Një jetë në livadhet e Novosej, historia e rrallë e 80-vjeçare! Nënë Hidja: Nuk shkova në shkollë të lartë

Nënë Hidja, ka kaluar një jetë të vështirë, por vitet as hallet nuk e kanë mposhtur. Në moshën 80 vjeçare e gjejmë duke ruajtur lopët në livadhet e Novosejit.

”Kullotë lopët, dhentë. Gjysma e fshatit merret me kullotjen e bagëtive. Se kam lindur merrem me këtë punë. Me bagëti shkoj çdo ditë. I rregulloj. Kam pojatën në fund të katundit. I rregulloj në sabah dhe në drekë. Me bagëti merrem. Nuk merrem me punë tjetër. Mbaj familjen”.

80-vjeçarja Hide Mata kujton se koha më e vështirë ka qenë në komunizëm, kur punonte në kooperativë.

“Gjithmonë jam marrë me to. Sa e kam bo jetën jam marrë me to. kam bërë pak shkollë 4 vjeçare. Shkollë të lartë nuk kam mbaruar. Pasi mbarova 4 vjet shkollë jam marrë bagëtitë e shtëpisë që I kemi patur. 40 dhenë, 7 lopë. Me pas u bë kooperativa. I tufëzuan dhe më pas kam dalë në kooperativë të punoja. Në kooperativë jemi troshit dhe asgjë nuk kemi marrë. Një kaqore bukë. E dhe ajo bukë thekre. Jeta ka qenë shumë e vështirë”.

Na tregon se në vitet ’60 i doli bursa për edukatore, por nuk shkoi në shkollë të mesme. Ndërsa 3 vite më pas u martua dhe tashmë ka dy fëmijë, nipër e mbesa.

“Në shkollë kam dashur të shkoj. Por nuk shkova pasi nuk shkuan edhe shoqet e mia. Me doli bursa për edukatore kopshti. Nuk shkova se nuk kishte vajza të tjera në këtë shkollë. Prindërit nuk më thanë gjë por kishin frikë se çfarë mund të bëja tek shkolla. Jam martuar në 1963. Kam dy fëmijë. Djalë dhe Vajzë. Të martuar. Kam nipër e mbesa”.

Me torbë në shpinë, niset poshtë livadheve pasi na tregoi copëza nga jeta e saj si çobanja dhe gjyshja më e vjetër e fshatit Novosejë në Kukës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *