut’/ Si po zbrazet Kukësi nga armiku i padukshëm

Në një kohë kur disa prej mediave prestigjoze ndërkombëtare shkruajnë thuajse çdo ditë për bukuritë e plazheve të Shqipërisë, “The Economist” i ka dedikuar së fundmi një artikull të gjatë fenomenit të migrimit masiv të shqiptarëve drejt Anglisë, me gomone.

Në një vizitë në Kukës, të cilin e cilëson si “një prej vendeve më të varfra në Europë”, gazetarja Isobel Cockerell sjell historinë e një djali 32-vjeçar, i cili kundër rrymës, ka vendosur të qëndrojë në atdhe e të mos largohet.

Por Besmir Billa frikësohet se nipërit e tij të vegjël, të cilëve u moëson çiftelinë dhe u flet për malet madhështore, mund të mos ndjekin rrugën e tij.

Kjo, për shkak të një armiku të padukshëm dhe të ndërkombëtarizuar: TikTok-ut.

“Nuk është aty jeta e vërtetë, është një iluzion. Për të marrë pëlqime dhe vëmendje”, tregon Billa.

Nipërit e tij janë “gozhduar” pas kësaj platforme, ku shohin video të shqiptarëve që u bëjnë thirrje bashkëkombësve të tyre për të marrë rrugëtimin drejt Anglisë.

Besmir Billa. Foto: The Economist.

Nëse shtyp “Angli” në TikTok dalin pafundësisht video që ofrojnë sugjerime për të udhëtuar drejt ishullit të lakmuar, sigurisht duke paguar mijëra paund. Edhe nëse dikush i raporton këto video dhe TikTok i fshin, ato rishfaqen menjëherë në llogari të tjera, çka e bën të pamundur zhdukjen e tyre.

Emigracioni në vendin tonë nuk është diçka e re, por numri i shqiptarëve që largohen drejt Anglisë arriti shifra rekord vitin e kaluar.

Në vitin 2022, trafikantët ishin shumë aktivë dhe vetëm gjatë muajve të verës 12 mijë shqiptarë kaluan Kanalin e La Manshit.

Në Kukës zbrazëtia është e prekshme. Kafenetë janë shumica bosh. Në një shkollë vajzat më thanë se nuk kishte kush t’i shoqëronte në mbrëmjen e maturës, sepse shokët e tyre të klasës ishin të gjithë në Britani. “Duket sikur djemtë janë specie në zhdukje”, tha një banore. Ndërsa Billa tregon se kanë mbetur thuajse pa mekanikë.

Isobel Cockerell

Sipas “The Economist”, trafikantët dikur kërkonin deri në 18 mijë paund për të kaluar La Manshin.

Por gjatë verës së kaluar, videot “publicitare” në TikTok tregonin shifra deri në 4000 paund, një zbritje së cilës shumë pak vetë mund t’i rezistonin.

Rol në këtë migrim masiv drejt Anglisë kanë luajtur edhe të ashtuquajturit “influencer”, të cilët jetojnë në Angli dhe reklamojnë në TikTok jetën luksoze, duke shëtitur me makina të shtrenjta pranë Big Ben-it.

Një prej yjeve të rrjeteve sociale është Aleks Vishaj. Sipas “The Economist”, ai u deportua nga Anglia në vitin 2021, por arriti të futej sërish në ishull. Billa tregon se kur ai erdhi në Kukës me Ferrarin e tij të zi gjatë pranverës, nipërit e tij, 7 dhe 11 vjeç, donin ta takonin.

“Ata më tregojnë se duan makina të shtrenjta, ose më thonë se duan të bëhen incluencer në rrjetet sociale. Është e vështirë për mua që të di se çfarë t’i them”, thotë Billa. Ai vetë nget një makinë Ford Focus 20-vjeçare dhe ka frikë se nuk konkurron dot me makinat luksoze të rrjeteve sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *