Nazmi Bunjaku, kuksiani që themeloi dhe drejtoi estradën e Vlorës

Lindi Nazmi Bunjaku (1931 – 2007), regjisor, aktor i Teatrit dhe Estrades së Vlorës!  

U lind  më 28 tetor 1931 në Kukës, ne nje familje me origjine nga Gjakova.

Mësimet e para i merr në qytetin e lindjes e më pas kryen shkollën e mesme artistike në degën e dramës.

Nazmiu është ndër nxënësit e parë të këtij Liceu. Pasi mbaron Liceun punon përkohësisht në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë e më pas edhe në Kukës, ku vë në skenë disa pjesë, ndër të cilat ‘Lumturia duhet mbrojtur’, ‘Engjëlli i bardhë’.

Pasi kryen edhe shërbimin ushtarak në vitin 1954 me vendim të posaçëm të Ministrisë së Kulturës emërohet regjisor pranë Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Vlorës.

Në vitin 1955 mbi bazën e lëvizjes amatore formohet Estrada Profesioniste, dhe ai është njëkohësisht edhe drejtuesi i parë artistik i kësaj estrade.

Me trupën e Estradës punoi për rreth 10 vjet duke krijuar fizionominë e saj artistike me rreth 50 premiera, ku si më të suksesshmet përmendim ‘Kalon turjela nëpër bucela’, ‘Receta e rrallë’, Arka me xhevahir’, ‘Kakaris kur vjen veza’, ‘Zëri i gruas’, ‘Të fala nga fshati’, etj. Këto shfaqje u mirëpritën dhe u duartrokitën jo vetëm në Vlorë, por kudo ku kjo trupë dha shfaqje në mbarë vendin.

Në përgjithësi ai krijoi shfaqje estrade tip varieteje, por ka krijuar edhe shfaqje me bosht, të cilat vërtiteshin rreth një ideje, apo personazhi.

Në vitin 1955 Nazmi Bunjaku nderohet me ‘Urdhrin e punës’ për operetën ‘Era e lirisë’.

Duke qenë regjisor në Estradën e Vlorës, në vitin 1959 i del e drejta e studimit për në BS, ku për dy vjet rresht studioi në Institutin Dramatik ‘G.I.T.I.S’ të Moskës.

Në vitin 1961 i ndërpret studimet për shkak të situatës politike dhe ndërprerjes së marrëdhënieve me BS. Studimet e larta i vazhdon në ILA më vonë në degën e regjisurës me korrespodencë.

Në 1962 krijohet Teatri Dramatik Profesionist i Vlorës. Trupa e re e përbërë nga aktorë të dalluar e të talentuar të lëvizjes amatore si Astrit Hasho, Vangjel Panozaqi, Piro Seva, Liza Laska, Myqerem Ferra, Ali Roshi, Vasillaq Godo, etj, ishte bërthama e këtij teatri nën drejtimin artistik të regjisorit Nazmi Bunjaku.

Nazmiu ishte njëkohësisht edhe udhëheqësi artistik për të dy trupat si për estradën dhe teatrin.

Në 50-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë u dhanë dy premiera: ‘O flamur gjak, o flamur shkabë’, një tablo muzikore, kushtuar Pavarësisë me regji të Nazmi Bunjakut si dhe premiera e parë absolute e teatrit profesionist të Vlorës drama ‘Fundosja e një skuadre’ me regjisorin e ftuar nga Teatri Kombëtar ‘Artistin e popullit’ Kujtim Spahivogli.

Në teatër e nisi karrierën e vet me disa shfaqje të suksesshme si ‘Një dashuri e tillë’, ‘Një ditë pushimi’, ‘Familja e peshkatarit’, (nderuar me çmim në Festivalin e Parë të Teatrove), ‘Vëllezërit’, ‘Për ata që janë në det’, ‘Në emër të lumturisë’, ‘Rruga Budi 723’, ‘Pabesia’, etj. disa nga pjesët e tij të viteve të fundit janë filmuar nga TVSH dhe që janë bërë të njohura edhe për një publik më të gjerë në mbarë Shqipërinë.

Nazmiu është lëvrues i disa gjinive skenike si komedisë, dramës, operetës, tablosë muzikore, numra estrade, shfaqje muziko – letrare, etj. Për mëse 35 vjet rresht, ky regjisor i shquar u dallua për një pasion krijues dhe përpjekje të vazhdueshme për rritjen e nivelit profesional, në thellimin e vlerave e tipareve realiste me një nivel të lartë artistik. Këto premiera flasin jo vetëm për interesat e tij të gjëra e larmishme si regjisor, por edhe për nivel të lartë artistik ekzekutimi, duke u vlerësuar me çmime në rang kombëtar.

Por interesat kryesore të tij u drejtuan kryesisht në fushën e regjisë së estradës dhe teatrit.

Interpretoi edhe ne nje film, ne triptikun e pare shqiptare ‘Kur zbardhi nje dite’ ne episodin e pare ‘Armet’, ne rolin e komandantit te ballit.

E gjithë veprimtaria 40-vjeçare e artistit Nazmi Bunjaku përmblidhet në mbi 100 premiera si Estradë, ashtu edhe në teatër.

Ndërroi jetë më 10 maj 2007 në Tiranë. 

/Marre nga Kinematografia Shqiptare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *