Kukësi i hoqi titullin e nderit, reagon për herë të parë Veton Surroi: Mu duk si gjyq politik, ishte e pakëndshme

Reagon për herë të parë pas vendimit të Këshillit të Qarkut të Kukësit për t’i hequr titullin “Nder i Qarkut”, publicisti dhe politikani nga Kosova, Veton Surroi.

Duke folur në Euronews Albania, Surroi thotë se vendimi i ngjason gjyqeve politike duke kujtuar se gjykime të tilla në këtë qark kanë pasur dhe pasoja të hidhura (si rasti i shkrimtarit Havzi Nela).

“Ishte e pa këndshme por është një lajm në zhvillim dhe pas vendimit pashë që kryetari i bashkisë kërkoi falje. Nuk e di se ku gjendet dhe ku do të gjendet pas një orë kjo punë.

Ishte e pakëndshme dhe forma se si u veprua, u zhvillua një lloj gjyqi politik në të cilin më la mbresë formulimi “le ta shkarkojmë tash, format do t’i marrim më vonë. I ngjasonte pak gjykimeve politike dhe gjykimet politike në Kukës dhe për fat të keq ato kanë pasur pasoja të këqija në kohën e komunizmit. Fati i mirë është që jemi në një sistem tjetër se për ndryshe kjo punë përfundonte edhe më keq”, deklaroi Surroi.

I pyetur se tek cilat qëndrime bazohej një vendim i tillë nga Këshilli i Qarkut të Kukësit, ai tha se është një gjykim politik dhe sipas tij bazohet në emocion dhe jo në prova.

“U lajmërova nga miqtë e mi në Kukës që më shprehën keqardhje dhe nga kolegët e mi në Shqipëri që kërkonin një konfirmim nga unë ndërkohë që nuk dija asgjë për këtë lajm. Nuk shoh ku është inspirimi dhe prej nga është inspirimi, nuk e di për cilat dosje dhe për çfarë është fjala.

Dokumenti që është prezantuar nga z. Gjici, kryetari i bashkisë thoshte se kishe të bënte me iniciativën e dy intelektualëve që për fat të keq nuk i njoh dhe nuk e di se çfarë provash kanë paraqitur ata intelektualët dhe çfarë për z. Gjici është provë.

Ky veprim i gjykimit politik me thënë të drejtën siç do gjykim politik tjetër bazohet në emocion dhe reagim dhe veprim shkatërrues dhe në mbledhje të ndonjë prove apo vendimi. Fundi fundit se çfarë mendoj unë nuk është ndonjë sekret pasi shkruaj libra dhe shkruaj në gazetë”, u shpreh publicisti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *