Krimi i dyfishtë në Prizren, babë e bijë u vranë në sy të familjarëve

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje rreth rastit tragjik që ka ndodhur mbrëmë në Prizren, ku u gjetën të pajetë brenda banesës babë e bijë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria ka bërë me dije se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit, e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë dhe se rasti ka ndodhur në prezencë të familjarëve.

“Viktimat janë familjarë në mes vete, janë babë e bijë, të moshës 52 vjeçare, përkatësisht 21 vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i policisë kufitare. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë. Ngjarja ka ndodhur në ambient familjar në prezencën e anëtarëve të familjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante policore dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Deri tani, nuk dihen rrethanat e rastit, por nga Prokuroria thonë se janë duke mbledhur informatat e nevojshme me qëllim zbardhjen e rastit.

“Pas shikimit të vendit të ngjarjes, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit, mirëpo Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionin e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë çuar deri në ngjarjen tragjike”, thuhet më tej në komunikatë.