
Një histori jo shumë e zakontë është zbuluar në qytetin e Kukësit.
Një 72-vjeçari i janë zhvatur në periudha të ndryshme kohore 12 milionë lekë të vjetra nga një bashkëqytetar që e akuzonte për raporte seksuale me të shoqen.
50-vjeçari Agron Nika, siç raporton “BalkanWeb”, është arrestuar nga seksioni për hetimin e krimeve të rënda, pasi në kohë të ndryshme nëpërmjet shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie i ka marrë 72-vjeçarit F. Gjici nga Kukesi, me profesion inxhinier, rreth 12 mln lekë të vjetra.
50-vjeçari akuzonte Gjicin se kishte pasur raporte seksuale me gruan e tij dhe në këtë mënyrë kishte turpëruar atë dhe fisin e tij dhe në formë shpagimi duhet ta dëmshpërblente duke i dhënë para.
Njoftimi i Policisë së Kukësit
Ndalohet 1 shtetas, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. N., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i tij u bë pasi shtetasi F. Gj. ka bërë kallëzim se në periudha të ndryshme kohore, nëpërmjet shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, shtetasi A. N. i ka marrë një shumë të konsiderueshme lekësh.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.