Masakra e Lumës 77 vite më parë, moment reflektimi për anti komunizmin

77 vjet më parë, në Lëndinën e Kroit të Bardhë, pranë fshatit Buzëmadhe të Lumës u krye njëra nga masakrat që simbolizon më qartë se çdo gjë tjetër luftën vllavrasëse që forcat komuniste konsumuan në Shqipëri përgjatë gjithë periudhës shtator 1943 – nëntor 1944.

Në një akt të pabesë, forcat komuniste mashtruan popullsinë civile të fshatit Buzëmadhe dhe pushkatuan pa gjyq 21 banorë të fshatit, me pretendimin se ata po mbronin Muharrem Bajraktarin. Masakra e Buzëmadhes u krye sipas porosisë politike për të likuiduar çdo rezistencë tjetër që po i bënte ballë pushtimit gjerman dhe që aspironte për një Shqipëri demokratike, duke i hapur rrugën vetëm diktaturës së partisë-shtet, diktaturës së një individi që kishte tmerr nga çdo sprovë zgjedhjesh që mund të vinte në dyshim pushtetin e tij. Në këtë masakër u morën 21 jetë të pafajshme, dhe mbrtën 16 gra të veja e 58 fëmijë jetimë.

Masakra e Buzëmadhes ishte pasojë e përplasjes vllavrasëse që shkaktuan komunistët në Lusën, ku për 3 ditë me radhë sulmuan egërsisht popullsinë civile, në mbrojtje të të cilës ishte rreshtuar Muharrem Bajraktari dhe forcat nacionaliste nën drejtimin e tij, ndaj të cilave nuk kishte patur më herët kurrfarë akuze për bashkëpunim me pushtuesit as nga ana e komunistëve.

Krimi makabër ishte aq i papërtypshëm, saqë në plenumin e Beratit, të nëntorit të 1944-s, vetë udhëheqja politike e autorëve të këtij akti terrorist u detyrua të pranonte se në Lumë ishte tejkaluar politika e terrorit dhe se ishin vrarë njerëz të pafajshëm.

Por gjithçka ishte propagandë, sepse para Masakrës së Buzëmadhes, daulleve të vëllavrasjes, sipas parimit ‘të gjithë pushtetin sovjetëve’, forcat komuniste i ranë anekënd Shqipërisë, në Dukat të Vlorës, në Lushnje, në Dumre, në Martanesh, në Starovë, dhe pas kësaj masakre, u vijua njësoj me politikën e terrorit dhe të masakrave, edhe në Mirditë, në Tivar e në të gjithë territorin e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *