Në zemër të mbijetesës-Nga Sulejman Dida

Në takimin e Flamur Hoxhës së PD më gratë kryefamiljare, që rritin fëmijë jetimë apo që mbajnë peshën e familjes për shkak të paaftësimit të burrit, zbulon dramën e vërtetë të komunitetit të Kukësit.

Dramë e cila, ndonëse nuk është bërtitëse, dhemb shumë dhe që rrëzon çdo opsion të politikës. Në takim me Flamurin ndodheshin nja 20 apo 30, por në qytetin e Kukësit llogariten të jenë disa qindra. Ndonjë prej tyre lutet të mos identifikohet me fotografi, sepse, siç thotë, ata të bashkisë janë shumë mizorë, ia heqin bukën e fëmijëve…

Nëna e tre fëmijëve jetimë: Jam diabetike, kam ba dy bypas-se, djalin e madh e kam 22 vjeç dhe sillet pa punë, nuk kam lek me e nis për Gjermani, vajzën e madhe në gjimnaz e tjetrën në 9 vjeçare. Nuk paguajmë dot energjinë, ushqehemi keq, nuk i paguaj dot disa shpenzime, djali po bie në dëshpërim, nuk kam lek për ilaçe dhe po vdes…, këtu nëna ngulfatet. Nënat e tjera kanë edhe ato dramat e tyre po aq tronditëse.

Burrin e kam të sëmurë, nuk marr asnjë ndihmë nga kërkush, vajza jonë e vetme ka mbarue shkollën e lartë por nuk ka punë, unë jam e sëmurë kronike, nuk mundem me ble ilaçet.

Mbështetje nga shteti nuk gjen, tregu dhe shërbimet në agoni, jetesa reduktohet në vaktin thjeshtë bukë thatë, të rinjtë nuk gjejnë punë sepse as ndërtime nuk bahen… në këto rrethana kur ke edhe nevoja shëndetësore, largimi nga vendi bëhet detyrim.

Punoj në çerdhe, punoj tre orë edhe në lokal te kunata, kam pasë frikë me ardhë në takim, sepse drejtuesit e bashkisë janë të pashpirt, më largojnë nga puna.

I them djalit, mos tento me ikë klandestin se asht me rrezik. Ai nuk më dëgjon. Ku do mbetesh nëpër kamionë?, a nën goma a përmbi goma në ikje prej vendit? Sepse dy herë i ka mbijetu aksidentit duke ikë. Djali futet në mendime pesimiste. Nuk kam mundësi me ble 1 m3 dru.

Burrin e kam të smurë, nuk më japin as punë as përkrahje. Nuk bahet fjalë me pasë në sofër nji gjellë apo pak djathë, a ka bukë?, kjo mjafton, kur ka ndonji perime apo makarona, u jap fëmijëve, ato nganjiherë nuk duen me ditë qysh sigurohet buka, vetë e laj vendin me lotë.

Vajza ime nuk ka lek për autobuz me shkue në shkollë.
Po numërojmë edhe ditët, edhe minutat tue prit 25 Prillin.


Duhet me pasë zemër të fortë me dëgjue tregimet e këtyre grave që përpiqen të rrezistojnë, që janë heroinat e fëmijëve të mbetun pa babë ose me babë gjallë por invalid, për sakrificën sublime që bëjnë për to, që nuk i braktisin për asnji rrethanë. Gjithkujt mundet me i ndodhë fatkeqsia. Unë nuk mundem me dëgjue deri në fund, më mbërthen nji dënesje tue kujtue vujtjet e nanës, të motrës, të nuses time… Dal përjashtë e përpiqem ta marr vetin, të qetsohem, por pamundësia me ndikue më mundon, më mbyt.

Vështroj mimikën e Flamurit, ajo më ngjan fëminore, engjëllore, te ai shesh vëllain, prindin, dëgjuesin e vëmendshëm duke të pa në sy. Ai u jep zemër nënave që mbajnë familjet të vetme, që mbajnë kombin në sakrificë. U thotë se programi PD parashikon një qasje tjetër për familjen, një qasje më dinjitoze, sepse, ‘nji shoqni e civilizuar investon shumë për familjen, nuk e l’shon atë në mëshirë të fatit, populli shqiptar e ruen të shenjtë këtë institucion, PD do tia rikthejë vlerat dhe dinjitetin’.
Nënat nuk i tregojnë krejt dramat e tyre, ata ndoshta e ndjejnë se kanë para tyre një bashkvuajtës, ndoshta një dalzotës. ‘Askush nuk është ulur me ne kështu, të na dëgjojë për hallet tona, je i vetmi që na dëgjon, kemi lexue se jeni nga familje fisnike, dhe kemi besim…’.

‘Ju duhet të uleni edhe me kandidatin tjetër, përkatësisht kandidaten e majtë, ti tregoni hallet tuaja, ti kërkoni zgjidhje, sepse edhe ajo është nënë, jam i sigurtë se do tju dëgjojë, le tju premtojë ndihmë sociale apo rroga 500 mijë lekëshe apo çfarë të dojë, por duhet ta thirrni në ballafaqim’.

E, duke u përmbajtur e me ngadalë u thotë atyre se mbas 25 Prillit qeveria e zotit Basha do të vendosë:
Bonus simbolik 3.000 lekë në muaj për çdo fëmijë deri në 5 vjeç, rrogën minimale 36.000 lekë në muaj, do të dyfishojë ndihmën ekonomike, do të ngrejë banesa për familjet e reja, kredi të buta ku interesin e paguan shteti… ‘Sepse nuk ka fyerje më të madhe se sa kur shpreh mungesë respekti për familjen’.
Flamuri u tregon atyre persekutimin e vet, kur regjimi i komunist e përndoqi atë qysh në moshën 8 vjeç duke ia pushkatuar gjyshin e dashur, për shkaqe politike siç ka mësuar më vonë, e duke e internuiar krejt familjen e madhe në kënetat e Durrësit.

Por ka mbijetuar dhe ja ku është sot, për ti dëgjuar dhe mirkuptuar, e, edhe për tu ‘pasunuar’ me dramat e tyre. Sepse ai zotohet edhe si deputet i ardhshëm por edhe si familjar, si fëmijë i Kukësit të Vjetër, që mbrojtjen e komunitetit dhe veçmas të familjes ta kthejë në mision.

‘Ju mbani gjallë institucionin e shenjtë të familjes dhe sakrifikoni aq shumë…’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *