Kur Luma luftonte me serbin

Luftërat e Lumës në vitin 1912 dhe fillimi i vitit 1913 kanë shënuar një nga faqet më të ndritura të krahinës, në përpjekjet për pavarësi.

Lufta e vitit 1912 me serbin në Lumë dhe beteja finale në Qafën e Kolesjanit ka bërë që jehona e këtyre betejave të vazhdojë për vite e vite me radhë.

Më poshtë keni një prej këngëve që i këndohet kësaj lufte.

‘Ka hi serbi n´at´Prizren,
po i thot`Lumës: ”Lirom ven!”
Nuk jam mbreti, po jam Luma,
t´mushi gjiksin plot me plumba!”

Kur vikati Islam spahija:
”Bini djem, se shkoi Shipnija!”
“Bini djem-thrret Ramadani
-bini djem se shkoi vatani!”

Gryka e Shejës po rredh gjak,
po i thot Drinit: ”Ndihmom pak
Ndihmom pak, n´dash me m´ndihmue,
kllade t´mdhaja jam tuj çue”.

Krajli i serbit ban: ”Medet,
m´faroi Luma askerin krejt!
ma faroi askerin e ngrat
burrat me pushk`e grat me spatë”.

“Kadal, krajl u mlofsh me morre,
dymdhetmi t`metën pa vorre!”
Djemt´e Lumës hiq s´kan dert,
ka ni luftë bajn´vjet për vjet,
luft´ me krajl e luft´ me mbret…”

(…)

Hasi shpat e gur e kep
vend për vend pushka kërset
shkoj kukuja shpi për shpi
I preu Hasi 3 mijë shkijë…”

(…)

Krejt Opoja u mlu n`zi
Prej Prizrenit ter n´Dri
Tre ditë luftë e tre ditë zi
u vranë shkije përmi tre mijë…”

Duke pas parasysh këto pozita gjeostrategjike, forcat shqiptare u pozicionuan në vijën frontale: Malësia e Gjakovës (Qafa e Morinës – Qafa e Prushit) – Has (Planej-Gorozhup) – Qafa e Zhurit – Vërri (Billushë – Jeshkovë – Lybeqevë – Lez) – Sharr (pjerrësit perëndimore të “Gurit të Zi” – Opojë (Gryka e Llapushnikut.)
Në organizimin e qëndresës shqiptare u shquan krerët:
– Ramadan Zaskoci,
– Ramadan Çejku,
– Qazim Lika,
– Islam e Sali Spahia,
– Hoxhë Mehmeti,
– Osman Lita,
– Cen Daci,
– Bajram Gjana,
– Dervish e Nezir Bajraktari,
– Myftar Nika,
– Nexhip agë Bilali,
– Sylë Elezi,
– Ahmet Ilaz Qehaja,
– Jemin Gjana të gjithë nga Luma,
– Elez Isufi,
– Cuf Xhelili e
– Xhafer Doda nga Dibra,
– Bajram Curri në Malësi të Gjakovës,
– Rexhë Ali Bajraktari nga Hasi,
– sheh Hasani nga Prizreni,
– Jahja Sait Sahiti nga Kuki i Opojës,
– Kapllan Opoja,
– Nail Hyseni – Dani i Rapçës së Gorës,
– Esat Berisha,
– Abdyl Osmani,
– Arif Krusha e shumë të tjerë.3
Qendrat komanduese të luftës u vendosën:
1. Në Llapushnik (Brezne) të Opojës, në krye me Qazim Likën;
2. Në Krumë të Hasit, në krye me Rexhë Ali Bajraktarin; dhe
3. Këshilli Qëndror i Luftës në krye me Ramadan Zaskocin u vendos në Qafë të Kolesjanit, në majën e quajtur Tabe, nga ku shihej qartë Rrafshi i Lumës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *