• April 19, 2024 11:45 am

Ka mbërritur shnosh e mirë-Nga Besjana Gërmizi

Jan 21, 2022

Kjo është fraza që e dëgjoja shpesh në vitet që kisha filluar të mbaj mend veten. Më pas me kohën kam arritur ta filtroj dhe ta kuptoj, e patjetër edhe ta vuajmë si plagë të shoqërisë mbarë, por edhe shoqërisë së ngushtë.

Ishin një familje e sapo formuar dhe Kishin një vajzë të vogël. Rreth viteve 2000 vendosën të iknin. Çdo gjë këtu u dukej bardh e zi, asgjë nuk shkonte mirë për ta. Një ditë ashtu neutrale, babi kishte marrë atë lajmin e shpeshtë, tha që kishin shku shnosh e mirë në Angli. Nuk ecnin shumë ditët dhe përmendte Greqinë, më pas Italinë, Amerikën.

Jo rrallë i përsëriste shtetet kur sillte të tillë lajmi, sidomos Greqinë. Na dukej sikur të gjithë kushërinjtë si të martuar e të pa martuar po iknin, po soseshin nga këtu. Natyrshëm pyesja, po ne, kur do ikim? Më dukej sikur ishte normale kjo ikja dhe s’kuptoja se pse ne po e vononim, kur do na vinte radha. E duket se jemi prej më shumë se 30 vitesh tashmë në radhë, por deri në fund do tregoj nëse do të rrimë në radhë apo jo.

Edhe shoqes sime të ngushtë, çdo vit anëtarë të familjes i iknin në Amerikë. Një ditë edhe ajo mungoi në klasë, në bankë dhe nuk u kthye më. Përveç se u mërzita, ky ishte edhe rasti i vërtetë që e ndjeva dhe kuptova se ç’po ndodhte me largimet e njëpasnjëshme. Unë si fëmijë që isha po mbetesha pa shoqe e shokë, pa kushërinj. Flisnim rrallë në telefon ose fare. Edhe telefoni për shumë vite binte te komshia deri sa u bë edhe lidhja e linjës në shtëpinë tonë. Kur merrnim vesh se dikujt i kanë dalë letrat, uuu, gëzoheshim pa masë.

E ndërkohë që rritesha edhe ikjet shtoheshin. Më në modë u shndërruan ikjet individuale. Djemtë, adoleshentë, që merrnin rrugët dhe ujërat e pa njohur. Rrisk edhe jetësor i ndërmarrë për një jetë më të mirë për ata vetë po, por edhe për familjet e tyre këtej. Hendeku që duhej të mbushnin e mbushin këtej është fillimisht vetëm jetik.

Këto vitet e fundit edhe destinacionet sikur janë minimizuar, preferojnë Londrën. Aq sa kanë filluar të ndërtohen edhe anekdoda, ‘Kukësi në Londër e Londra në Kukës’ etj. Frakturat e pa shërueshme ekonomike, të mundësive të kufizuara në përgjithësi, shënuan edhe disa vite të tjera eksod masiv që ndihmuan edhe njëherë me qindra familje të iknin sërish. Shumë prej tyre nuk patën atë që duhej më shumë me vete, fatin.

Siç tregojnë shumica e tyre, duke vuajtur ishin më parë këtu, akoma më shumë në këto vende kryesisht në Gjermani etj, në përpjekjet e panumërta për të qëndruar. Rikthimi pastaj rezultonte gati sfilitës, demoralizues e sidomos për fëmijët. Riintegrim në shkolla, shoqëri, fshat, qytet. Nga e para duhej të përshtateshin sërish këtej, herë të ndihmuar nga shoqëria civile e instancat përkatëse e herë jo. Tani ikjet familjare janë qetësuar por ato individuale janë tërbuar. Veç arsyeve të shumta nevojash që kanë, po i tërheq edhe trendi, dëshira thjeshtë për të ikur.

Kur bëhet pyetja klishe, po hë, a t’janë rrit fëmijët e ça janë bo? Vjen përgjigjja: ni vajzë të martume në Angli, dy djem në Angli, edhe i vogli do me shku, me shkolla të larta janë por…

Në vëzhgimet dhe intervistat që bëj si gazetare në shumë qytete e fshatra kuptoj me keqardhje që prindër në moshë kanë mbetë vetëm në shtëpitë e shndërruara tashmë në vila, por që pleqërojnë vetëm. Me makina luksoze në oborr por sërish prindër që pleqërojnë vetëm.

S’bëra gjë tjetër veçse një pasqyrim realiteti siç e shoh, ndjej, është dhe siç të gjithë e njohim. Është fakt se shfrytëzohet çdo mundësi si legale dhe jo legale për të ikur. Është fakt se janë të paktë ata që kanë zgjedhur për të mos ikur. Është fakt se janë krejt të paktë ata që kanë zgjedhur të ikin me idenë e rikthimit me dëshirë sërish këtu.

Përshkrova përciptas dhe duke kapërcyer me qindra raste a ngjarje fatale ose jo, në përpjekjet që bëhen për të ikur. Braktisja e vendit kuptohet në këto reshta se ka nisur nga arsyet jetike, themelore, ku përfshihen liria, ekonomia dhe e ardhmja më e sigurt. E historiku i braktisjes ka dëshmuar se këto arsye kanë ekzistuar duke anuar te njëra a te tjetra më shumë varësisht periudhave, që para viteve 90-të, menjëherë pas kësaj kohe si do ta cilësojmë, vitet pas 2000-ishit, 2015 etj, deri në ditët e sotme.

Ama në periudhën aktuale duket se ikin për arsyen e trendit. Mund të lënë dhe punën këtu për të ikur. Mbarojnë ose e lënë fare edhe shkollën sepse ikja është shndërruar në investim më vete dhe më e rëndësishmja. Nuk shfrytëzojnë çdo shans këtu, e nëse nuk arrijnë gjë të mbetet shans ikja. Jo, ikja, është ndër të parat mendime.

Dhe pse ikin kaq shumë këta të arsyes së trendit? Për ‘para’ të lehtë në thonjëza, për ‘para’ të shpejtë, në sasi, ama për ‘para’ që rreziku i kokës është i vazhdueshëm por që herë se kuptojnë e herë e kuptojnë. E ndonjëherë e kuptojnë vonë këtë rrezik.

Është fakt se unë nuk do ta shfrytëzoj kurrë këtë radhën time për të ikur, se ndryshe, kush do ta bëj këtë vendin tim.

(Kjo përr t’ju thënë stop ikjeve)
20 janar 2022

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *