Keni gabuar rëndë. Këtu jeni në Kolesjan!- Nga Lavdrim Kolesjani*

Kolesjanin e keni patur aty gjithë jetën tuaj por nuk e keni marrë kurrë mundimin të vini as per “hajrë” as për “krye shnosh”.

Fshati ynë është përballur me një mijë e një halle këto vite, por ju as që jeni dukur ndonjëherë këtu. Ju nuk ia njihni as rrënjët, as rrugët, as zogjtë, as njerëzit.

Kolesjani ka patur dhe familje pa një strehëz mbi kokë dhe për këtë janë kujdesur të tjerët, nga Kosova e viset tjera. Janë bërë të afërt me vëllezërit tanë, duke u ofruar një strehëz, një shportë ne ushqime, një shpresë.

Ndërsa ju JO!

Kolesjani ynë i njëmijë halleve, por simbol i arsimit dhe kulturës nuk ka ende nje çerdhe e çatia e shkollës është bërë një shoshë që fut ujë në katër anët.

Para se ti merrni ujin fshatit tonë, fshatit tuaj, bëni diçka të hiqni ujin nga klasat e shkatërruara. Objektet historike janë shembur e rrënuar, por ju as që i dini ku bien. Zonjen Eni që e keni marr me veti për të bërë qoka avokatie në Kolesjan bëni mirë ta drejtoni ka shtëpia e gjyshit të saj, prijësit popullor të Lumës, Islam Spahisë, e ti japë një dorë kullës së tij e cila po bie.

Le të provojë të mos i trajtojë dajët e saj siç trajton ato të mjerët në “Shihemi ne gjyq”! Madje edhe kërkesën tonë për promovimin e himnit të Lumës “Luma Pushkë Lirie” vitin e kaluar e kaloi me një injorim të thellë, gati përbuzës. Ma gjasë kishte pandehur se i kam nisur ndonjë “dosje” problematike për të më mbrojtur në gjyq.

Zotërinj, ju jeni të mirë se ardhur të investoni në fshat kudo e kurdo. Kolesjani nuk eshte kundër jush. Po të doni ju’a jap dhe arën time.

Po ju me sa duket nuk keni ardhur këtu për hajër. Se po të vinit do kishit vepruar ndryshe. Ju i keni kopsitur punët tuaja dhe keni ardhë në fshatin e origjinës për të gjetur “të mjerë” në rrugën tuaj.

Keni gabuar rëndë. Këtu jeni në Kolesjan!

*Lavdrim Rata

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *