Nji duj kashtë-Nga Sulejman Dida

Nji funksionar partie, djal i ri – e ardhmja e pklitikës, më bani pyetjen se, përse kam mbetë i varfën përderisa jam nji nga themeluesit e PD-s. Në fillim i thashë në mënyrë korrekte: sepse nuk jam marrë me biznes. Por kjo nuk ishte bindëse për të.

Leni ato prralla, tha, pothujse asnji politikan apo funksionar, po them drejtor apo shef, si me thanë, nuk asht marrë me biznes, por kanë ba pare dhe pasuni për disa breza, ia kanë qi robt. Ti s’po m’kallxon të drejtën pse ke mbetë pa gja, tha. Unë deshta me i thanë (si kompensim, kuptohet), kam shkrue libra që kanë pasë jehonë dhe janë çmue si t’randsishme, por e pyeta si fillim: a lexon libra, libra jashtë klase a ke lexue ndoj herë…, letërsi artistike apo histori a…?

Jooo, asnji libër skam lexu, tha.

Po kto qi nxjerrin njerëzit në fb, a i lexon?, e pyeta prapë me shpresën se ka me thanë që lexon. Jo or burrë, në fb shoh fotografitë, lexoj nji apo dy rrjeshta, nuk hyj me lexue ma gjatë, robt, po përgjigjen nuk ma dhe, pse ke mbetë pa gja gjithë ky farë burri, sepse po t’jet si puna jote, ja qi robt nuk mirrem fare me parti, po unë i kam vu qëllim vetes me u ba dikushi, fill mbas zgjedhjeve un pa e kapë nji drejtori nuk e la, tha drejtuesi i ardhshëm.

Po më brengosë qëllimi yt, po edhe pyetjet, i thashë, dhe mu kujtue se edhe te shpia shpesh m’kanë vu për muri me pyetje të ngjashme. U ndjeva keq, ndoshta edhe ma keq sepse, oh, nuk e di pse. Si heshtëm nji troherë, djaloshi foli prapë: çka u ba shkak si t’la mbrapa?

Unë nuk prita shumë e i thashë shkurt: asht ba shkak nji duj kashtë. Nji duj kashtë? Po, pra, nji duj kashtë. Qeshi me përgjigjen time e, kuptohet, edhe me mue. Nuk e shtjellova ma tej, po sot po due me e nda me ju përvojën me ‘nji duj kashtë’.

Jemi kanë fëmijë, unë 9 e vllai i madh 12 vjeç. Tue pa se shumë fshatarë po vidhnin gjithçka mundnin nga pasunia e koperativës bujqësore, edhe ne nji ditë prej ditësh bamë të njajtën gja, vodhëm kashtë në arat n’afërsi të lumit, unë ngarkova në shpinë nji duj kashtë e vllai dy. Si e çuem te shpia nuk e mshefëm por e shtrimë aty midis oborrit, si nji meritë. Nana krujti faqet tue thanë, ku-kuuu, keni pru te shpia kashtën e huej, çka keni ba, ka me ba namin baba i juej kur ta shohë.

Ajo ndoshta la nji shteg për ne kur tha se baba ka me ba namin ‘kur ta shohë’, por nuk e morëm seriozisht paralajmrimin. Kur erdhi baba prej pune mbasdite, e pa kashtën që nuk ishte e arës tonë, ishte kashtë ma e bashme e ma e gjatë se e jona e ma e verdhë, krejt e verdhë. Çka asht kjo?, na pyeti. Ne i thamë se e kemi marrë te arat e koperativës ‘sepse krejt katuni po marrin’, dhe pritshim me na thanë, ani, mirë ja keni ba, sepse na kishte ra në sy që, në katun te magazinat e grunit, bathëve apo të djathit ishin burrat që vidhnin ma shumë.

Mirpo ndodhi krejt e kundërta, baba na bërtiti aq fort sa unë nisa me kajt, ndërsa vllai jo, në fakt ai mbahej si ma i forti i lagjes, e, për ma tepër na urdhnoi me e ngarkue kashtën e vjedhme e me e çue atje ku e kishim marrë. Ne e çuem kashtën drejt e te vendi duke iu fsheh shikimit dhe përqeshjes se moshatarve, e, babës nuk i folëm me gojë shumë ditë.

Dikurë ai vetë na afroi tue na përfshi me krahët e mdhenj e t’fuqishëm, ndërsa ne nuk po folim e as po e shohim në sy. E di se jeni idhnue me mue, po ma vonë keni me e kuptue se me vjedhë asht gjaja ma e keqe për burrin, tha. Unë deshta me i thanë se akoma nuk jemi ba burra, po ai sikur t’kishte lexue mendjen teme, shtoi: sot vjedh nji duj kashtë po nesër krejt katunin, edhe ju del nami si burra të kqij.

Po ne i kena pa me sy, kanë vjedhë kashtë edhe burrat, o ba… Ani, ani, ata paçin faqen e zezë qi kanë vjedhë, po ju mos vidhni, tha baba, dhe me nge argumentoi se harami nuk i hecë shpisë tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *