• Fri. Apr 26th, 2024

Jeteshkrimi i patriotit Tahir Kolgjini, i njohur si Hafuz Tahiri

Jeteshkrimi i patriotit Tahir Kolgjini, i njohur si Hafuz Tahiri.

Nje nga lumjanet me te njohur dhe te zgjuar!

U lind ne vitin 1903 në katundin Lusën të Lumës më 24 prill nga prindët Ali Osman Kolgjini e Qamile Sadik Tota nga katundi Vilë. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje. Mësuesi i parë i tij ishte hoxhë Mulla Ademi nga rrethi i Shkupit.

1913: Dy javë para se ushtria serbe të pushkatonte 75 vetë nga katundi Lusën, familja e Tahir Kolgjinit niset me një anije austriake për në Stamboll. Gjashtë muaj ma vonë, kur Luma, me përjashtimin e disa katundeve, i ngeli Shqipnisë, baba i tij, Aliu, e ktheu familjen në Shqipni, Tahirin e mbajti në Stamboll për të vazhdue shkollimin.

1915: Kreu studimet ne shkollën Sulltan Mahmut. Mandej u regjistrue në Medresën Darulhilafetulaliyye, ku vazhdoi studimet deri më 1924.

1924: Mbas mbarimit të studimeve, u kthye në vendlindje. Në vjeshtë të këtij viti, u emru mësues në shkollën fillore të katundit Kolesjan.

1925-1926: Transferohet si kryemësues në Bicaj.

1927-1928: Kryemësues në Lusën.

Në fund të vitit 1928 transferohet në Kukës, e mandej në Tiranë. Një kohë të shkurtër emnohet si sekretar i gjyqit në Himarë.

1929: Në prill 1929, me rasën e organizimit të ri të drejtësisë, transferohet si sekretar i Gjyqit të Shkallës së I-rë në Kukës.

1932: Në nëntor kandidon për deputet dhe fiton votat, por administrata e vendit, e shtërngueme nga Tirana, nuk e zbatoi ligjin, e në këtë mënyrë u banë deputetë pa fitue, kanditatët e vendosun prej Tiranës.

1933: Merr pjesë në nji parti politike ilegale. Këshilli Ministror mbasi merr informata mbi këtë, vendos internimin e tij për nji vit në Porto Palermo, me motivimin propagandist i rrezikshëm në dam të regjimit. Arrestohet dhe futet në burgun e Kukësit. Mandej, dërgohet në Porto Palermo, ku plotëson kohën e internimit.

1934-1939: Kthehet në Kukës, ku hap nji shkrojtore dhe merret me shërbime private.

Maj 1939: Ftohet në Tiranë së bashku me parinë e vendit dhe i propozohet për me shërbye si Kryetar Bashkie në Kukës.

1941: Mbas shkatërrimit të Jugosllavisë, më 15 prill 1941, merr në dorëzim Bashkinë e Prizrenit, ku ktheu formalitetet në gjuhën shqipe në të gjitha instancat. Detyrën si Kryetar i Bashkisë së Prizrenit e kreu deri në fund të tetorit 1941.

Nentor 1941: Në kontakt me klerin mysliman Prizren – Gjakovë – Krumë, dhe, në bashkëpunim me hafiz Abdullah Telakun, organizoi Kongresin Musliman për “vendet e lirueme”, i cili kërkonte që komuniteti musliman të gëzonte liritë e autonomisë fetare që kishte pasë ma herët, pavarësisht dispozitave ligjore të nxjerra nga administrata e kohës, të cilat Kolgjini i quente laike.

Po ne vitin 1941: Kthehet Zavendës Prefekt në Kukës.

1942-43: Emnohet Prefekt i Klasit I në Gjirokastër e ma vonë në Prishtinë. Gjatë kohës që ishte prefekt i Prishtinës dhe Gjirokastër dhe ma vonë drejtor i përgjithshëm i policisë së Shqipnisë, u ka shpetue disa atentateve të organizueme nga forcat komuniste shqiptare dhe serbe.

1942: Në cilësinë e Prefektit, u dërgoi nji letër zyrtare murgjve Teodoro Minisci dhe Flaviano la Piana me një notë të ashpër proteste, ku kërkonte pezullimin e menjëhershëm të përdorimit të greqishtes në liturgji…

1943: Anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Vjeshtë 1943: Përfundon detyrën si prefekt.

Fillim 1944: Ngarkohet me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqiperise.

Gusht 1944: Prefekt në Shkodër deri më 24 Nandor 1944 si dhe anëtar i Komitetit Kombetar.

24 nentor 1944: Së bashku me kapedanin e Mirditës, Gjon Marka Gjoni, len Shkodren, dhe mbas dy muejsh mbërrin në Vjenë, prej nga në prill 1945 shkon në Itali.

1945-1948: Refugjat politik në Itali, Reggio Emilia.

1948: Emigron në Turqi (Stamboll), ku çdo aktivitet i tij ishte nën survejim të Sigurimit të Shtetit dhe të UDB-së jugosllave, survejim që e shoqnoi derisa ndërron jetë.

1952: I ndihmuar nga shtatë shqiptarë të tjerë, hapi Shoqatën e parë të Miqësisë Shqiptaro-Turke.

1955: Botoi nji seri artikujsh mbi Shqipninë në gazetën turke Tan me pseudonimin Kadri Turgut. Në letrën që i dërgon M. Krujës me 7 tetor 1955, Kolgjini thekson që “nuk e din kush se cili asht autori”, dhe që tema kryesore e mbi njizet shkrimeve asht: “Mizoritë e kryeme prej grekve ndaj shqiptarve.” Ma parë kishte botue edhe në gazetën Şehir të Stambollit katërdhetë e pesë artikuj.

1957: Nis publikimin e punimeve letrare, historike e publicistike në revistën “Shejzat”, që e drejtonte Ernest Koliqi.

1961: Me pseudonimin Lok Limthi publikoi “Fjalët Turkisht në ‘Lahutën’ e Fishtës” botue si libër më vete në Romë nga “Shejzat”. Pseudonime të tjera që ka përdorë Kolgjini janë, DYLEJA, LL, Dashamiri, etj.

1968: Botoi në Stamboll studimin “Arnavutluk ve Yunanistan Gerçekleri” (Të Vërtetat Shqipare dhe Greke). Studim polemizues me qeveritarët grekë që pretendonin mbi Epirin.

1968: Botoi “Nji Pjesë nga Historia Kombetare: Luma dhe Luftat e Saja”.

1969: Botoi në Stamboll veprën “Shpalime rreth Lahutës” ku shpalon disa fjalë shqip të përdoruna në “Lahuta e Malcís”, punim leksikografik mbi fjalët e rralla të Fishtës, në epopenë “Lahuta e Malcis”.

1974: Në revistën “Shejzat” botoi artikullin “Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unjisuar. Dy dialektet kryesore dhe pikëpamja e jonë”. Ky asht shkrimi i parë ku kundërshtohet vendimi i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972 mbi imponimin e toskënishtes si standard i gjuhës së përbashkët shqipe. Kolgjini ishte i pari studjues që vuni në dukje, problemet socio-linguistike që imponimi i toskënishtes si gjuhë “e njësuar” do të shkaktonte në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në ish Jugosllavi.

1977: Botoi librin “Esat Pasha dhe akuzat q’i bahen”, studimi i parë që hedh dritë mbi figurën e errësueme të Esat Pashë Toptanit, dhe rrëzon të gjitha akuzat që i bahen Esat Pashës, dhe qysh në parathanien e botimit të parë (Esat Pashë Toptani dhe akuzat q’i bâhen, Stamboll, 1977), Tahir Kolgjni shpreh motivimin e tij për realizimin e kësaj vepre: “Në kët botë s’ka gjâ mâ t’idhtë se me të vûmë të pabâmen!”.

5 Tetor 1980: Paralizohet, dhe ndërpret punën si drejtor i fabrikës që e kishte pronë të veten në Stamboll, dhe pas nji përmirësimi të shëndetit iu kthehet publikimeve. Boton disa artikuj në revistën “Koha e Jonë”, që botohej në Firencë.

Vlen me theksu se gjatë jetës së tij, ka botue pa ndërpre artikuj të ndryshëm në mjaft organe të tjera si: “Lirija Kombëtare” në Tiranë, “L’Albanie Libre”, “Mundi i Ynë” që botohej në Bruksel si dhe artikuj të ndryshëm në gazetën “Vardari”, që botohej në Stamboll. Ai shprehet në jetëshkrimin e tij: “Atykëtu kam shkrue dhe artikuj, qi janë derdhmas e nuk meritojnë me u përmendun”.

1987: Pas katër dekadash ndarje e përmallimi për të dashtunit e tij në Shqipni, takon vajzën e vet, Sanijen, e arratisun nga Shqipnia komuniste familjarisht në vitin 1986, e cila, pasi emigroi në SHBA, shkoi për ta vizitue të atin në Stamboll së bashku me vajzën Anilën dhe djalin Ilberin; ky mbetet edhe kontakti i lamtumirës me pjestarë të afërt të familjes që e vuejtën ferrin diktatorial në Shqipninë komuniste gjatë gjithë jetës.

12 Dhjetor 1988: Ndërron jetë në Stamboll.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *