• April 23, 2024 10:03 am

Korife i mjekësisë shqiptare, Fadil Spahiu!

Prof. Dr. Xheladin Çeka
Dr. Fadil Spahiu lindi më 21.03.1926 në Kolosjan të Kukësit. Në përiudhën 1937-1943 ndoqi gjimnazin në Shkodër, Gjirokastër, Prishtinë; i detyruar të ndryshojë disa herë shkollën, pasi e arrestonin dhe përsëri e lëshonin, si pjesëmarrës në demostrata kundër qeverisë pushtuese italiane, apo si shpërndarës të trakteve antiqeveritare, çka bëri që në vitin 1943 të largohej edhe nga gjimnazi i Prishtinës.
Pas çlirimit punoi për pak kohë në qarkorin e rinisë së Kukësit dhe në vitin 1946 mbaroi gjimnazin në Gjirokastër. Menjëherë po në vitin 1946 filloi studimet për mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë dhe në periudhën 1948-1953 mbaroi studimet për Mjek i Përgjithëshëm në Institutin “Gorki” në Moskë.
Në periudhën 1954-1957 ndoqi aspiranturën në Bashkimin Sovjetik ku u speciaizua edhe për Ortopedi e Onkologji.
Në këtë kohë mbrojti gradën shkencore “Kandidat i Shkencave”. Drejtuesi i tij shkencor Prof. N.N.Bllohin në kohën e mbrojtjes së disertacionit u shpreh në artikullin që shkroi për të Gazeta Pravda e kohës: “Jemi të gëzuar që në Shqipëri kthehet kirurgu i aftë, i cili tashmë mund të kryejë në mënyrë të pavarur operacione të vështira në çdo pjesë të trupit”. Në periudhën 1957-1964 u kthye në Tiranë dhe filloi punën si mjek kirurg në Spitalin e Tiranës ku punoi me një dëshirë të veçantë për të krijuar klinikën e ortopedisë dhe falë aftësive të tij e krijoi menjëherë atë dhe emërohet shef i parë i kësaj klinike.
Krahas punës në klinikë ai shërbeu edhe si pedagog i Fakultetti të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës ku dha lëndët Ortopedi dhe Onkologji. Pas dy vjetësh u krijua dhe Klinika e Onkologjisë dhe të dyja këto klinika i drejtoi deri në vitin 1965. Këto ishin dhe vitet më të suksesëshme të punës së tij, ku ai krahas kësaj ishte dhe Kryeredaktor i Buletinit të Mjekësisë, që botonte Fakulteti i Mjekësisë dhe anëtar i këshillit shkencor të Universitetit. Në klinikëne e Ortopedisë dhe të Onkolgjisë që drejtonte Dr. Fadili filloi zbatimi i operacioneve në të gjithë nivelet, por k jo gjë nuk vazhdoi gjatë. Për të filluan të thureshin intriga e shpifje, të bëheshin raportime në organizatën e partisë. Mjeku Fadil Spahiu po etiketohej “armik i partisë” dhe filloi të ndiqej nga sigurimi i shtetit. Në vitin 1964 u përjashtua nga partia dhe u fut në burg për dy vjet. U lirua nga burgu dhe u internua për 10 vjet në rrethin e Gramshit. Për shkak të qëndrimit të tij, të konsideruara atëherë si antiregjim, u arrestua përsëri dhe u dënua me 18 vjet burg, që i kreu në burgjet e tmerrëshëm të Bulqizës, Martaneshit dhe Spaçit. U lirua më 1987, por pa të drejtë pune si mjek. U largua për në Rusi, ku kishte bashkëshorten ruse dhe djalin dhe ku punoi në Qendrën Onkologjike të Akademisë Mjekësore të Rusisë. Jeton në Tiranë.
***
Është koha kur sapo kam dorëzuar për botim punimin historik “70 vjet arsim mjekësor universitar shqiptar”, me të cilin Fakulteti i Mjekësisë këtë vit do të kremtojë ditëlindjen. Gjatë punës shumëvjeçare për këtë botim, kisha kuptuar se një nga figurat e rëndësishme dhe të atyre që hodhën themelet e Institutit të Lartë Mjekësor, sot Fakulteti i Mjekësisë ishte dhe Doktori i Shkencave Mjekësore, Fadil Spahiu. Ai kishte studiuar për mjekësi në vitin 1946 në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë dhe pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, i kishte vazhduar në Institutin “Gorki” në Moskë, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1953. Pas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri. “Në fillim punon si mjek i përgjithshëm në pavionin e tretë të spitalit civil të Tiranës, ku bie në sy puna e tij si kirurg. Ai kryente operacione të vështira dhe kjo bëri që emri i tij të bëhet i njohur shumë shpejt, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Pas pak kohësh transferohet në spitalin e Durësit, ku kryen edhe këtu operacione duke qenë mjek i përgjithshëm” (Kaloçi D). Ndërsa në vitet 1954-1957 u rikthye në Bashkimin Sovjetik dhe u specializua për ortopedi, ku mbrojti dhe gradën shkencore “Kandidat i Shkencave Mjekësore” (ekuivalentuar “Doktor i Shkencave Mjekësore” me VKM 351, 30.06.1993), si dhe për onkologji, pasi e kishte mbaruar para kohe disertacionin. Duke qenë kështu i pari “Kandidat i Shkencave Mjekësore” shqiptare i laureuar në Bashkimin Sovjetik (Doktor i Shkencave Mjekësore), me punimin shkencor të realizuar për herë të parë në botë me temë: “Zevendësimi i kyçit të bërrylit me protezë të brendëshme metalo-plastike tek njeriu, që ishte një ngjarje e rrallë për mjekësinë evropiane të kohës. Në këtë kohë Dr. Fadil Spahiu rikthehet në Shqipëri (në vitin 1957) si mjek i specializuar me dy specialitete: Ortopedi dhe Onkologji; ku themeloi dhe punoi për disa vite në dy shërbime: Ortopedi dhe Onkologji.
Por në vitin 1964 pushteti i kohës e largoi, internoi e më pas e burgosi!
Më mungonte informaconi për këtë figurë të mjekësisë shqiptare. Ndaj, i gjendur “i pangopur në mungesën e personazhit”, kërkova e ku s’kërkova informacion për mjekun e talentuar Fadil Spahiu. Do të mjaftohesha edhe me atë që të mund të gjeja të paktën një foto të tij gjatë veprimtarisë profesionale, pasi e vetmja foto që kisha mundur të siguroja, ishte e dobët. Dhe kjo jo thjesht për të njohur Dr. Fadil Spahiu, por fenomenin Spahiu, siç më ishte ravijëzuar në perceptimet e mia ky mjek i talentuar!
Dhe fati më erdhi! Dy miq të mi, Evis Karaj dhe mjeku Viti Demko, më japin një lajm gati të gëzueshëm: Fadil Spahiu ishte shëndoshë e mirë, në moshën 96 vjeç (datëlindja 21.03.1926). Madje më mundësuan dhe një takimin me të.
Më kërkuan çunat (Evisi dhe Viti) që të mund të takonim bashkë. Më kanë folur dhe për punën tuaj dhe për botimin që ke në proces. Por unë them që të njihemi njëherë, pastaj dhe bisedojmë, -më drejtohet Dr. Fadili.
Sapo e pashë, kuptova se kisha të bëja me një burrë shtatlartë, pak të përkulur përpara, por jo nga mosha. Mësova se kishte patur një dëmtim të kolonës vertebrore kohët e fundit dhe ende nuk ishte rekuperuar plotësisht. Për të cilën bënte not si të ishte një djalë i ri. Në kokë mbante një kapele të thjeshtë me strehë dhe nga tiparet që munda të dalloj, kuptova se me siguri në të ri do të kishte qenë një djalë i pashëm, me trup sportiv.
Nga je ti? – m’u drejtua.
Jam nga Peza, – i them.
Nga Peza e Babë Myslimit? – vazhdoi.
Po, – ia kthej.
E kam patur mik Myslim Pezën. Kur erdhi njëherë në Moskë dhe qëndroi aty rreth nja dy javë, kur unë isha student, kam ndenjur me të me orë e orë të tëra, për aq kohë sa Babë Myslimi qëndroi aty. Më tregonte shumëçka nga jeta e tij; nga jeta e luftëtarit dhe nga lufta e jetës. Kishte shumë eksperiencë jetësore Babë Myslimi. Biseda nga më konfidencialet bëmë me të, si formë e shfaqjes së miqësisë. Ndaj dhe me ty si pezak që qenke, mund të bisedojmë për çfarë të duash – më thotë.
Duke e lënë bisedën të rrjedhë, Dr. Fadili nisi të më rrëfejë…Rrëfen mjaft momente nga jeta e tij dhe posaçërisht, kur punoi si kirurg në Spitalin e Tiranës dhe për vitet më pas. Për veçoritë e punës në kirurgji, sukseset dhe karakterin që përfaqësonte. Kuptova se ai shpejt u bë një personazh i rëndësishëm i mjekësisë shqiptare, që binte në sy dukshëm. Madje ishte në vemendje dhe të udhëheqjes së kohës. Objekt i këtij shkrimi, është posaçrisht ky aspekt i veprimtarisë së Dr. Fadil Spahiut.
Dhe ja ç’më tregoi ndër të tjera Dr. Fadili:
Më thirrën në Komitetin e Partisë së Tiranës dhe më thonë të dorëzoja teserën e partisë, pasi isha përjashtuar nga partia. Pa asnjë procedurë administrative siç funksiononte partia në atë kohë.
– Vonë jeni madje, merreni; nuk më ka vlejtur për asgjë deri më tani, – u them.
Më thërret Haki Toska, një nga kuadrot kryesore të partisë të kohës. Në bisedë me të për 6 orë rreth zhvillimeve të kohës. Në fund ai më thotë:
– Unë nuk merrem vesht me ty. Por ti, ato që m’i thua mua, ndiqi më lart.
Alias, më këshilloi të takoj Enver Hoxhën. Kërkoj takim dhe e realizoj. Në zyrën e tij, i pranishëm dhe sekretari Haxhi Kroi. Ndërkohë që unë flisja dhe ngrija një problem, Enver Hoxha, i drejtohej sekretarit:
– Të bëhet!
Unë propozoj…. Ai: – Të bëhet! Derisa mbaroi biseda dhe miratimi për të gjithë propozimet e mia. Kur po largohesha, Enver Hoxha më thotë:
– Atë Bllohin (Kryetar i Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik), ma fto, se na duhet ajo kokë…
S’e ngre dot atë – i them, – s’kam peshë.
Do të jetë miku im.
Më 7 prill 1960, marr në telefon Bllohin dhe i bëj kërkesë të vijë në Shqipëri.
– Vij, – më thotë. – Se edhe unë kam qejf të vi në Shqipëri.
Në gusht të vitit 1960, bëhet një mbledhje e Këshillit Shkencor të Fakultetit të Mjekësisë. I deleguar nga Qeveria vjen Manush Myftiu, i cili në atë kohë ishte Ministër i Arsimit, që ndiqte dhe shëndetësinë.
Në fund të mbledhjes, ai thotë:
– Dhe mos të bëni siç ka bërë Fadil Spahiu, që ka gënjyer Enver Hoxhën.
– Ç’i kam thënë? – i përgjigjem.
– I ke thënë Enver Hoxhës që të kërkojë të vijë Bllohin në Shqipëri.
– Shoku Manush! Enver Hoxha më tha mua, që të ftoja Bllohin dhe do të ishte miku i tij, jo unë atij.
– Kjo që thashë është ashtu siç e thashë unë.
– Kjo që thoni ju nuk është e vërtetë.
– Unë jam anëtar i Byrosë Politike.
– Shoku Manush! Unë nuk jam duke ju hequr si anëtar i Byrosë Politike, por kjo që po thoni ju është rrenë…
Ndërkohë, anëtari i Komitetit Qëndror të Partisë, Sadik Bocaj kur kishte qenë në Moskë, kishte takuar Prof. Bllohin dhe i kishte kërkuar nëse kishte mundësi të vinte në Shqipëri. Kërkesë të cilës ai i ishte përgjigjur:
– Juve më keni mua në Shqipëri tashmë. Kur keni Fadil Spahiun, zere se jam unë.
Bocaj pastaj erdhi dhe ia tha këto atyre lart…, dhe vazhdon:
Kishte ndodhur që djali i Mehmet Shehut, kishte bërë luksacion të shpatullës. Komisioni mjekësor i Klinikës Speciale nuk e kishte marrë përsipër ndërhyrjen dhe kishte propozuar dergimin në Kinë. Mehmeti më thërret mua. E vizitoj djalin dhe i reponoj luksacionin… më thirri një herë dhe për vete. Në një moment nga këto takime me të kur ishim në ballkonin e klinikës, Mehmeti më pyet:
– Si e kam Rifat Spahiun? (Im atë: mësues, luftëtar, Kryetar i Këshillit të Qrkut të Kukësit, Drejtor shkolle…).
– Si faqja e zezë.
– Pse?
– E kanë përjashtuar nga partia.
– Unë e kam mik…
Më tej, Dr. Fadili më tregon për kolegë dhe veçanërisht për Dr. Ali Spahiun, i cili punoi me të në Pavionin e Onkologjisë.
Aliu ishte mjek i talentuar, i vetmi mjek në spital që njihte fizikën dhe kishte njohuri për Rontgen-diagnostikën. Ishte specializuar nga një radiologe ruse e zonja. Ai kishte aparatin e Rontgenit në pavion. Donin me ma heq Aliun, ta dërgonin në Shkodër. E kundërshtova këtë deri në Komitetin e Partisë. Donin të më sillnin në vend të tij një mjek të pa aftë që nuk e pranova. Me këtë rast m’u kujtua koha kur isha Kryetar i Komisionit të Provimit të Shtetit në Fakultetin e Mjekësisë, kur pata pyetur një nga këta studentë se ç’prodhonin gjëndrat mamae. Dhe përgjigja e tij ishte: prodhon spermë! Po nejse. Nga kjo kategori donin të më sillnin.
– Punova për 10 vite mjek në Gramsh. Por me mua ranë në hall! Më çuan në Gramsh, unë prapë në krye. Pacientët më mbanin me gjithë të mira; pa një çikë gjueti peshku e bëja në kohë të lirë… Ata vetë me bukë misri me hirrë… Më çuan në fshat, unë prapë e kalova shumë mirë nga trajtimi që më bënte populli; dhe të mendosh: asnjë letër anonime nuk u bë për mua dhe në gjyqin që m’u bë më pas, asnjë dëshmitar nuk doli nga Gramshi.
– Pas dhjetë vite internim 1964-1974, u mblodh Pleniumi i Komitetit të Partisë së Gramshit, ku të deleguarit nga qendra u shprehën se organizata e partisë së Gramshit ka qenë vegël e Fadil Spahiut. – Ju keni bërë çka thënë ai, – iu drejtuan Pleniumit…
U morën dhe shumë masa në rreth, u shkarkuan drejtuesit kryesorë të partisë, pushtetit dhe të drejtorisë së punëve të brendëshme. U bënë dhe shumë ulje në detyrë… Mua më arrestojnë.
Dhe Dr. Fadil Spahiu vazhdon të më tregojë:
– Kur u arrestova, Shefqet Peçi merr në telefon në Komitetin Qëndror dhe pyet:
-Ç’ka bërë Fadil Spahiu që e arrestuat?
– Është spiun i rusëve.
– Më thoni ndonjë gjë tjetër, po spiun nuk bëhet kurrë Fadil Spahiu, – ia kthen Peçi.
Këto biseduam në këtë takim të parë me këtë personalitet të Mjekësisë shqiptare. Që veçsa njihja nga ç’kisha lexuar për të, arrita në përfundimin se kisha para një një mjek të shkëlqyer të kohës, intelektual klasi, një burrë tepër të zgjuar dhe dinjitoz; thjesht një talent!
Dhe me një histori…
Që fillimisht Dr. Fadili ma deshifroi me një batutë rreth letrës së kurbetliut që iku larg në Perandorinë Otomane, ku qëndroi për shumë vite dhe nga malli, i shkroi një letër fshatit. Në të cilën pyeste për të gjithë banorët e fshatit, që kishte 300 shtëpi, duke i përmendur seicilin emër për emër e duke pyetur për seicilin prej tyre. Njëri nga banorët e fshatit, që kishte qenë dhe ai në kurbet në Perandorinë Otomane dhe kishte mësuar gjuhën,e pëkthen letrën dhe u zu në hall: si do t’i përgjigjej letrës së kurbetliut duke folur për të 300 familjet e fshatit?! I erdhi në ndihmë i mençuri i fshatit, i cili i thotë, që përgjigjigja të ishte e shkurtër: – Jemi të gjithë mirë. Kryeplak është Tar Bashrama (që ishtë fshatari më i fundit i fshatit).
Dhe mua s’më janë ndarë Tar Bashramat, e mbyll bisedën Dr. Fadil Spahiu.
Hetuesia midis shumë të pyeturve rreth “veprimtarisë” sime, kishte pyetur dhe një pacient timin nga Elbasani, të cilin nuk e kishin operuar aty dhe erdhi në Gramsh ku e operova nga një sëmundje e stomakut.
Hetuesi e pyet:
– Kush të operoi?
– Dr. Fadil Spahiu.
– Po pse?
– Se në Elbasan s’më morën përsipër të më operojnë.
– Me se u operove?
– Me një sëmundje të stomakut.
– I dhe ndonjë lek doktorit?
– Jo.
– Pa ndonjë gjë i çove? Se ne jemi shqiptarë dhe mirënjohjen e kemi virtyt.
– Jo, asgjë nuk i çova.
– Po pse?
– Se doktori nuk pranon asgjë nga pacientët.
– Po ti qenke korit.
– Po mirë atëherë, meqë po më thua ti, a t’i çoj ndo një gjë atje në burg ku është, se tani ka nevojë. Kështu, edhe të mos koritem, siç po më thua ti.
Se ndryshe talenti Fadil Spahiu do të shpërfaqej si absurd i sistemit. Që duhet të shpaguante këtë duke kaluar nëpër kalvarin e kritikave dhe ndëshkimeve politike të kohës, që fillonin me tërheqjen e vemendjes në mbledhjet e kolektivit deri në përjashtimin nga partia; dhe më tej për në internimin dhjetëvjeçar bashkë me familjen në një qytet fare të pazhvilluar të kohës, në Gramsh; deri në dënimin për 18 vjet nëpër qelitë e burgjeve të tmerrëshme të kohës, si në Bulqizë, Batër të Martaneshit dhe Spaç.
Që do të ishte vetëvrasje për talentin shqiptar të shëndetësisë!
Që nuk e pranoi kurrë dhe nuk ra pre.
Pagoi, por ngadhënjoi!
Supertalenti u shpërfaqej si absurd!
Por absurdi nuk ka shkak, as arsye, as shjegim?!
Por mua jo se s’më ngrohu kjo. Edhe përgjigjen e mora. Por se ç’m’u kujtua gjithashtu një nga kryeveprat e letërsisë botërore; m’u kujtua romani “Nobel” i Huaji i Rober Kamysë. Se ç’më përkiste diku personazhi im “Nobel” pa roman, me romanin “ Nobel” të personazhit të zakonshëm Merso… Në gjyqin për vrasje të Mersosë, pasi atij i kishte vdekur e ëma, prokurori shprehet: “Po zotërinj, gjyqtarët do ta kenë parasysh. Ata do të nxjerrin përfundimin se një i huaj mund të ofrojë kafe por i biri duhet të mos pranonte përpara kufomës së të ëmës që i kishte bërë kokën”. Dhe vazhdon prokurori: “Të nesërmen e vdekjes së të jëmës, ky njeri bënte banja deti, fillonte marrëdhënie të parregullta e shkonte e qeshte në një film komedi. S’kam ç’të them më shumë”. Ndërkohë që dëshmitari Çeleste shprehej për vrasjen: “Për mua është një fatkeqësi. Të gjithë e dinë se ç’është një fatkeqësi. Ju le pa mbrojtje. E pra! Për mua është fatkeqësi”… “Ja fytyra e këtij procesi. Gjithçka është e vërtetë e asgjë s’është e vërtetë”, shprehet avokati, teksa ngrinte duart dhe më bënte fajtor, por pa arsye. Ndërsa prokurori më nxirrte në shesh fajësinë, por pa arsye”, shprehet Merso.
Më ngjajnë këto rrethana, të ngjashme në mos të njëjta me jetën e këtij burri të mençur, që “I Huaji”, Prof. Bllohin si një i huaj …Mund të ofronte kafe… Mund ta identifikonte studentin e tij Fadil Spahiu si më të dalluarin ndër 3 000 studentët e Institutit “Gorki”, mund ta mësonte studentin e shkëlqyer shqiptar të bëhej një mjek po ashtu i shkëlqyer, mund t’i mundësonte atij dy specializime pasuniversitare, mund ta doktoronte dhe t’i jepte bekimin që të jepte kontributin e tij të vyer në Shqipëri, siç dhe bëri me Dr. Fadil Spahiun. Por ai, i “i biri” … duhet të mos pranonte përpara kufomës së të ëmës që i kishte bërë kokën…; Fadil Spahiu duhet të mos i pranonte të gjitha këto dhe vlerësimet e bëra nga profesori i tij, para Shqipërisë së vitit 1960 që po prishte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik!
Ndaj sistemi nuk gjeti karar, derisa i “ranë patkonjtë”!
E gjithë kjo, më sjell në kujtesë gjithashtu atë piktorin rus me origjinë çifute, Mark Shagal, student i Rembrandit të madh me librin e tij: “Jeta ime”. Pasi Shagal u bë piktor i talentuar u kthye në Rusi, ku sistemi i kohës e dërgoi mësues vizatimi në një fshat të humbur. Studenti i Rembrandit, në fshat si mësues vizatimi?! Iu bë jeta e padurueshme dhe vendosi të largohej nga Rusia bashkë me gjithë familjen: bashkëshorten dhe vajzën:
– Mua Rusia ime nuk më do, as ajo cariste as ajo staliniste. Unë po iki; po shkoj tek Rembrandi im. Ai mbase më do!
Kështu më ngjan se ka ndodhur dhe me “Piktorin” e Bllohin, me studentin e tij Fadil Spahiun… Ashtu dhe Dr. Fadili u largua sapo doli nga burgu më 1987. Vendi i tij nuk e donte; iku tek “Rembrandi” i tij, atje në Moskë…

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *