• Thu. Apr 25th, 2024

(Kënga e Fatës dhe Alisë)

Se si ra fjala një ditë me Sulejman Didën, ndërsa po bisedonim për motërzimet e Legjendës së mbajtjes së fjalës së dhënë. Atë ditë Sula kishte ardhë në Tiranë për të realizuar një intervistë për të vlerësuar krijimtarinë e mikut tonë të ndjerë Besnik Hallaçi. Ndër të tjera Sula më tha se nuk e di nëse kemi një motërzim të varjantin lumjan.

– Po – i thashë, – kam unë një variant shumë interesant ku motra e martuar nuk quhet as Doruntinë, as Dhoqinë, as edhe Morsini, por Fatë.

Dhe fatat janë në fakt Zanat, Orët… Ndërsa djali nuk është as Konstandini, as Halil Garria, por Alia(u).

Shumë emocional ky varjant i kënduar në krahinën e Lumës.

Unë e gjeta 23 vjet më parë (1998) dhe e shënova pikë për pikë siç ma këndoi plaku i mirë Shaban Sadik Iseberi në atë kohë diku rrotull të 88-ve të jetës së tij.

Në këtë variant, siç ma dha ai, përgjithësisht këndohet në Lumë Kënga e Fatës dhe Alisë. Diku-diku ndoshta me ndonjë ndryshim të vogël qe nuk e prish strukturën e vargut dhe të vijës melodike.

Theksojmë se kjo baladë është e pranishme në mbarë shqiptarët, te arbëreshët në Itali dhe arvanitasit në Greqi. Ka motërzime në veri gjithandej. Dhe. në jug të vendit, po ashtu. Në trevat e veriut të vendit njihet si kënga e Halil Garrisë. Ndërsa në krahinën e Lumës si Kënga e Fatës dhe Alisë. Në shumicën e varianteve ‘vajza quhet Doruntinë, Garentinë,  Dhoqinë, kurse vëllai, në të gjitha motërzimet quhet Kostandin.’ (Prof. Dr. Resmi Osmani,  ‘Legjendat dhe baladat, motërzimet dhe ngjashmëritë në këngët popullore të Çamërisë’)

Te varianti i kënduar në Lumë do të vëmë në dukje disa dallime:

  1. Në variantin lumjan me siguri vjen nga periudha e paraislamizimit. Kjo vihet re se nëntë vëllezërit nuk kanë vdekur nga lufta, por nga një epidemi, konkretisht nga mortaja. Në këtë variant nuk përmendet pushka, që do të thotë se kënga ka ekzistuar para se të shpiket arma.
  2. Në motërzimet e tjera sidomos në jug vëllezërit (kryesisht 9) ose vdesin të helmuar ose në luftë, na mbetet të themi se janë më të vona. Por e rëndësishme është se në pikëpamjen strukturore kanë një substrat të përbashkët.
  3. Kjo baladë gjendet ndër arbëreshët dhe arvanitasit, e dëshmon atë me shumë se 500 vjet ekzistencë. Por në variantin e gjendur në Lumë element i shtuar është se vëllezërit kanë vdekur nga një epidemi. Pra varianti që është gjendur në Lumë për vetë këtë fakt se specifikon vdekjen e vëllezërve për shkak të epidemisë së murtajës, vjetërsinë e legjendës e shtyn edhe më thellë në mugëtirën e shekujve, diku në mesjetën e hershme, ndoshta në përtej kohës kur epidemia e mortajës së viteve 1348-1352, që fillimisht pushtoi Firencën dhe Italinë e më pastaj pothuajse sa nuk e zhbiu gjithë Evropën.
  4. Fakti se te kjo legjendë personazhi substaancial është motra e martuar ‘nëntë male e nëntë kodra larg’, sintetizohet te emri ‘Fatë’ që përkon me një prej figurave më domethënëse do të thotë shumë.
  5. Zëvendësimi i emërtimin Konstandin me Halil Garria apo Ali, janë thjesht emërtime apo ‘veshje’ gjatë periudhës së islamizimit të popullsisë pas pushtimit turk në shekullin e XV.

Po e publikojmë pikë për pikë, ashtu siç ma dha i ndjeri plaku i mirë Shaban Sadik Iseberi nga fshati Shtiqën (Kënetë).

Kanga e Fatës dhe Alisë

Nan vllazni zoti ka falë,

E ni motër kishin pasë,

Vishin shkusit Fatën m’e lipë,

nan ditë larg Fatën kanë dhanë,

Del Fata n’divenhane,

ja ka nisë e fort po kan,

dushman t’madh na paski pasë,

pse më dhatë, bre, nan ditë larg?

‘Hajt, moj motër, mos u ban budalle,

Nan vllazën zoti t’ka falë,

Ka ni herë n’muj kena me ardhë me t’marrë.

S’gati shumë, Fata nuse ka shkue,

Prit ni ditë, prit ni muj, prit ni vit,

Kush te dera nuk po i shkon.

Ka dalë Fata n’divenhane,

ja ka nis e fort po pisket,

n’ven t’lotve gjak prej sive po qet.

Me gjith’ kalë vllai te Fata po shkon,

larg po e sheh Fata t’e ardhë,

tre sahat Fata para m’i ka dalë,

Ngryk e ngryk me vllan’ kanan marrë,

‘Ku m’je hup vlla, ku m’je vonue?’,

‘Punë t’mdhaja motër m’kan qillue,

ne nan vllaznit jena martue,

nan e babë kan marue.

Hajde, shpejt motër, me u shtërngue,

shumë pageshëm motër kam qillue’

‘Kadel vlla, se buk’ due me t’shtrue’,

‘Jo moj motër se buk’ s’muni me hangër’.

Kanan nis e janë shtërngue,

E janë nisë n’gjini me shkue,

Zogjtë e malit ja kan’ nisë me knue:

‘I gjalli me t’deknin qish kanan te shkue’.

Mu te vorret kur janë afrue,

‘Kto vorre t’reja, vlla kush i ka marue?’

‘Jabanxhitë motër na janë vra,

Hec, oj motër, se unë po due me u nalë’,

Ç’po kujton e shkreta Fatë,

Se për izëm Alia asht nalë.

Mu te shpia Fata ka shkue,

Kejt avlia ish kanë rrxue,

Kejt oborri n’kllos ish mlue,

Derës n’shkelm Fata i ka mque,

‘Ik murtajë, he zoti t’vraftë’,

‘S’jam urtaja, nan, po jam Fata’,

‘Fatë moj bijë, me ka ke ardhë?’

‘Me Alin, moj nan, ardhtë i bardhë’

‘Ik, murtajë, zoti t’vraftë,

se Alia ma i pari m’ka dekë’,

Asht kthie Fata mrapa me kqir,

‘A mlue, moj nanë Alia, n’tokë deri ngji!’,

At’here nana Fatën na e ka njoft n’za,

Dhe derën ja paska çelë,

Grik a grik kanan marrë.

Zot ç’ka bani q’aj i madhi zot,

Nanë e motër shehit i ka lanë.

(Marrë nga Besim R Cengu prej Shaban Sadik Iseberit, 88 vjeç nga Shtiqni (Kënetë) maj 1998)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *