• Thu. Apr 25th, 2024

Nga Luljeta Lleshanaku

(Fragment shkrimi, te Zëri i rinisë, 28 dhjetor 1994, f.2)

Autor i disa vëllimeve cilësore me poezi, ai megjithatë, për çudi nuk u gjend aq i mirëpritur në kryeqytet, në kryeqytetin e shkrimtarëve të vërtetë, në kryeqytetin e miqve të tij. I varfër, me pak para në xhep me të cilat i duhej të plotësonte patjetër edhe nevojat e familjes që ishte larg, atij herë pas here iu desh ta ndërpriste odisenë e tij dhe të kënaqej me pak shpresë.

Ai kishte shumë shokë, mirëpo këta shokë kur vinte puna për t’i krijuar pak mundësi, për t’i bërë pak vend, nuk sakrifikonin shumë. Miqtë e ardhur prej vjetësh në Tiranë (dhe ata nga provinca vinin) megjithatë nuk kishin asnjë meritë më tepër se ai.

Asnjë gazetë apo revistë letrare, asnjë shtëpi botuese s’ia hapi derën, asnjë institucion ku si atëherë edhe sot profesionistë mediokër mbushnin dhe mbushin fletët e tyre. Miqtë luanin me besimin e tij, bile thonë se ato ditë që ndodhi aksidenti, ai ishte i pushuar nga puna në një gazetë ku kishte punuar vetëm pak kohë.

E çanta e tij e udhës s’pati të pushuar kurrë, në asnjë kohë për shpirtin e tij s’u gjend ngrohtësi dhe prehje. Atë ia mohuan e shkuara, ia mohoi e tashmja, e cila edhe sot e kësaj dite s’ka filluar të tregohet dashamirëse me artistin, por më shumë nga të gjitha ia mohoi mungesa e ngrohtësisë, pikërisht atje ku ai kishte ushqyer shpresën e fundit, mes miqve shkrimtarë. Shumë i premtuan, por asnjëri nuk bëri ndonjë gjë të rëndësishme për jetën e tij.

Ndoshta ishte e vështirë për imagjinatën e brishtë të Agim Spahiut të besohej bisnesi moral; ai nuk mundi të mësohej dot me zhgëndrrën e tij. I braktisur, i dëshpëruar, ai s’mundi t’i bënte ballë degradimit të menjëhershëm moral; lufton dhe përpiqesh gjithë jetën për t’u ngjitur në tempull dhe kur ia arrin kësaj tempullin e gjen të braktisur.

Ajo lentja e vogël zmadhuese është verbuar nga avulli i lodhjes. Një natë të tillë dëshpërimi, ndoshta pak i pirë për të mbytur atë pjesë të vetes që fillon e ngre krye për të mohuar gjithçka në mënyrë demonstrative, ai rrëzohet nga lartësia apo përpiqet ta bëjë në mënyrë të qëllimshme, ku edhe vdes. Kjo nuk ka rëndësi.

Ai vdiq nga dëshpërimi. Të gjithë derdhën lot për të sepse ishte e pamundur të mos e bëje këtë për një njeri aq të dashur e të pafajshëm si ai, por sa qe i gjallë pakkush u përpoq për ta shpëtuar atë. Ai nuk vdiq, atë e vranë, atë e vranë të gjithë nga pak, bashkëfajtorë në një krim të heshtur.

Marrë nga faqja në Facebook e shkrimtarit Petrit Palushi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *