Ndahet nga jeta bosi i ish-firmës ‘Gjallica’

Është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeccare Fitim Gërxhalliu, i cili njihet si kreu i firmës piramindale “Gjallica”.

Mësohet se ai është përcjellë sot në varrezat e Sharrës. Gërxhalliu kishte disa vjet që kishte dalë nga burgu, pasi bashkë me Shemsie dhe Gani Kadrien, krijuan firmën piramidale “Gjallica”, që u ndërtua ashtu sikurse dhe disa të tjera në vitet 90.

Nga kjo skemë u shkaktua një dëm prej 332 milionë dollarësh për rreth 69,808 persona. Rënia e piramidave solli 97-ën, një vit fatkeq për shqiptarët.

Pronarja e shoqërisë tregtare “Gjallica”, e cila themelua në Gjykatën e Tiranës në dhjetor të vitit 1991, ishte Shemsie Kadria. Në vitin 1993 me të u bashkuan edhe shoqëritë e Gani Kadrisë dhe Fitim Gërxhalliut, por në letrat zyrtare ortakja e vetme e firmës ishte Shemsie Kadria.

Për këtë arsye, në 17 shkurt të vitit 1997-ës Gani Kadria u mor i pandehur. Në të njëjtën ditë u mor i pandehur edhe miku i tij, Fitim Gërxhalliu. Ndërkohë, Shemsie Kadria ishte larguar nga Shqipëria dhe për të u shpall urdhër-arresti ndërkombëtar.

Në janar të vitit 2001, Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg, për Fitim Gërxhalliun, ndërsa në qershor të po atij viti Gjykata e Apelit e ul në 11 vjet burg. Ndërsa për Gani Kadrien, nga 20 u dha 10 vjet burg.

Gërxhalliu kishte 8 vjet që kishte dalë nga burgu dhe jetonte në një banesë me qira te Komuna e Parisit, ku dhe ndërroi jetë. Sot, ai u përcoll në banesën e fundit nga të afërmit dhe miqtë e tij./dritare.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *