Isuf Fejz Rata, lumjani që i kalli datën sigurimit jugosllav –Shkruan Lavdrim Rata

Ishte fundi i viteve 40′, kohë të errëta,

ku terrori dhe mjerimi komunist e kishin mbërthyer për gryke Shqipërinë. Kolera e kuqe po injektohej dhunshëm gjithandej. Vendi kishte marre një hije të rëndë.

Me 8 nëntor të vitit 1949, në kulmin e asaj shtrëngate të frikshme represioni, Kolesjani do të zgjohej nga zhurmat ulëritëse të një ngjarjeje të pazakontë, që do t’i habiste të gjithë. Familja shtatë anëtarëshe e Fejz Sinan Ratës kishte marrë arratinë. Në fshat kishte rënë heshtja. Një heshtje kobndjellëse.

Para se t’ia mësynin rrëpirave të malit, ata i kishin dhënë lamtumirën e fundit vatrës stërgjyshore me anë të një darkë “solemne”, duke lënë sofrën shtruar.

Sofra shtruar ishte simbol i fortë i qëndresës, ku ikjet duke lënë bukën në sofër paralajmëronin kthimin.

Krahas Fejzës dhe bashkëshortes së tij Fatimes, në atë udhëtim të trishtë ishin dhe 3 djemtë e tyre Isufi, Sinani (me bashkëshorte) dhe Haqifi. Më e vogla e shtëpisë, Zurija, ishte vetëm 12 vjeçe. Në atë furi të tërbuar të motit edhe ajo do t’i mbathte opingat e vockla e do të merrte malin pa ditur se ç’fat po kërkonin.

Zurija po ndahej përgjithnjë me vendin ku kishte lindur,  me bashkëmoshatarët e saj, duke lënë pas krejt gëzimet e hidhërimet nëpër lëndinat e fshatit, rrugicat dhe votrën e ëndrrave të saj.

DITA E MBRAMË NË TOKËN AMË

Si çdo ditë tjetër, edhe ditën e 7 nëntorit ata e kishin nisur si zakonisht. Madje, për të mos krijuar ndonjë dyshim rreth e rrotull për planin e arratisjes, kishin dalë nëpër ara për të mbledhur kashtën. Për këtë kishin marrë edhe një mushkë tjetër nga një kushëriri i tyre. Planin sekret dhe të rrezikshëm e dinin të gjithë të rriturit e shtëpisë, përveç vogëlushes Zurije.

Në mbrëmje, kur kishte rënë muzgu, ishin mbledhë për herë të fundit rreth sofrës dhe kishin provuar të merrnin një gojë bukë. Por, askush përveç Zurijes, nuk e kishte prek dot me dorë. E si mund të kapërdihej ajo kaçore bukë në një natë ikjeje si ajo. E ndërsa e vogla e shtëpisë ende përtypte kafshatën e fundit të bukës në tokën amë, ata u ngritën vrik, mblodhën ato pak plaçka që do të merrnin me vete në të ardhmen e panjohur dhe numëruan hapat që do i shpinin larg, shumë larg!

UDHËTIMI PËRMES VDEKJES, DREJT LIRISË…

Sipas një rrëfimi të djalit të tij Isufit vite më vonë, pasi kishin lënë shtëpinë, vetëm disa metra më tutje, babai i tij Fejza, ishte kthyer edhe një herë mbrapsht. Ai ishte ulur tek pragu i shtëpisë, për të ndjerë edhe njëherë të fundit emocionin, aromën e votrës dhe peshën e gurëve të sokakut, prej një ikjeje që të kallte shpirtin.

Moti atë natë dukej premtues. Kështu ata u nisën dhe i morën njëra pas tjetrës të gjitha kodrinat e luginat e malit, të cilat, përveçse të mbytura në mjegull, përbrenda zgafellave të tyre strehonin gjithëfarë gjindesh e egërsirash.

Kur ishin ngjitur në një lartësi të konsiderueshme, moti papritur kishte filluar të jepte shenja përkeqësimi. Bashkë me motin e keq ata kishin filluar të jepnin shenja lodhjeje. Ndërsa Zurija e vogël kishte filluar të rënkonte nga i ftohti.

Udhëtimi po i shpinte hap pas hapi tek ”Trekëndëshi i Bermudes“,  Malit të Kallabakut, shteg i cili u bë më pas një rrugë e ndritshme, si “Rruga e Shpresës”, ku dhjetëra guximtarë u arratisën prej ferrit komunist deri kur mortja dha shpirt në fund të viteve 90′. Jeta e tyre do të kalonte nëpër fije të perit, jo vetëm nga syri vrojtues i rojeve kufitare, por dhe për shkak të egërsisë së motit i cili atje arrinte kulmin.

Nëpër errrësirën e natës, mjegullën e dendur, të ftohtin që iu kishte prekur ashtin, stuhinë e fortë të erës, shiut e borës, rraskapitjen, si dhe me shpirtin ndër dhëmbë të Zurijes, ata u gjenden mu në zemër të “Malit të Kallabakut”. Në momentin që po i afroheshin kufirit, ata u pikasën nga rojet e kufirit, të cilët hapën zjarr menjëherë.  Zjarrit të tyre iu përgjigjen me zjarrin e një pushke që mbanin me vete. Kali që i shoqëronte u tremb nga të shtënat dhe ashtu i ngarkuar, bashkë me Zurijen hypur mbi të, u iku duarsh. Ndërkohë që djali i madh Isufi ishte vendosur në prapavijë duke u berë presion forcave të ndjekjes, të tjerët u turrën për të ndalur kalin por nuk mundën dot se ishin të këputur nga lodhja. Vetëm disa metra më tej ata arritën të gjen trupin e vajzës se vogël të cilën e kishte hedhur përdhe kali në ikje.  Zurija nuk u përmend më. Ajo ia fali shpirtin tokës amë.

Piskama e nënë Fatimes drejtuar të bijës , atë natë nëntori të acartë, jehoi në të gjitha bjeshkët, por atë nuk e dëgjoi Zurija. Zemra e saj kishte pushuar së rrahuri përgjithnjë. Trupin e saj të ngrirë, ashtu dorë më dorë, arritën t’a kalonin përtej kufirit.

Në agimin e 8 nëntorit, ata u gjendën në rrethinat e Krushës në Sharr te Kosovës. Babai Fejza, që deri në atë çast nuk kishte dhënë shenja ligështimi, i kishte rënë çehrja e vdekjes. Afër një lisi me shenjë, me tytën e pushkës dhe disa degë drunjësh, filluan të rrëmonin varrin ku do prehej Zurija. Në momentin që e kishin shtrirë trupin e Zurijes dhe po bëheshin gati ta mbulonin me dhe, Isufi, vëllau i Zurijes, i ishte hedhur trupit sipër, dhe nuk i shqitej. Ai donte të varrosej i gjallë bashkë me të motrën. Ndërkohë që ishin ngjirur e mpakur nga keqja, papritur aty ia mbërriten forcat e kufirit jugosllav. Sa hap e mbyll sytë ata u hodhën si ujqër mbi ta. Isufi, që ishte mësuar t’i zgjidhte situatat me qitën e pushkës dhe për më tepër duke menduar se kishte prekur lirinë tentoi të zgjatej mbi pushkë, por ata e shembën brinjësh. Që nga ai moment Isufi do vihej në shenjestër të organeve të sigurimit jugosllav si i padëshiruar.

Mes dhimbjes dhe pikëllimit të papërshkruar, tashmë familja e Fejzës e mbetur me 6 antarë, do të detyrohej të vazhdonte udhëtimin e ferrit me trupin e Zurijes mbetur në Malet e Sharrit.

KOLESJAN, 8 NENTOR  1949

Të nesërmen e 8 nëntorit, në të gdhirë të natës që do mbetej në histori, kur në fshat u mor vesh lajmi për arratisjen e tyre, të gjithë u bënë zehër nga e keqja. Të parët që u turrën me vrap drejt shtëpisë, për të parë se çkishte ngjarë ishin kushërijtë. Ende pa mbërritur, përmbi oxhakun e kullës, vunë re disa shtëllunga të vogla tymi. Për një çast menduan për ndonjë lajm të rremë, por jo! Thirrjes së tyre drejtuar të zotit të shtëpisë Fezes, nuk do t’i pergjigjej më askush. Kur hynë brenda dhe panë të gjitha dyert e hapura, u tronditën. E vetmja frymë e mbetur në atë shtëpi, ishte ajo e një maceje të trembur që dukej sikur vajtonte ikjen e tyre. Zjarri ende nuk kishte dhënë shpirtë.

Sipas një tradite te moçme lumjane, ata që detyroheshin të braktisnin trojet e tyre, para se të iknin, kujdeseshin që zjarrin ta linin të ndezur, sofrën e shtruar dhe dyert e hapura. Edhe ata ishin kujdesur dëshpërimisht të bënin të njëjtën gjë.

Por dyert në atë shtëpi do të kyçeshin përgjithnjë. Tymi mbi oxhak nuk do të dukej më kurrë. Oxhaku pa zjarr, pa njerëz, dokurdo është një votër e shuar. Votrës së Fejz Sinan Ratës, atë natë iu shua zjarri, por nuk iu shuan ëndërrat, shpresat për liri. Vetëm se për të arritur drejtë saj, duheshin kapërcyer male të tëra me vuajtje, deri në flijim!

MOTËR SHEFIJA DHE NIPI EKREMI

Të vetmit që atë natë nuk iu bashkuan atij udhëtimi, qe e bija e Fejzës, Shefija, dhe nipi i tyre Ekremi. Shefija atë botë ishte e martuar. Por, kur kishte marr vesh lajmin, e kishte kapur vaji. Dhe në vaj e trishtim jetoi për gjysëm shekulli.  Dhe për gjysëm shekulli ajo nuk e ndali këmbën. Ajo vinte dhe ulej gjithmonë mbi gërmadhat e shtëpise dhe vajtonte të dashurit e saj, për të cilët nuk kishte asnjë lajm.

EKREMI

Nipi i Fejzës, Ekremi, qe vendosur te dajët në Kolesjan, pasi i kishin vdekur të dy prindët e kishte mbetur jetim. Edhe ai e dinte planin e arratisjes, por kishte refuzuar të bashkohej me ta, me arsyetimin se nuk mund t’i linte trojet shkretë. Dhe në përpjekje për t’i ikur rrezikut, disa ditë  para se dajët të arratiseshin, kishte marrë bagëtitë dhe ishte nisur për t’i dimëruar në fushë.

Ai kurrë nuk do ta imagjinonte ferrin që regjimi kumunist kishte rezervuar për të.

Kalvari i vuajtjeve dhe përsekutimit komunist  ndaj Ekrem Peposhit, nipit të Fejz Sinan Ratës, është i pa krahasueshem me asnjë histori tjetër terrori në krahinën e Lumës. Jo vetëm nga burgosja dhe përndjekja mizore që i bënë, por edhe nga rezistenca qe ky burrë Lume u bëri per gjysëm shekulli.

Ai mbeti deri në fundin e jetës së tij i pamposhtur, trim e guximtar i pashembullt. Ekremi qe një nga ata burra lumjan, që në perpjekjen titane për të qenë i lirë dhe i pavarur, humbi pothuajse gjithçka, por fitoi kryelartësinë, virtytin më emblematik të burrave të Lumës.

GJILAN, 1953

Që nga hyrja në Jugosollavi, familja e Fejz Ratës do të vihej në shënjestër. Në fillim ata u vendosën në Prizren, por duke e ditur se në Prizren ishin të përqëndruar një pjesë e madhe e të arratisurve nga Shqipëria dhe me qëllim që të mos kishin asnjë kontak me ta, atoritetet jugosllave vendosën t’i transferonin në juglindje të Kosovës, Gjilan. Megjithatë, Isufi, djali i madh i Fejzës edhe atje do të bëhej problem. Jo vetëm se ai dhe familja e tij nuk kishin pranuan të bëheshin vegël e tyre, por kishte filluar t’u hapte telashe. Në korrikun e vitit 1953 , dy oficerë të sigurimit jugosllav i trokitën në derë. Gjatë marrjes në pyetje, në një nga ndërtesat e hetuesisë në Gjilan, ai arrin të arratiset duke u hedhur nga dritarja. Forcat e ndjekjes iu vunë pas. Ai ishte fshehur për orë të tëra në një parcelë misri, deri sa kishte rënë errësira. Pasi del nga aty drejtohet tek një miku i tij, Kolë Bajraktari, për të siguruar ndonjë armë. Forcat e sigurimit jugosllav tashmë i kishin shtuar radhët dhe ishin vënë në ndjekje të tij. Në orët e mbrëmjes të ditës tjetër, Isufi arrin të depërtojë deri në afërsi te fshatit Livoç i Epërm të Gjilanit. Aty ai vihet re nga forcat e ndjekjes të cilët hapin zjarr, po për Isufin që kishte lindur në zjarr, e kishte ikur prej zjarrit në zjarr, zjarri i pushkës për të ishte në fakt “arti” i tij. Në atë shkëmbim zjarri, Isufi la të vrarë tre oficerë të lartë të sigurimit serb. Prej atij momenti atij nuk do t’i dukeshin më gjurmët. Ai jo vetëm kishte mundur të dilte përtej zonës së rrezikut, por kishte mbërritur larg.

Ai ishte afruar kufirit shqiptar por nuk kishte mundur të depërtonte, kështu që mori drejtimin kah Maqedonia. Nga atje ai do të arrinte të kalonte në Greqi dhe prej aty do të ikte në Britaninë e Madhe.

Isufi vërtetë ia doli të shpëtonte e të prekte lirinë e vërtetë, por famija që mbeti pas u përball me dhunën dhe presionin e forcave jugosllave. Madje në telashe nuk ishte vetëm familja e Isuf Fejzë Ratës, por të gjithë familjet e emigrantëve shqiptarë që aso kohe jetonin në Anamoravë. Hysni Peposhi nga Lusna e Lumës, i arratisur në vitet e para të komunizmit dhe i vendosur në Viti, do të rrëfente vite më vonë se dhuna dhe presioni që regjimi serb bëri ndaj emigrantëve lumjanë në vitin 1953, pas vrasjes se tre oficerëve të sigurimit jugosllav nga Isuf Rata qe i madh. Ata filluan të mbanin takime te rregullta me emigrantet, gjoja për t’i edukuar, duke iu thënë se, “ne po u japim bukë, ju po na jepni plumba“.

Disa kohë pas ngjarjes se korrikut 1953, familja e mbetur e Fejzë Sinan Ratës arriti të largohej përfundimisht nga Gjilani për t’u vendosur në Belgjikë.

ATENTATI NË LONDËR

Isuf Rata tashmë ishte vendosur në Britaninë e Madhe. Ai kishte fituar lirinë dhe po provonte të gjente edhe qetësinë. Jeta e tij kishte qenë gjithmonë e trazuar dhe ai e ndjente se qetësia ishte një gjendje e vështirë për t’u arritur. Tashmë ai kishte nga pas sigurimin komunist sllav dhe atë shqiptar, por besonte fort se në vendin e lirisë, në Britani, do gjente dhe qetësinë. Koha tregoi se dora e sigurimit jugosllav do të zgjatej edhe atje në Londër. Në vitin 1978, ndërsa kishte lënë apartamentin dhe po drejtohej për në parkun e qytetit, e ndjeu se prapa tij lëvizte një person i dyshimtë. Kur e nuhati se po ndiqej, theu rrugën dhe mori tjetër drejtim. Atentatori kur e pa manovrën e tij, nuk vonoi dhe nxori revolverin. Por Isufi, i cili rrinte gjithmonë i armatosur u tregua më i shkathët dhe e zbrazi revolverin mbi të, duke e lënë të vdekur në vend. Hetimet e mëvonshme të policisë britanike zbuluan prova, dëshmi dhe fakte se atentatori ishte agjent i UDB-së. Pas disa kohësh në burg, Isuf Rata u la i lirë sërish.

BRUKSEL, KOLESJAN 1991

Më 20 shkurt të vitit 1991 themelet e diktaturës komuniste filluan të shembeshin. Momenti kur statuja e diktatorit atë ditë të ftohtë shkurti u rrëzua përdhe, për shqiptarët do të shënonte fundin e një epoke të errët. Motër Shefija që këto ngjarje i ndiçte gjithë sy e vesh nuk përmbahej dot nga gëzimi. Ajo e kishte pritur prej pothuajse gjysëm shekulli këtë ditë. Ndërkohë që diktaturës po i binin simbolet njëra pas tjetrës, Shefijen nuk e zinte vendi vend. Ajo bashkë me djalin e vogël Nezirin, arritën të siguronin disa dokumente dhe gjysëm ilegalisht u nisën pa humbur kohë drejt Brukselit, aty ku jetonin dy prej vëllezërve të saj, Sinani me Haqifin.

Në aeroport për ta pritur kishin dalur të gjithë. Përqafimi i tyre plot emocion, mall, lot e dhimbje, tërhoqi dhe vëmendjen e kalimtarëve në aeroportin e Brukselit. Megjithëse familja e vitit 1949 prej 7 anëtarësh, ishte shtuar shmëfish; me djem, nipa e mbesa, në atë pritje qielllore, mungonin tre njerëz shumë të rëndësishëm, babai Fejza, nënë Fatimja dhe motra Zurija! Dy prindërit e Shefijes kishin ndërruar jetë disa vite më herët, ndërsa e motra Zurija tretej prej 40 e sa vjetësh në malet e Sharrit. Menjëherë pas Brukselit të gjithë së bashku u nisën në atdhe. Në Kolesjan te votra ku kishin lindur, filluan të qanin me ngashërim dhe të kujtonin gjithë kalvarin e vuajtjeve gjysëmshekullore. Takimi me nipin Ekremin ishte edhe më emocionali. Para tyre shfaqej si në një film autobiografia e pabesueshme e një familjeje që u shtri në kohë dhe koordinata gjeografike të jashtëzakonshme për atë periudhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *