Longo surprizon me deklaratën pas humbjes ndaj Partizanit

Kukësi pësoi humbjen e parë në shtëpinë e re dhe të shtatën radhazi, teksa verilindorët u mposhtën me rezultatin 2-1.

Trajneri Diego Longo foli në emisionin Gol Pas Goli në Supersport ku theksoi se skuadrës së tij në këto momente po i mungon fati ndërsa shtoi edhe se nuk ka shumë alternative, sidomos në sulm aty ku për shkak dëmtimi të Vasil Shkurtajt i duhet të aktivizojë një mbrojtës si Kristi Marku.

Një humbje që rëndon duke ditur edhe ecurinë- ‘Bëmë të njëjtat gabime, luajtëm mirë edhe në pjesën e parë por nuk vertikalizuam ashtu siç bëjmë në seancë stërvitore. Pësojmë gola për të cilët punojmë shumë në stërvitje. Partizani ka kualitet dhe është e vështirë, nuk e kuptoj si nuk janë në garën për të fituar kampionatin duke luftuar me Tiranën.

Në pjesën e dytë provuam shumë dhe nuk arrijmë të shënojmë nga katër metra, lojtarët dhanë maksimumin por kur humbet raste flagrante atëherë nuk di çfarë të them. Edhe te goli fillimisht goditëm shtyllën, duhet të ndryshojë ky fati i jonë’.

Çfarë të ka zhgënjyer në pjesën e dytë të sezonit? ‘Kemi punuar shumë, kemi punuar më shumë se në pjesën e parë të sezonit. Ka disa probleme, duhet të fus Bahtirin dhe Markun në rolin e sulmuesit që nuk është puna e tyre.

Nuk kemi Shkurtaj e dëmtuar, Puntus u dëmtua dhe ka pasur probleme edhe më parë.  Humbën Feijaon për një muaj, tashmë që jemi pak më mirë është ky presioni, por nuk mund t’i them asgjë skuadrës’, u shpreh Longo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *