Moti i keq me reshje shiu dhe stuhi ka krijuar problemet e para në Qarkun e Kukësit. Emergjencat Civile kanë dhënë detaje në lidhje me problematikat e krijuara nga moti me reshje të dendura shiu.

Sipas Emergjencave Civile, në Tropojë ka probleme në furnizimin e banorëve me energji elektrike dhe po punohet për rikthimin e energjisë. Situata e motit është shoqëruar me reshje shiu. Nga informacionet e marra nga terreni, rezulton se rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht. Nga kontraktorët vazhdon të punohet gjatë gjithë kohës për pastrimin e rrugëve për mbajtjen funksionale të tyre.

Rrugët rurale në administrim të bashkive janë të kalueshme. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.

Ndërkohë, edhe situata në Bashkinë Has sot, pas reshjeve të shiut, duket e qetë. Sipas informacioneve të marra, rrugët nacionale dhe ato rurale janë të kalueshme pa probleme, gjithashtu kontraktorët janë gjatë gjithë kohës në terren.

E gjithë Bashkia Has furnizohet me ujin e pishëm dhe energjinë elektrike normalisht. Vazhdon monitorimi i rezervuarëve nga bashkia, ku situata është e qetë.

Edhe në Bashkinë Kukës situata është e qetë dhe deri më tani nuk ka probleme si pasojë e motit, pasi edhe rreshjet e shiut janë me intensitet të ulët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *