
Përkeqësimi i situatës së infektimeve me variantin Delta të Covid-19 si dhe rritja edhe e numrit të vdekjeve, duket se nuk ka frenuar fluksin e qytetarëve të Kosovës për të vizituar Shqipërinë.
Përveç atyre që vijnë për pushime më të gjata, një pjesë e konsiderueshme vijon të shfrytëzojë fundjavën.
Të pyetur mbi situatën pandemike tek të dy vendet, qytetarët e Kosovës, jo vetëm që nuk kanë frikë, por ende shprehen se virusi është sajesë.
‘Për çfarë të kemi frikë, Zoti kur na ka fal… Vaksinat nuk i kemi marrë, jemi në pritje’, thotë një pushues. ‘Nuk ka virus, veç fjalë janë këto’, thotë një tjetër. ‘Frikën e kemi, por nuk kemi ku ikim, si këtu, si atje, njëlloj është’.
Mes personave që nuk kanë frikë janë edhe ata që janë vaksinuar tashmë.
Krahasuar me sezonin e kaluar, numri turistëve kosovarë që kaluan dhe vijojnë të vijnë për pushime në bregdet është shumë i madh përshirë këtu edhe të turistëve të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.