• April 20, 2024 6:26 am

Mësuesi Rrahman Palushi, një nga fanarët e parë lumjan në rrethinën e Ferizajt

Në vazhdën e shkrimeve, për kontributin e mësuesve kuksian në Kosovë, ky vazhdimi kushtohet mësuesit Rrahman Palushi nga Bicaj, ish- normalist dhe më vonë jurist, i cili ka punuar në shkollën shqipe të fshatit Talinofc të Ferizajt në vitet 1941-1943, në një vit shkollor bashkë mësuesin nga Elbasani, Abdullah Laçi-Shabanaj.

Nga Rexhep Rifati

Ndihmesa dhe gatishmëria e mësuesve e kuadrove arsimor të ish-Prefekturës së Kosovës (Kukësit), gjegjësisht të Krahinës së Lumës u dha sidomos në shkuarjen e mësuesve të kësaj treve në shkollat e ndryshme të Kosovës.

Me dhjetëra mësues të Krahinës së Lumës, krahinë kjo që në luftërat ballkanike u persekutua më brutale të gjenocidit serb, do ti përgjigjen vullnetarisht Qeveria së Tiranës për të vërshuar drejt Kosovës. Ishin këta më shumë se sa mësues: por edhe humanistë e patriotë të vërtetë.

Në pamundësi për të shkruar veç e veç për këta mësues , ngase tash për tash më mungojnë edhe të dhënat e plota, kësaj radhe veçova mësuesin Rrahman Palushi që shërbeu qysh në vitet e 1940-ta në Kosovë.

Ai u lind në fshatin Bicaj, ku edhe e vazhdon shkollën fillore elementare. Ndërsa ‘Gjimnazin e shtetit’ e vazhdon në Shkodër përgjatë viteve 1936-39, ku edhe si bashkëmoshatar njihet me Qemal Stafën, Tefik Çangën e të tjerë, ku edhe bie në kontakt me idetë komuniste të atyre kohërave.

Në vitin 1940 mbaron edhe një vit mësuesie në Normalen e Elbasanit. Me urdhër të Qeverisë së Shqipërisë shkon në Kosovë si mësues në zonën e Ferizajt, ku punësohet si mësues në fshatin Talinoc, në ciklet shkollore 1941- 43.

Nga shënimet e pakta, mësojmë se Rrahmani për shkak të takimeve me Tefik Çangën, kërcënohet disa herë nga regjimi fashist dhe pushteti kuisling i atyre kohëve. Kështu detyrohet që në mbyllje të cilit shkollor të le shkollën dhe të kthehet në vendlindje.

Por me gjithë atë largim të largët të tij në vitin 1943, ende jetojnë disa nga nxënësit e tij, madje duke ruajt edhe disa foto, ndër ta edhe dy nga nxënësit e klasave të para që në kokë kishin qeleshe të bardha.

Por, dorën në zemër të paktë janë ata sa ka bërë mësuesi veteran nga Ferizaj, Ibrahim Hyseni për ti ndriçua figurat e mësuesve nga Shqipëria që vepruan në komunën e Ferizajt, madje edhe duke i ngrit dy pllaka përkujtimore për ta përmes institucioneve arsimore. Ibrahim Hyseni në një nga fotot e këtij shkrimi është bashkë me djalin e Rrahman Palushit.

Për punën e përbashkët me Rrahman Palushin edhe sot e gjithë ditën ruan kujtime edhe mësuesi 97 vjeçar nga Elbasani, Abdullah Laçi-Shabanaj, i cili bashkë me Rrahmanin punuan gjatë një viti shkollor bashkë pasi numri i nxënësve në Talinofc u dyfishua.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *