• April 20, 2024 12:28 pm

Çobanët kanë nji dozë filozofie në mendimet e tyne, sepse kanë kohë të mjaftueshme për me mendue e me reflektue për jetën.

Kështu pata dëgjue nga nji koleg gjerman shumë vite ma parë. Dhe me të vërtetë, tue kërkue në terren, siç bajnë zakonisht gazetarët, nji çoban nga Çaja më la pa mend me subjektin që po e tregoj në vijim:

Nji hajn shkon e vjedh kotecin e nji katunari i cili nuk kishte pasuni tjetër. Katunari u mërzit shumë po nuk tha gja. Ti vodhën pulat, i thanë mileti të nesërmen, e ai përgjigjet: i kanë vjedhë, i kanë vjedhë. As nuk e nemi hajdutin e as nuk e mallkoi. Edhe nji herë mileti po i thonë: heu, bre qysh ti kanë vjedhë pulat!?

Ai prapë tha: i kanë vjedhë, i kanë vjedhë. N’kët çast hajdutit i dolën pupliat e pulave në ftytë, dmth në të dyja faqet, edhe, kah po shkon nëpër vend, tan mileti keshin me ta, qysh me u ba njeri kryepuli. Tue lypë derman për kët shëmtim që e gjet, shkon edhe pyet nji mentar të krahinës: pse mu ba ftyra me puplia dhe qysh mundem me i heqë. Eh, ti i ke vjedhë kotecin noj katunari, e ai nuk të ka ndëshkue me mallkim e as me t’shame, prandaj tu kanë mbi pupliat n’faqe, tha njeriu i mençëm. Kam vjedhë krejt katunin po nuk jam ba kryepupli kshtu, tha hajduti. Ke vjedhë, por në vjedhjen e fundit katunari ia la zotit gjykimin për ty (njëjtë si me ia lanë gjykatës nji problem e mos me ba vetgjyqësi, mendova atypëraty), e zoti shiko çka të bani. Qysh mundem me i heqë pupliat?,e kishte pyet. Duhet me shkue e me u mshelë tri dit e tri net në kotecin e katunarit e me knue si gjel sabahpërsabah, edhe ke me i thanë katunarit me ti shkulë me dana thonjë e dorës së djathtë… (Mos!, mos më thuej se i ishin rritë edhe thojtë, – për pak desh ndërhyna prej padurimit).

Ndërsa dëgjoja me admirim këtë mesele, i thashe se sipas kësaj logjike të tan politikanët e vendit që janë pasunue tue vjedhë duhet të ishin faqepuplia, po në fakt i kanë faqet kuq e kuq prej shnetit e gishtat e duerve… Çobani më pa me nji nënqeshje të çuditëshme, dhe nuk do ta besoni çka më tregoi:

– Kam ra nji ditë n’pazar për do punë dhe hyna në kafe me nja trekatër të njofshëm. Si nejtëm nji copherë tue pi kafe e tue ba muhabet, nji prej nesh u çue tue thanë: po shkoj pak me takue do deputetë, e unë mendova për njitroherë se mos ka përjashtë deputetë që presin, krejt pa lidhje mu duk, po ai po shkonte në banjo me ba shurrën. Si u kthey i pari, i dyti u çue tue thanë se po shkon në presidencë. Mendoj se njerëzit e kanë ba ndëshkimin në mënyrën ma origjinale (me vetgjyqësi, mendova prapë atypëraty) për hajnat e thesarit, për hajnat e tenderave, për hajnat e bankave, për hajnat e votave… E, tash do më falësh pak se po shkoj me takue…

Marre nga Facebook e autorit

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *