• April 18, 2024 8:01 pm

Nga Admir Sinamati

Në Gjallëjçe kuksianët gjetën ushqim kur të korrat në fusha dështuan, gjetën strehë e mbrojtje kur armiqtë ua djegën shtëpitë, morën lëndën e parë për shtëpitë e kullat, morën drutë e gjetën ngrohje për dimrat e acartë, gjetën freski për të nxehtët përvëlues të verës, gjetën ilaçe për sëmundjet e ndryshme, gjetën ujin e freskët e të kristaltë; mësuan si me e dashtë jetën e prandaj i jemi mirnjohës e falenderues, e ndaj festa e kësaj dite merr kuptim të madh.

Në shenjë respekti për të gjithë ato që e duan malin e Gjallëjqes po shkruaj një histori të vërtetë për kroin “Tanzot”(Ty n’Zot -sipas prof. Miftar Spahija), që për mua është “diamanti” i këtij mali:

-Një ditë (vitet ‘90)kishte qëllue shi e breshër në “krue të kuq” dhe nje bjeshkëtar i përhershëm i gjalliçes(ASh – pastë rahmet) kishte dalë me rroba të holla e kishte shumë ftohtë. Aty erdhi një vizitor jabanxhi i cili hoqi nje xhakoventë e ia dha plakut.

Plaku lumjan kundërshtoi bajagi shumë por udhëtari i panjohur këmbënguli e ashtu u bë. E lumjani e ftoj jabanxhiun në stan e pasi hëngren drekë (kos e djathë) si të asaj bjeshke, baba Sheh e pyeti udhetarin për qëllimin e vizitës. Ai kishte një fëmijë djalë 10 vjeç që nuk fliste dhe kishte marrë udhën nga larg për të gjetë zgjidhje. Plaku i urtë megjithëse i lodhur nga dita e moti, pa përtesën ma të vogël i tha: çohu se e kena do udhë.

E të dy bashkë dolën pa i zanë nata tek Kroi Tanzot. Aty plaku mbushi një shishe me ujë e i tha jabanxhiut: -thuaji hallin këtij vendi e uji të shenjtë. Burri i ardhë nga larg e tha pa zë hallin, e sapo e mbaroi së shprehuri dëshirën, shishja e ujit u thye vetvetiu.

Shihe orën or mik i tha plaku i urtë e pastaj mbushi edhe nja dy shishe po nga ky ujë. U nisën për poshtë e në terr arritën në stan ku bujtën atë natë. Të nesërmen kur po e përcjell mysafirin, plaku lumjan po i jep edhe bukë për udhës edhe xhakoventën nxorri e ja dha krahve, por ai nuk pranoi ta marrë.

A gjeta derman a thu o plak i urtë, -pyeti shtegtari pak para se me u nda. Djali të pret me fjalë në shpi se uji i Tanzotit na foli pramet. E ashtu kishte ndodhë. Ai kur shkoi në shtëpi e gjeti djalin krejt fjalë e gaz që i kishte filluar bash në atë orë kur ishte thyer shishja e ujit.

E prej asaj kohe shtegtari ishte bërë mik i ngushtë i plakut lumjan dhe e vizitonte çdo vit në stan, pa harruar të pijë e mbushë ujë në Kroin “Tanzot” saherë vinte.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *