
Historia flet se e mori emrin ‘Ura e Vezirit’ për nder të Mehmet Pashë Bushatit, Vezir i Shkodrës.
Gjatë një udhëtim për në Kosovë u prit në një darkë nga paria e zonës, në shtëpinë e Halil Agë Sakatit.
Në takim iu kërkua Vezirit, ndërtimi i një ure mbi lumin Drin të Bashkuar. Punimet zgjatën 7 vjet, ishte 200 m e gjatë dhe 7 harqet ishin të madhësive të ndryshme dhe ku pika më e lartë, 20 metra nga shtrati i lumit.
Ajo u bë nyja kryesore lidhëse e rrugëve më të mëdha si ajo Shkodër- Prizren, Shkodër- Gjakovë dhe rruga Fandë- Qafë Kumbull- Shkodër etj.
Në kujtimet e veta, Edith Durhan (1909) shkruan:
‘Ura e Vezirit, një urë madhështore me shtatë harqe, të gjitha të ndryshme, por efekti në tërësi ishte i mahnitshëm. Ajo është një vepër e një artisti të madh, sepse nuk mund të parafytyrohet gjë më e harmonizuar, me panoramën për rreth’.
Në 1914, forcat serbe, në rrugëtimin pushtues drejt Shqipërisë, të ndjekura nga ushtritë austro- hungareze, e minuan dhe e shkatërruan pjesërisht, duke e bërë të pakalueshme.
Në 1968, mbi strukturën e gurtë, u vendos një urë druri për të lidhur me rrugë automobilistike qytetet Krumë, Kukës. Kjo shënoi shkatërrimin e dytë.
Në 1978, u shkatërrua përfundimisht me tritol, si rezultat i ndërtimit të Liqenit dhe hidrocentralit të Fierzës.
Shkroi Liridon Cenaj