• Wed. Apr 24th, 2024

Për anji çmim mos e shit votën, sepse ti vlen.

Nëse e shet votën je bespremë, ‘bespremit iu shkimtë hisja’, thotë Kanuni.

Asht besë edhe kushtetuese që e kanë ndërtue kombet. Voto kundër nëse do, ke të drejtë mos me votue, por nuk ke të drejtë me e shitë votën.  Kur shet votën m’ke ba keq e nji ditë do t’lypet përgjegjësi, keqbasin as vorri s’e le mrena.

Mos u ligshto prej varfnisë, mos u ban edhe fukara.  Ti ke lindë me qenë i lirë.  Nëse liria s’të hyn në punë, ajo asht e çmueme për vllain, për motrën, për fëmijët, për shokun…

Varfnia nuk hiqet kur shet votën, por kur punon.  Kur shet votën ke shitë burrninë, e pa burrni nuk të don as shpia jote as shoqnia.  Paburrnia asht përbuzje.  Kur shet votën ke shitë nderin, e, pa nder nuk rrin ndër shokë.

Kur shet votën ke ndihmue të keqin, kur ndihmon të keqin je ba hjekës, e hjekësi asht si bespremi, lëçitet prej fisit, i prishet ferishtja.  Kur shet votën m’ke prish punë tue e sjellë keqbasin në pushtet, po kur ke bindje me e votue, atëherë edhe të keqin e paskam hak.

Mos u rrej me nji thes miell e as me nji mulli, kush vjen me t’ble të ka poshtrue.  Zullumçarve mshelja derën, dhe zoti ja then qafën.

Zullumçarve bjeru me shkop, dhe zoti e përbuz.

Kur shet votën ke shitë shpirtin, ke shitë nanën, ke shitë motrën, ke shitë shokun.  Qysh mundesh vetin n’pasqyrë me e pa?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *