• April 20, 2024 2:03 am

Thuhet se njerëzit i ndjek fati i emrit të tyre.

Kjo thënie sikur është bërë enkas për rastin e Myftar Gjanës . Nisur nga jeta dhe aktiviteti i tij unë besoj fort se ky njeri e dëgjoi dhe mësoi herët kuptimin e emrit të vet dhe veproi për të qenë i tillë.

Emri Myftar në gjuhën shqipe merr dy kuptime:

Së pari në kuptimin e Myftiut të artë Myfti(Klerik i lartë mysliman që drejton punët fetare të një vendi, të një krahine, të një qarku) + i artë ne kuptimin e çmuar

Së dyti  në kuptimin e kryeplak i fshatit a i një lagjeje(Myftari i fshatit. Tarafi i myftarit)

Myftari ishte biri i Nuhiut  (emër profeti ).

(*Nuhu, nipi i Ademit mësoi njerëzinë të mbështetet tek fuqia dhe besimi në Zot; pasi siç dihet ai ndërtoi faltoren e parë në tokë si dhe ditën kur e ndjeu se i ishte afruar vdekja, mblodhi bijtë rreth vetes dhe u la amanetin:

‘Mos reshtni së adhuruari Zotin. Mos u ndani nga rruga e Tij!’)

Kjo gjë ngjan si profetike por unë jam i prirur ta besoj. E besoj nisur nga kontributi dhe aktiviteti i Myftar Gjanës përgjatë jetës së tij të shkurtër. Jam bindur nga rrezatimi i fjalëve të tij në pak kohë bisede me të, por në shumë vite njohjeje.

Ai veproi si ‘kryeplak’ në mjedisin studentor gjatë viteve të studimeve. Kjo jo vetëm për shkak të moshës por prej formimit dhe botës së tij të brendshme.  Këtë gjë e kam të faktuar nga bashkohësit e tij studentë që më kanë thënë: ‘.. prej Myftar Gjanës para vitit 1990 përveç të tjerash  kemi mësuar edhe tre gjera: se duhet të lexojmë libra të ndaluar, se si duhet Kombi dhe se si urrehet komunizmi’.

Myftari predikoi si Myfti i artë sepse i bindur në vlerat e besimit në Zot dhe Komb i priu së bashku me një grusht burrash dhe djemsh nga më të mirët e vendit,  Lëvizjes Studentore 90-91, duke qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kontributor kryesor i ‘Grevës studentore të urisë të 20 Shkurtit ‘91’.

Pas kalimit në amshim, për Myftar Gjanën kam lexuar me qindra dedikime miqsh, shokësh, bashkëpunëtorësh, gazetarë, politikanë, shkrimtarë dhe historianë. Të gjithë së bashku nxjerrin në pah karakterin e fortë, jetën e trazuar, aktivitetin e spikatur publik dhe profesional,  produktin e qenësishëm politik, letrar, publicistik dhe gjithçka rreth tij, gjë që provon se Myftar Gjana kishte lindur për të lënë pas një vepër jetësore monumentale.

Unë kam patur fatin ta njoh Myftarin dhe të jem krah tij në shumë aksione politike gjatë viteve të mbrapshta të rebelimit komunist ‘97-’98. Kam qëndruar disa herë në ambiente politike dhe shoqërore por jo pak edhe në takime ndërpersonale, ku kemi diskutuar jo vetëm për zhvillimet politike por edhe për Kukësin tonë, për njerëzit dhe për jetën në përgjithësi.

Myftari kishte një artikulim brilant, një mendim të thellë, kujtesë të admirueshme dhe protagonizëm të pashoq.  Sapo të përmendësh emrin Myftar Gjana, menjëherë në mënyrë instiktive mendja të shkon tek antikomunizmi dhe Partia Demokratike.

Siç duket atë e udhëhoqi fryma profetike e Nuhut a.s, si në kohën kur biri i njeriut kishte harruar Krijuesin e vërtetë dhe kishte nisur të adhuronte idhujt. Në një atmosferë të tillë, ashtu si dikur Zoti u dërgoi bijve të Ademit, Nuhun për t’i thirrur në rrugë të drejtë, për t’iu kujtuar mesazhin e vet dhe për t’i udhëhequr drejt së mirës; në vitin 1990, zhvillimet politike sollën në skenë Myftar Gjanën për ta bërë më të shpejtë ardhjen e pluralizmit.

Është bërë traditë që të flasim, kujtojmë dhe shkruajmë për njerëzit  në ditën e mbrame të tyre, pasi ato të jenë larguar prej nesh, unë zgjodha të shkruaj për një nga ditët e para të Myftarit, 5 Janar, ditën kur ai 30 vjet më parë në Kukës, shtëpinë e tij të vogël e shndërroi në bahçen e lindjes së pluralizmit dhe demokracisë, duke e vrarë terrin dhe bashkuar Kukësin me qytetet pararojë përkrah Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Gëzuar 30 vjetorin e themelimit të PD Dega Kukës!

Nderime përjetë Myftar Gjanës dhe të gjithë themeluesve të PD Dega Kukës!

Admir Sinamati 05.01.2021

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *