• Wed. Apr 24th, 2024

FOTO/ Arkeologu kuksian Luan Përzhita dekretohet Rektor i Studimeve Albanologjike

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar emërimin e Prof. Dr. Luan Përzhita, Rektor të Studimeve Albanologjike.

Me anë të një ceremonie solemne, të organizuar sot në institucionin e Kreut të Shtetit, në prani të Ministres të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj.Evis Kushi, të akademikëve dhe personaliteteve të shkencave albanologjike, Presidenti Meta i dorëzoi dekretin e emërimit Prof. Dr. Luan Përzhitës, duke i uruar suksese në detyrën e lartë dhe të rëndësishme.

Presidenti Meta thekson rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të shkencës të Albanologjisë, që ka pasur një rol thelbësor dhe të jashtëzakonshëm në konsolidimin e kombit shqiptar, si dhe në lindjen dhe formimin e shtetit shqiptar.

Për Kreun e Shtetit, mbështetja më thelbësore dhe me vizion e shkencave albanologjike është jetike për forcimin e rrënjëve dhe identitetit tonë kombëtar.

Prof. Dr. Luan Përzhita, ka lindur në Kukës dhe edukimin e ka marrë në këtë qytet.

Më pas ka përfunduar shkollën në Shkodër në vitin 1980 dhe nga viti 1982 është arkeolog në Institutit e Arkeologjisë në Tiranë.

Ai është Profesor i Arkeologjisë së Antikitetit në Fakultetin e Historisë në Universitetin e Tiranës në Programin Master dhe në Qendrën Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike në nivelin Master dhe PHD.

Profesor i ftuar për leksione mbi Arkeologjinë e Ballkanit nga Universiteti Sarbones IV, Universiteti Lion 2, Universiteti Barit, etj.

Jetëshkrimi i profesorit Luan Përzhita:

Që prej vitit 1982 punon si arkeolog në fushën e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës në Institutin Arkeologjisë, Tiranë. Ka kryer disa studime dhe kërkime jashtë Shqipërisë si në Francë, Itali, Greqi etj.

Kordinator në Shkollën Doktorale të Arkeologjisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Profesor i Arkeologjisë në Akademinë Studimeve Albanologjike në nivelin Master dhe PHD.

Profesor i Arkeologjisë Mesjetare të Ballkanit dhe i Arkeologjisë së Europës Juglindore në Universitetin e Prishtinës.

Profesor i ftuar për leksione mbi Arkeologjinë e Ballkanit nga Universiteti i Sorbonës IV.

Profesor i ftuar në Universitetin  Lion 2, Francë.

Profesor i ftuar në Universitetin e Barit etj.

Kontributet e deritanishme dhe interesat e tij shkencore janë të përqendruara në temat mbi periudhën e Antikitetit të Vonë në Provincën Dardane dhe atë të Epirit të Vjetër.

Ka lëvruar tema të tilla që lidhen me situatën e ndryshimeve dhe transformimeve urbane të provincave, procesin e kristianizimit, fortifikimet si dhe ka kontribuuar për njohjen e tyre në shtypin ndërkombetar.

Ka kryer 70 ekspedita arkeologjike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi. Ka drejtuar gërmimet arkeologjike për periudhën antike të vonë në Shqipërinë Verilindore (vitet 1983-1991; 1999-2005). Gjatë viteve 1994-2007 është Bashkëdrejtues i Projektit të përbashkët shqiptaro-britanik në Diapor  (Butrint). Gjatë viteve 2000-2008 ka drejtuar projektin “Kërkime Arkeologjike në Kosovë”, ndërsa në vitin 2008 ka drejtuar Projektin e Kalasë së Tetovës në Maqedoni. Po ashtu është drejtues i projektit Via Lissus-Naissus në Antikitetin e Vonë (Lezhë – Nish).

Ka botuar 12 monografi: me tematike nga kërkimet paleobizantine në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë.

Ka shkruar mbi 65 artikuj në revista shkencore të botuara në Shqipëri, SHBA, Britani e Madhe, Francë, Itali dhe Kosovë. Ka marrë pjesë në mbi 55 simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ka mbajtur detyra si:

Drejtor i Institutit të Arkeologjisë

Kryetar i Komisionit të Etikës në Akademinë e Studimeve Albanologjike

Kryetar i Këshillit Shkencor (IA)

Anëtar i Komitetit Kombëtar të Arkeologjisë në Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë

Anëtar i Këshillit Shkencor në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë

Anëtar i Bordit Butrinti – UNESCO

Kryeredaktor  i Redaksisë së Revistës Iliria

Kryeredaktor i Këshillit Botues të Revistës Candavia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *