• April 19, 2024 7:15 am

Pejiç kthehet në Shqipëri: Erdha për të ndihmuar Kukësin

Pero Pejiç rikthehet në Shqipëri për të kontribuar në ish-skuadrën e tij, Kukësin, ku pritet vetëm zyrtarizimi i tij si drejtor i klubit verilindor.

Ish-sulmuesi kroat, ndër më të mirët në vitet e fundit në kampionatin shqiptar, tregon për ‘TCh’ se si lindi kjo ide.

‘Para 10 ditësh isha këtu dhe u takova me Safetin, më pas ika në Kroaci dhe erdha pashë finalen e Kupës mes Vllaznisë dhe Skënderbeut. Ndenja dy orë me presidentin e Kukësit dhe ai më kërkoi që të ndihmoj skuadrën’.

Pejiç ka luajtur me disa skuadra në Shqipëri. Ai tregon se marrëdhënia e tij me Kukësin është e veçantë.

‘Unë me Safetin jemi si familjarë, prandaj pranova dhe erdha këtu për të ndihmuar skuadrën që të kthehet në vendin e parë’.

Këto ditë pritet vetëm zyrtarizimi i tij dhe plani është që skuadra të futet në merkato në këtë muaj për të filluar në korrik fazën përgatitore të plotë. Po cili do të jetë roli i Pejiçit?

‘Kam dashur ta ndihmoj ekipin si menaxher. Vitin e fundit kam ndjekur çdo ditë seancat stërvitore të Dinamos së Zagrebit dhe kam mësuar shumë e kam krijuar përvojë, por nuk jam ende gati për trajner’.

Megjithatë, Pejiç ka qenë ndër të fundit sulmues te Kukësi që në sezonin 2014-2015 ka shënuar 31 gola dhe në sezonin 2016-2017 realizoi 28 gola.

Një profil i tillë mungon prej vitesh në Superiore.

‘Nëse do një sulmues të mirë që shënon 20-25 gola në sezon, duhet të paguash shumë’.

Po a i ka garantuar Gjici se e ka buxhetin financiar për ta ringritur skuadrën?

‘Po, po ai më ka garantuar që do të shpenzojë para për këtë sezon dhe ato pasardhëse’, përfundoi Pejiç.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *