Një familje në Kukës shpenzoi vitin e shkuar gati 39% më pak se në Tiranë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave në vjetarin rajonal statistikor tregojnë se gjatë vitit 2021, familjet që harxhuan më shumë në një muaj ishin në Tiranë, ndjekur nga Korça, Fieri, Shkodra e Durrësi.

Në qytetin verilindor të Kukësit, një familje shpenzoi mesatarisht vetëm 71 636 lekë, shifër kjo rreth 17% më e ulët se në rajonin juglindor të Korçës.

Niveli i ulët i të ardhurave ka bërë që më pak se 2% e familjeve në Kukës të kenë pajisje me shumë funksione si iPad, tableta apo aparatura të tjera ‘smart’. Megjithatë, ky tregues është më i lartë se në Lezhë apo Korçë, por ndjeshëm më i ulët se në Tiranë apo Vlorë.

Panorama ndryshon disi te numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike. Elbasani kryeson me mbi 16 mijë të tilla, ndjekur nga Dibra, Korça e Kukësi. Durrësi dhe Berati janë qartë me numrin më të ulët të familjeve që marrin ndihmë ekonomike.

Sipas gjetjeve të INSTAT në analizën sipas qarqeve, rezulton se në vend ngrohen me dru zjarri apo qymyr gati 50% e familjeve, më pak se 44% me energji elektrike, ndërsa rreth 6% me gaz.

Ndërkohë, më shumë se 54% e familjeve në vend jetuan vitin e shkuar në banesa nga 51 deri në 90 m2, më pak se 35% në apartamente nga 91 deri në 130 m2 dhe rreth 11% në hapësira më pak se 50 m2.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *