• April 20, 2024 6:47 am

Kukësi vuan për ujë/ Banorët: Na vjen vetëm disa minuta dhe pa presion

Banorët e qytetit të Kukësit, veç temperaturave të larta, po përballen këto ditë edhe me oraret mjaft të reduktuara të furnizimit me ujë nga rrjeti i ujësjellësit.

Madje banorët u shprehën se edhe ato pak minuta kur vjen uji nuk ka fare presion. Dhe si për ironi të fatit, kjo situatë ndodh pikërisht në një qytet që njihet për burimet e shumta ujore.

‘Çfarë të bëjmë me 30 minuta ujë, nuk ngjitet uji fare në pallat, këtë vit e kemi pasur shumë problem’, thonë banoret e intervistuara.

Kjo situatë i ka rikthyer banorët e qytetit te bidonat si dhe gjetjen e burimeve ujore për të kryer nevojat e përditshme në banesat e tyre.

Thatësira e tejzgjatur shikohet si një nga shkaqet e kësaj situate të furnizimit me ujë në qytetin verior. Por edhe lidhjet e paligjshme, defektet në linjën e ujësjellësit si dhe mospagesa e faturave të ujit të pijshëm, shikohen si faktorë kryesorë në situatën e krijuar.

‘Ka ndërhyrje dhe shpërdorime, ka fshatra qe nuk paguajnë fare dhe vetëm kërkojnë furnizim. Shpresojmë se investimi ri që do të bëhet, me vlerë 2 miliardë lekë të furnizojë jo vetëm qytetin e Kukësit, por edhe fshatrat përreth’, thotë për A2 Asllan Hoxha, drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Kukës.

Ndërkohë, gjatë aksionit të ndërmarrë nga Task Forca e ujësjellës-kanalizimeve, janë prerë  me qindra lidhje të jashtëligjshme.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *