Kosova Republika që u frymëzua nga uniteti i NATO-s dhe Perëndimit
Nga Azem PARLLAKU
Këtë javë mbushen 14 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.14 vjet pas pavarësisë, Kosova vazhdon të ndeshet me sfida të jashtme dhe të brendshme. Në rrafshin ndërkombëtar Kosova vazhdon të përballet me Serbinë, liderët e së cilës ende e konsiderojnë atë si “territor të tyrin” dhe si vendin ku kanë “trashëgimi”. Po në këtë rrafsh Kosova po bën përpjekje të vazhdueshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, brenda kufijve të saj Kosova vazhdon të cilësohet nga mekanizma ndërkombëtarë si vend me korrupsion, varfëri, krim të organizuar dhe sistem të brishtë të arsimit dhe shëndetësisë.
Çështja e Kosovës vazhdon të shihet një nga pikat kyçe për stabilitet dhe paqe në rajon, ku veçanërisht tensionet me Serbinë fqinje, luhaten herë pas here, e për rrjedhojë tërheqin vëmendjen e faktorit ndërkombëtar. Vetëm në harkun kohorë të dy ditëve të fundit emisarii Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë, duke fokusuar temat e diskutimit me zyrtarët e lartë vendas tek paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë dhe siguria rajonale. Po kështu kujtojmë se, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në letrën e dërguar homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç me rastin e urimit të Ditës së shtetësisë së Serbisë, mes tjerash ka potencuar se aspirata e këtij shteti drejt Bashkimit Evropian varet ekskluzivisht nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën e cila duhet të bazohet në njohjen reciproke.“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim. Familja evropiane nuk do të jetë e plotë pa Serbinë dhe të gjithë fqinjët e saj”, ka shkruar Biden.
Rruga drejt pavarësisë
Gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, Kosova ishte rajon brenda Republikës Federale Serbe. Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në vitin 1989. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme e cila në fillim shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë, më pas u përhap edhe në Kosovë. Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas operacionit 78-ditor të NATO-s. Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan me intervale që nga periudha e luftës në Kosovë. Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si “Trazirat e Marsit”, 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, kurse qindra të tjerë u plagosën.
Në raportin e vitit 2005 nga Kai Eide, diplomati norvegjez i emëruar si Përfaqësues Special në Kosovë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u rekomandua fillimi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.Në vitin 2005, Annan e emëroi Martti Ahtisaarin si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”. Në linjë me Planin e Ahtisarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Serbia e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ankesën e saj për shpalljen e pavarësisë dhe në korrik të vitit 2010, mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”. Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e njohën menjëherë. Ndërkaq, me bllokimin e Rusisë, e cila është mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk është bërë anëtare e OKB-së.
Lufta që u bë në emër të Republikës
“Republikë e Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Kjo ka qenë thirrja e njohur me të cilën Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nxori shqiptarët nga letargjia dhe iluzioni se liria nuk mund të fitohej ndryshe. Në këtë rilexim të të dikurshmes, me ose pa hir, është qartësuar mendimi se; Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin kombëtar, atë rajonal, pse jo dhe global. Përgjatë viteve 1998-1999, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës ajo që bëri aktivizimin e gjithë shqiptarëve kudo ishin, në projektin vizionar të çlirimit përfundimtar të Kosovës nga Serbia. Në projektin dhe aktivitetin e saj çlirimtar, ajo rrëzoi mitin sllav për pathyeshmërinë e ushtrisë serbe, ndërkohë nëpërmjet luftës që kreu, u thye dhe miti i kufijve shqiptarë.
Lufta çlirimtare ndikoi në rrëzimin e regjimit të Milosheviqit, duke çliruar përfundimisht popullin serb nga ky diktator. Veçanërisht të rinjtë si në fshatra ashtu edhe të shkolluarit në qytete, të cilët nuk kishin çfarë të humbnin, kërkonin alternativa dhe radikalizoheshin. Që në fillim të viteve 1990-të ishte themeluar një organizatë guerile në Kosovë dhe në disa pjesë të Maqedonisë.
Deri në Marrëveshjen e Dayton-it, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbeti një dukuri pak e artikuluar. Edhe në vitin 1997 ajo numëronte vetëm rreth 150 anëtarë aktivë. Por, atmosfera kishte ndryshuar tani. Ndonëse Rugova në mars 1998 me rastin e zgjedhjeve të papranuara nga Jugosllavia e mbetur ishte konfirmuar në postin e tij si president, kritika kundër politikës së tij u shtua. Në tetor 1996 shkrimtari shqiptar Ismail Kadare në Neë York atakoi politikën e mosdhunës të Rugovës: “Shqiptarët duhet ta tejkalojnë këtë periudhë të pafavorshme për ta. Duhet të vetëdijesohen për gjendjen e tyre, forcën e tyre, kulturën si dhe mundësitë që kanë. Ata duhet të çlirohen nga dobësia morale, nga albanofobia që fatkeqësisht ishte mbjellë si te qytetarët e zakonshëm ashtu edhe te një grup intelektualësh të degjeneruar. Dhe më e rëndësishmja, shqiptarët duhet të çlirohen nga kompleksi i frikës që dinakërisht është kultivuar në vitet e fundit në emër të pacifizmit”.
Qysh në shkurt 1996, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i filloi sulmet e para kundër stacioneve policore dhe përfaqësuesve të Jugosllavisë së cunguar, duke bërë që qeveria e Beogradit të shtonte numrin e forcave të saj të sigurisë në Kosovë, dhe të ndërmerrte reprezalje masive. Jo vetëm nga pikëpamja e Beogradit, por edhe fillimisht nga amerikanët Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizatë “terroriste”.
Shkatërrimi i rendit publik në shtetin fqinj, në Shqipëri, në vitin 1997 i dha gueriles kosovare një shans të mirëseardhur të pajiset lirë me armë, t’i ushtrojë luftëtarët e saj në kampe të Shqipërisë veriore dhe në garë me regjimin e Beogradit të sjellë më tutje spiralen e dhunës. Në mars të vitit 1998 ushtria serbe dhe forcat policore sulmuan fshatin Prekaz në luginën e Drenicës. Prekazi ishte vendlindja e Adem Jasharit, njërit prej organizatorëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa lugina e Drenicës ishte vatër e kryengritësve, prej së cilës vazhdimisht sulmoheshin njësitë serbe përkatësisht jugosllave. Nga pikëpamja e Beogradit Jashari ishte njëri prej kryeterroristëve. Pas kësaj masakre atmosfera në Kosovë ndryshoi komplet. Edhe bota e jashtme ishte e shqetësuar. Madeleine Albright i tërhoqi vërejtje udhëheqjes serbe: “Ne nuk do të rrimë duarkryq duke shikuar autoritetet serbe derisa bëjnë çfarë duan në Kosovë”. Por, ky paralajmërim nuk solli asgjë.
Në muajt në vijim luftimet në Kosovë u zgjeruan me shpejtësi të zjarrit gjithëpërfshirës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës sulmonte dhe provokonte, dhe regjimi reagonte tamam ashtu siç e kishin pritur dhe shpresuar udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 17 mars 1999, NATO i bëri thirrje në mënyrë ultimative qeverisë së Beogradit të pranojë Marrëveshjen e Rambouillet dhe në rast mospranimi kërcënoi me bombardime. Pasi që delegacioni jugosllav nuk hoqi dorë nga refuzimi, konferenca përfundoi më 23 mars pa asnjë rezultat. Një ditë më vonë NATO filloi sulmet ajrore. Nën presionin e Blair-it NATO vendosi të intervenojë. Madje pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që Kina dhe Rusia, duke pasur parasysh problemet e tyre, nuk mbështetën një vendim të tillë.
Ndryshe nga ç’kishte pritur NATO, Millosheviqi pas fillimit të bombardimeve më 24 mars 1999 nuk hoqi dorë nga politika e tij. Qëllimi politik i Aleancës ishte evitimi i një “katastrofe humanitare”. Në fakt ndodhi e kundërta. Sepse me sulme ajrore mund të shkatërrohen qendrat komanduese të kundërshtarit, magazinat ushtarake, artileria e rëndë dhe shumë gjëra të tjera, por spastrimet etnike, të kryera nga bandat paramilitare, nuk mund të pengohen nga ajri.
Pas fillimit të sulmeve ajrore dëbimi dhe arratia e popullsisë shqiptare të Kosovës mori përmasa dukshëm më të mëdha. Nga frika prej akteve hakmarrëse serbe brenda pak ditësh më shumë se 800 000 njerëz braktisën vendlindjen e tyre dhe shpëtuan kokën në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Pritjet e Millosheviqit se bashkësia ndërkombëtare do ta detyronte NATO-n të ndërpresë sulmet dhe se Rusia do të vihej hapur në anën e Serbisë nuk u bënë realitet. Po ashtu pakënaqësia e popullsisë serbe me qeverinë e saj u shtua dukshëm, pasi NATO kishte intensifikuar sulmet ajrore.
Më 3 qershor pas vizitës së emisarit të posaçëm rus Viktor Çernomyrdin dhe kryetarit finlandez Martti Ahtisaari në Beograd, Parlamenti serb miratoi një plan të përgatitur nga shtetet e G-8-shes, i cili u plotësua më 9 qershor përmes një marrëveshjeje ushtarake të negociuar në Kumanovë (në veri të Maqedonisë). Një ditë më vonë NATO i dha fund luftës pas 35 000 aksioneve ajrore. Rezoluta 1244 e OKB-së, e miratuar nëtë njëjtën ditë, parashihte për krahinën, mes tjerash, stacionimin e një trupe ndërkombëtare paqësore (KFOR) dhe një administratë kalimtare (UNMIK). Nëpërmjet asaj lufte, u hoq maska diskriminuese për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, e në Malin e Zi. Kjo luftë, i dha një rol të madh e pozitiv Shqipërisë në zhvillimet demokratike rajonale e globale.
Ka qenë kjo luftë, që çoi në test unitetin e NATO-s, dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian. Kjo luftë, shmangi dukshëm burokracinë e komplikuar të OKB-së, duke nxjerrë në pah rolin parësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si superfuqia e vetme dhe mbrojtëse e vlerave demokratike të njerëzimit. “Mendoni për një çast se si do të ndjeheshit ju, po të ishit pjesë e atij populli, që kanë jetuar në paqe, në një vend që duan të përdorin gjuhën e tyre, por që u vajtën në shtëpitë e tyre dhe u thanë: Mblidhni plaçkat dhe ikni! Do t’ju djegim çdo dokument të pronave dhe identitetit tuaj, dhe nëse burri ose djali juaj do të ishte në një moshë për shërbim ushtarak, ta hiqnin mënjanë e ta vrisnin. Dhe e gjithë kjo sepse ju keni një fe dhe një kulturë tjetër etnike. A do ta donim këtë ne për fëmijët tanë në shekullin e 21-të?” (Bill Klinton) nga fjala e mbajtur në Bazën Detare të Norfolkut në Virxhinia 1999.
Kush ishin shtetet dhe resurset që ata vendosën në dispozicion për të mbështetur Aleancën gjatë luftimeve në Kosovë?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës; 260 avionë, mes tyre avionë të paperceptueshëm nga radarët, avionë bombardues me raketa të drejtuara, avionë gjuajtës të fshehtë, avionë gjuajtës dhe bombardues, 24 helikopterë Apach të destinuar për luftën kundër tankeve dhe mjeteve të tjera luftarake tokësore, anije amfibe për transportim trupash, 2 kryqëzorë, 3 anije sulmuese dragamina, 2 nëndetëse me predha të drejtuara, Aeroplanmbajtësja “Teodor Rusvelt” në Adriatik me 63 avionë në bord.
Franca;20-40 avionë, mes tyre avionë gjuajtës bombardues, avionë për zbulimin e objektivave dhe transmetim të dhënash, avionë për furnizim me karburant në ajër, në gatishmëri luftarake Aeroplanmbajtësja “FOCH”.
Britania e Madhe; 20 avionë, mes tyre avionë gjuajtës bombardues, avionë zbulues objektivash tokësorë me përmasa të kufizuara, avionë të furnizimit me karburant në ajër, 1 nëndetëse me predha të drejtuara.
Kanadaja;6 avionë luftarakë.
Gjermania; 14 avionë luftarakë “Tornado”, me tyre 8 avionë me pajisje speciale për luftën elektronike dhe asgjësimin e mjeteve kundërajrore, 6 avionë zbulues objektivash.
Italia; 12 avionë luftarakë.
Spanja; 6 avionë luftarakë mes tyre avionë për furnizim me karburant në ajër.
Turqia; 11 avionë luftarakë gjuajtës bombardues.
Holanda; 8 avionë luftarakë.
Belgjika; 4 avionë luftarakë.
Danimarka; 6 avionë luftarakë.
Shqipëria; me Ligjin Nr.8470, datë 07.04.1999, vendos në dispozicion të NATO-s, të gjitha kapacitetet aeroportuale.
Aleanca e Atlantikut të Veriut grumbulloi më shumë se 400 aeroplanë luftarakë, e dhjetra anije lufte për veprime ushtarake kundër Jugosllavisë.Forcat ushtarake të NATO-s, u komanduan nga gjenerali Uesli Klark.
Është e vërtetë, NATO nuk mund t’i përgjigjet çdo tragjedie në të njëjtën kohë dhe në çdo cep të globit, vërtetë Kosova nuk ishte një vend anëtar i NATO-s, por ajo u vlerësua si vendi i vogël në vijën që ndan Evropën me Azinë dhe Lindjen e Mesme, në vijën ndarëse mes Islamizmit dhe Kristianizmit, vend pranë aleatëve të Jugut të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, vend pranë aleatëve të rinj të NATO-s, Republikës Çeke, Polonisë dhe Hungarisë, vend që kufizohej nga demokraci të brishta si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sot anëtare e NATO-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published.