• April 19, 2024 7:04 am

Mashtrimi në rritje, turmat në tkurrje, heronj nuk ka-Nga Sulejman Dida

Përse duhet që kandidatët për parlamentarë me u shqetësu për premtimet para turmave elektorale? Dhe ngrenë për këtë qëllim ekipe ‘këshilltarësh’ që kanë si kriter të mashtrojnë turmën dhe ti bëjnë qefin kandidatit?

Në kundërshtim me misionin dhe përgjegjësitë (e parlamentarit të ardhshëm) kandidati premton për komunitetin gjithçka jashtë kompetencave të tij, dmth të deputetit. Ai premton (ose premtojnë kur janë në grup) investime në infrastrukturën rrugore, premton shkolla të reja, dmth godina shkollore, (premtim parimor kishte me qenë, psh, me shpëtue pedagogjinë nga mendësia komuniste etj., zot na ruej, deputetët deri tani kanë tregue se nuk e kanë atë dimension), premton kanalizime të ujrave të zeza, kampe sportive, premton hidrocentale (sipas rastit, me ndalue ndërtimin e tyne ose me i ndërtue (pa dekonspirue aksionet e veta në këtë sektor e as në atë minerar), premton…

Njerëzve të thjeshtë e dinë më saktësi se të gjitha premtimet e deputetit (le ta quejmë të tillë) nuk janë përgjegjësi tij e drejtpërdrejtë, madje edhe indirekte janë bukur larg. Infrastruktura rrugore brenda bashkisë është kompetencë e njësisë vendore, vjen si nevojë e komunitetit e rregullohet në mënyrë institucionale si investim në përputhje me përgjegjësitë që ka këshilli i zgjedhur, kryetari dhe institucionet e tjera.

Rrugët kombëtare janë kompentencë e qeverisë mbi bazën e prioriteteve dhe projekteve që bën digasteri përgjegjës. Shkollat, ujsjellësat apo kanalizimet janë që të gjithë kompetencë e vendorëve gjithnjë në bazë të nevojave të komunitetit dhe mundësive finaciare. Në shumë projekte lokale nevojitet financim nga qeveria, por, mos harroni: qeveria nuk bën ndere në këtë rast, imvestimet janë ushtrimi i përgjegjësive që ajo për shtetasit e vet. I vetmi reagim i komunitetit duhet me qenë pyetja: përse nuk u ba ma mirë?

I vetmi premtim nga ana e kandidatëve kishte me qenë zotimi për transparencë, përgjegjësi dhe përkushtim personal për detyrën e shenjtë tue ba be me rite të vjetra. Më besoni, në popull nuk ka institucion ma të fuqishëm se be-ja. Duhet nji garant që keqbasit nuk e shantazhojnë dot, e ai asht veç Zoti.

Asnjë premtim tjetër nuk hyn në punë përderisa shteti funksionon me ligje dhe rregulla. Çdo premtim tjetër duhet me qenë objekt i hetimit nga prokuroria. Deputetet apo kandidatët, kryetarët e bashkive apo pretenduesit, që në mashtrimin e parë duhet me i heshë në koshin e mbetjeve urbane, atje të përzihen me pampersët, kështu e meritojnë sa herë që premtojnë mashtrime.

Po njerëzit e thjeshtë nuk munden me ba asgja për momentin, sepse qytetari i aktiv dhe protestues, prej përdorjes, prej pabesisë dhe zhgënjimit ka vdekë. Atë që reagon e heqin nga puna, idealistin e denigrojnë në kufijtë e mbijetsës, sipërmarrësin e shtypin, ndërsa heronj nuk ka.

Marrë nga profili ne Facebook i autorit

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *