• Fri. Apr 26th, 2024

Zbardhet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kukës ku ish-kreu i këtij qarku, i shpallur në kërkim, u konfrontua me efektivë të policisë.

Lidhur me këtë ngjarje, policia ka arrestuar 6 persona, të afërm të Oruçit teksa nën hetim janë 5 persona. Efektivët e policisë shkuan në hotelin e vetë Abedin Oruçit ku edhe pse ishte në kërkim, ai qëndronte i pashqetësuar.

Sipas njoftimit të policisë, në momentin që efektivët u futën brenda ambienteve të hotelit, persona të afërm të Oruçit janë konfrontuar fizikisht me ta. Në këtë moment, Oruçi ka nxjerrë pistoletën për të qëlluar, por një prej efektivët ka mundur t’ia heqë nga dora. Në rrethana ende të paqarta, Oruçi në këtë moment është larguar nga vendi i ngjarjes.

Më pas policia ka bërë të mundur arrestimin e 6 personave të afërm të Abedin Oruçit, më konkretisht shtetasit  Eglant Ollomani, 32 vjeç, Gazmend Oruçi, 34 vjeç, Besmir Muçmata, 35 vjeç, Ermir Markaj, 18 vjeç, Zekria Shehu, 19 vjeç dhe Behar Duraku, 48 vjeç, banues në Kukës me akuzën e kundërshtimit të punonjësit të policisë.

Gjithashtu nën hetim u vendosën 5 persona me iniciale R. S., 22 vjeç, A. S., 18 vjeç, G. O., 50 vjeç, I. O., 28 vjeç dhe R. S., 21 vjeç, banues në fshatin Mamëz dhe në Kukës nën akuzën e mosbindjes ndaj urdhërit të policisë.

Në kërkim u shpallën Abedin Oruçi 54 vjeç si dhe një person tjetër me iniciale P.O., 46 vjeç banues në Kukës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Në tetor të vitit të kaluar Prokuroria e Kukësit e ka shpallur në kërkim ish-kryetarin e Këshillit të Qarkut për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, ” Kanosja për shkak të detyrës” si dhe ndërtim pa leje.

Ndërkohë që para 2 muajve ka dalë urdhër ndalimi për 3 vepra penale por kur policet shkuan të ekzekutojne vendimin, nuk e kapën dot, pra ky urdhër ndalimi nuk është ekzekutuar (urdhri është ende në fuqi).

Ndërkohë që një tjetër procedim tjetër penal është për armëmbajtje pa leje. Në këtë rast prokurori i kërkon gjykatës masë sigurie në mungesë arrest me burg, gjykata i cakton detyrim paraqitje për armëmbajtjen Abedin Oruci ka garuar në zgjedhjet vendore si kandidaturë e Bindjes Demokratike ndërsa para zgjedhjeve ka qenë Kryetar i këshillit të qarkut Kukës.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në zbatim të planit operacional për kapjen e shtetasit në kërkim Abedin Oruçi, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, ditën e djeshme kanë organizuar punën dhe shkuar në ambientin e lokalit në pronësi të tij.

Në momentin që punonjësit e Policisë kanë hyrë brenda ambientit, persona të afërm të këtij shtetasi janë konfrontuar fizikisht me punonjësit e Policisë.

Shtetasi Abedin Oruçi, duke përfituar nga ky fakt dhe duke i kanosur me armë zjarri punonjësit e Policisë, ka mundur të largohet.

Në përfundim të veprimeve procedurale në lidhje me ketë ngjarje, u arrestuan në flagrancë të shtetasit:

E. O., 32 vjeç, G. O., 34 vjeç, B. M., 35 vjeç, E. M., 18 vjeç, Z. Sh., 19 vjeç dhe B. D., 48 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” kryer në bashkëpunim dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

U proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasit:

R. S., 22 vjeç, A. S., 18 vjeç, G. O., 50 vjeç, I. O., 28 vjeç dhe R. S., 21 vjeç, banues në fshatin Mamez dhe në Kukës.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim policor shtetasit Abedin Oruçi, 54 vjeç dhe  P. O., 46 vjeç, banues në Kukës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *