• April 18, 2024 7:09 pm

– Përdorja –

Heqja e vlerësimit nga këshilli aktual i Qarkut për V.Surroin shkakton nji brengosje afatgjatë. Jo pse Surroit po i mohohet nji dekoratë, por për faktin se ne vazhdojmë me qenë nji shoqni e parahatueme.

Vlerësimi ka qenë propozue nga njerëz me profil të naltë kulturor, megjithatë këshilli i tashëm nuk bie dakrt, ashtu siç nuk bien dakort as me martirin Havzi Nela, i cili, ende juridikisht nuk asht rehabilitue…

Por, t’mos e fajsojmë aq shumë këshillin aktual. Sindrormin e përçamjes e bart politika në Tiranë. E, tue qenë popull me aq vetëdije sa kemi, atë sindrom e bartim që të gjithë. Ne nuk biem dakort për vlerat e përbashkëta, nuk biem dakort për atë se, kush asht miku apo armiku i shqiptarëve, nuk biem dakort as me datën e çlirimit (nëse asht e tillë).

Kështuqë edhe në planin lokal nuk biem dakort, as atëherë kur asht në pyetje Kosova. Ju kujtoj se qarku i Kukësit (me bashkinë) ka të paktën dy data të emërtueme ‘Eksodi’99’ përkatësisht 27 Marsin dhe 16 Prillin (të parën e shënon e djathta, tjetrën e majta), shtojmë se vitet e fundit asht përvijue edhe nji datë e tretë, 12 Qershori si ‘Dita e Paqes’.

Asht me t’ardhe keq se Shqipnia ‘nanë’ i ka klonue ndasitë edhe në Kosovë (ku, për palën në pushtet, të tjerët janë armiq e kështu me rradhë).

Po thonë se Veton Surroi paska folë keq për UÇK-n. U habita me këtë padije. Kam lexue të gjitha botimet e Surroit, e, askund nuk shoh që ai ka folë keq për UÇK-n, por as nuk e glorifikon si propagandë. Nga ana tjetër ai nuk bie dakort me abuzimet që dikush mundet me ba për shkak se ka qenë në luftë.

Kjo po duket tamam si me punue për hesap të djallit. Sa herë që Kosova ka nevojë për ‘Shqipninë nanë’ Tirana krijon zhurmuesin që e mbyt britmën e Prishtinës. Kështu ka ndodhë më 2 Korrik 1990, kështu 97-ta, 98-ta etj., e, që të gjitha nisin nga Mukja.

Klasa politike e Shqipnisë asht e paqartë në aspektin kombtar. Arrivizmi i udhëheqjes po vret të ardhmen e përbashkët. Sot kur idealisht duhet me qenë bashkë kundër ekspansionit diplomatik serb, me qenë bashkë me mbrojt Kosovën, hidhen tymnaja mes nesh.

Si nuk u ba dikush kundërshtues për faktin se në Shqipni ende mbajnë dekoratat hero i popullit ish diktatori si dhe ekzekutorët?. Por këtu nuk janë në pyetje parimet, e as e vërteta, ligjet jo se jo. Këtu asht thjesht këshilli që përdoret.

Hiç ma i mirë nuk ishte këshilli paraardhës (i bashkisë) i cili para tri vitesh ka ba q.nderi Pacollin gjatë nji takimi urgjent të thirrun në orët e natës, e diku në bodrume ndodhet ndoshta edhe dekorata e presidentit aktual Meta apo e ndonji oligarku…

Prandaj, nuk shqetsohem për Surroin aq sa më brengos spontaniteti dhe kokërrnozja e të fortëve, mungesa e respektit për tjetrin, vetëdija e ulët për ligjet… dhe sigurisht përkulja e servilizmi, ky asht profili i shqiptarve.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *